English

Aleanca “Kuq e Zi”, ndalet në 3 qytete kundër regjistrimit mbi baza etnike dhe fetare

Librazhd, 30 prill 2011, NOA- Aleanca “Kuq e Zi” gjatë paradites së sotme është vendosur në qytetin e Skraparit, Librazhdit dhe atë të Gramshit.

Kjo aleancë gjatë ditës së djeshme bëri publike nisjen e një aksioni kombëtar me qëllim që institucionet shtetërore të bëjnë me dije qëllimet e miratimit të ligjit për ndryshimin e kombësisë.

E pikërisht nën këtë nismë, anëtarët e saj janë ndalur në çdo rrugë e rrugicë, për të shprehur indinjatën dhe për të kërkuar firma për peticionin, kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare.

Sipas përfaqësuesve të Aleancës “Kuq e Zi”, aksioni kombëtar për këtë çështje bëhet në mënyrë të tillë që të mbrohen interesat kombëtare edhe kur këto interesa cenohen me ligj.

“Ligji për regjistrimin e popullsisë dhe të banesave është hartuar në një mënyrë të tillë ku vetë deklarimi dhe vetë përcaktimi prevalon dhe i mbivendoset regjistrit të gjendjes civile. Ne kërkojmë që këto çështje të bëhen publike dhe ne besojmë se qytetarët meritojnë ta dinë. Meritojnë ta dinë se çfarë qëllimi ka shteti shqiptar kur i harton këto ligje”, deklaroi njëri prej përfaqësuesve të kësaj lëvizje nga qyteti i Librazhdit.

Sipas përfaqësuesve të kësaj aleance, peticioni do të vazhdojë rrugën e tij në çdo krahinë shqiptare, për të tërhequr kështu vëmendjen e gjithë popullit lidhur me këtë çështje.

a.y/NOA

KOMENTE