English

Ndahet nga jeta Ernesto Sabato, Topi: Admirues i shqiptarëve

Buenos Aires, 1 maj, NOA - Shkrimtari argjentinas, Ernesto Sabato vdiq në moshën 99-vjeçare në shtëpinë e tij në Santos Lugares, provinca e Buenos Ajresit, njoftoi dje për median bashkëshortja e tij, Elvira Gonzalez Fraga.

"Dy javë më parë ai mori një bronkit dhe në moshën e tij kjo ishte fatale", deklaroi Gonzalez Fraga duke konfirmuar vdekjen e atij që konsiderohej si shkrimtari më i madh argjentinas ende gjallë. Autori i "Tuneli" (1948), "Heronj dhe varre" (1961), etj, do mbushte 100 vjeç më 24 qershor.

Me prejardhje nga Kalabria e Italisë, i cilësuar si i barazvlefshëm me Borges, Marquez, Cortazar, Sabato tregonte me krenari se në studion e tij kishte një gravurë veneciane te heroit të madh të shqiptarëve Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Sabato ka vizituar Shqipërinë në mes të prillit të vitit 1996, ku deklaroi se ”Jam shumë i emocionuar që ndodhem këtu sepse një e katërta e gjakut tim është shqiptar".

Disa vite më parë qeveria e Argjentinës i dorëzoi shkrimtarit Ernesto Sabato fitues i çmimit “Servantes” të letërsisë në 1984 (çmimi më i madh i letërsisë spanjolle), 320.000 dollarë për krijimin e një muzeu, i cili do të mbante emrin e tij . Shtëpia e shkrimtarit më origjinë shqiptare në Santo Lugares, shumë shpejt do të quhej shtëpia Muze Sabato.

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi pasi mori vesh lajmin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit të shquar Ernesto Sabato, shprehu hidhërimin për këtë humbje duke kujtuar edhe lidhjen e veçantë të Sabatos me Shqipërinë.

"Me hidhërim të madh mora lajmin e ndarjes nga jeta të shkrimtarit dhe personalitetit të shquar argjentinas Ernesto Sabato, i cili mban dekoratën e lartë të shtetit shqiptar, Nder i Kombit. Sabato gjithnjë e theksoi lidhjen e tij të gjakut me vendin tonë, ai ishte admirues dhe mbështetës i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Humbja e tij është një humbje e madhe për kulturën botërore, si një nga zërat më të fuqishëm të letersisë së shekullit XX. Ai përfaqëson një intelektual jokonformist, një personalitet me angazhim të njohur në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, një simbol në rezistencën kundër ]do forme të autoritarizmit. Në këto momente të hidhërimit të thellë sjellim në mendje vizitën e tij në Tiranë më 1996, takimet e tij të paharruara me intelektualët dhe shkrimtarë shqiptarë, si dhe fjalën e tij emocionuese për origjinën e tij të largët shqiptare, në ceremoninë e marrjes së dekoratës së lartë, Nder i Kombit."

NOA

KOMENTE