English

Topalli në Mirditë: Në 8 maj fitore për të përshpejtuar ritmet e progresit

Mirditë, 2 maj 2011, NOA- Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli në vijim të fushatës elektorale u ndal në qytetin e Mirditës për të prezantuar kandidatin e komunës Fan, Gjergj Prengën dhe Aleksandër Lalën në Orosh.

Gjatë fjalës së saj, kreyparlamentarja u shpreh se në këto vite Shqipëria është transformuar dhe qytetarët shqiptarë ndihen qytetarë evropianë dhe kjo është arritur falë reformave të jashtëzakonshme dhe projekteve të mëdha që ka zbatuar maxhoranca qeverisëse.

Ajo shprehu bindjen se kandidatët Prenga dhe Lala do të fitojnë në këto komuna, duke shprehur bindjen se edhe Lulzim Basha do të fitojë në Tiranë, edhe Ferdinand Xhaferri do të fitojë në Durrës, madje theksoi se edhe Korça e Gjirokastra ndoshta do mund të merren.

“Nuk ka fshat që nuk ka ndryshuar. Nuk ka komunë që nuk ka ndryshuar. Rrugët kanë qenë me baltë, me gurë, me gropa vetëm deri para pak viteve 4, 5 apo 6 viteve. Dhe sot kjo është një komunë moderne. Sa herë pyes veten: “Po vetë unë a e imagjinoja 5 vite përpara se do të kishim Rrugën e Kombit, se do të kishim shkolla me kabinete me internet, se do të kishim 5 % rritje ekonomike, vendi i parë në botë në kulmin e krizës ekonomike botërore, se do të ndryshonim Jugun komplet me infrastrukturë.“Lonely Planet”, që është revista me prestigjoze në botë për turizmin, do të vendoste vendin tonë, si vendi i parë në botë që duhet të zbulohet për bukuritë e tij. Kush e imagjinonte që revista prestigjioze “Forbes” do të kishte artikuj, ku u thuhej vendeve të tjera që shikoni modelin ekonomik të Sali Berishës, do të ishte mirë që ta ndiqnit edhe ju. Një model që ta aplikoni në vendin tuaj, si një oportunitet për të dalë nga kriza”, deklaroi Topalli para qytetarëve.

Sipas saj, opozita socialiste nën drejtimin e Edi Ramës ka treguar se ka bllokuar reformat në Kuvend, ka dëshmuar veprime antikombëtare, si dhe ka lobuar kundër anëtarësimit në NATO dhe heqjes së vizave me BE.

Topalli apeloi se, në 8 maj fitorja është thelbësore për Shqipërinë evropiane, e cila po fluturon me ritmet e saj të progresit.

a.y/NOA

KOMENTE