English

Vendimi: Ndryshojnë kriteret dhe kategoritë e studentëve që përfitojnë bursa

Tiranë, 29 prill 2011, NOA- Një vendim me rëndësi i ndryshuar në mbledhjen e qeverisë të mesditës së sotme ishte ai për bursat për studentët.

Ligjit “Për fondin e ekselencës për mbështetje financiare të studentëve e shkencëtarëve të rinj, të shkëlqyer”, iu bën disa ndryshime ku në to parashikohen dhënie bursash:

“bursa të posaçme për studentë, që ndjekin studime “Bachelor” ose “Master” në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës, studentët, që janë pranuar e kanë përfituar bursë të pjesshme në shkencat inxhinierike, teknologji informacioni, matematikë, fizikë dhe bioteknologji në universitetet e njohura perëndimore, si dhe ata që ndjekin studimet “Bachelor” ose “Master” në artet e bukura;” si dhe për disa kategori të tjera.

Më poshtë ndryshimet në vendim:

V E N D I M

PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.554, DATË 7.7.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR FONDIN E EKSELENCËS PËR MBËSHTETJE FINANCIARE TË STUDENTËVE E SHKENCËTARËVE TË RINJ, TË SHKËLQYER”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 57, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të ligjit nr.10 355, datë 2.12.2010, “Për buxhetin e vitit 2011”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.554, datë 7.7. 2010, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

Shkronja “b”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) bursa të posaçme për studentë, që ndjekin studime “Bachelor” ose “Master” në njërin prej 15 universiteteve më të mira të botës, studentët, që janë pranuar e kanë përfituar bursë të pjesshme në shkencat inxhinierike, teknologji informacioni, matematikë, fizikë dhe bioteknologji në universitetet e njohura perëndimore, si dhe ata që ndjekin studimet “Bachelor” ose “Master” në artet e bukura;”.

Shkronja “b”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“b) Studentët, që ndjekin jashtë shtetit ciklin e parë dhe ciklin e dytë të studimeve kur:

i) janë pranuar në njërin nga 15 universitetet më të mira të botës për të ndjekur njërin nga dy ciklet e studimit ose janë pranuar dhe kanë përfituar bursë të pjesshme në shkencat inxhinierike, teknologji informacioni, matematikë, fizikë dhe bioteknologji në universitetet e njohura perëndimore, si dhe ata që janë pranuar të ndjekin studimet në artet e bukura;

ii) pranojnë të punojnë, së paku, 3 (tre) vjet në Shqipëri, ose të bashkëpunojnë me institucionet publike ose me sektorin privat të vendit, në forma të ndryshme, pas përfundimit të ciklit përkatës të studimeve, për të cilin përfitojnë bursën, ose pas përfundimit të të gjithë ciklit të studimeve, nëse kandidati përfitues vijon studimet;

iii) nuk janë, njëkohësisht, përfitues të ndonjë burse tjetër nga shteti shqiptar dhe nuk kanë të ardhura personale mbi 120 000 (njëqind e njëzet mijë) lekë në muaj.”.

a.y/NOA

KOMENTE