English

Vrasja e bin Laden, Jahjaga: E mira fitoi kundër të keqes

Prishtinë, 2 maj 2011, NOA – “E mira fitoi kundër të keqes”. Kështu e cilësoi vrasjen e kryeterroristit Osama Bin Laden, presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Presidentja Jahjaga deklaroi se me vrasjen e Bin Laden u vu në vend drejtësia.

“Nga sot bota është më paqësore, dhe njerëzit janë më të sigurt të shkojnë në punë, në shkollë, të udhëtojnë me metro, me tren, me aeroplan, më të sigurt për jetën e tyre, theksoi presidentja e Kosovës.

“Kryeterroristi Osama Bin Laden mori dënimin e merituar pas të gjitha vrasjeve, vuajtjeve, dhimbjeve dhe dëmeve që i shkaktoi botës. Njerëzit do të jetojnë në paqe, në përparim, të patrembur dhe të parrezikuar. Lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar është në funksion të paqes, të prosperitetit, të sigurisë për të gjithë, në mbrojtje të jetës dhe të dinjitetit të njeriut”, tha zonja Jahjaga.

Ajo u shpreh se si Republika e Kosovës, dhe populli i saj e mirëpritën lajmin për eliminimin e kryeterroristit të botës.

Gjithashtu presidentja Jahjaga falenderoi për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, disa vjet më parë, një ndërhyrje që ndali luftën mes Kosovës dhe Serbisë dhe spastrimin etnik, duke vendosur paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Kosova në luftën kundër terrorizmit është përkrah SHBA-ve dhe Bashkimit Europian, për një botë më të mirë, në të cilën njerëzit e të gjitha besimeve, të gjitha racave, të gjitha kombeve bashkërisht do të ndërtojnë të ardhmen prosperuese”, u shpreh presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në deklaratën e saj përshëndetëse për operacionin e suksesshëm të forcave amerikane që solli asgjësimin e liderit të Al Kaidës Osama Bin Laden.

mit/NOA

KOMENTE