English

Jeni kujdestarët e votës së qytetarëve

Tiranë, 4 maj 2011, NOA – ...Janë ata që në datën 8 maj kanë fatin të jenë kujdestarë të votës së qytetarëve shqiptarë. Kanë ata procesin zgjedhor në duart e tyre. Thirrja ime ndaj gjithsecilit prej tyre, pa asnjë ndikim partiak, zbatoni ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. Ju keni një rast të veçantë në jetën tuaj këtë vit, të jepni ndihmesën më të madhe për veten, për familjen, për komunitetin, për forcën politike që përfaqësoni, për vendin në tërësi dhe ky është zbatimi me ndershmëri, me rigorozitet i ligjit, në datën 8 maj e në vazhdim, në qendrat e numërimit.....

Sali Berisha

Kjo është mbledhja e fundit e radhës, para zgjedhjeve të 8 majit. Siç jam shprehur në çdo mbledhje qeverie, kryefjala e saj do të jenë zgjedhjet dhe rëndësia e jashtëzakonshme e tyre.

Fushata elektorale është në treditëshin e fundit të saj. Disa incidente, të shmangshme natyrisht, kanë qenë të papranueshme, por në tërësinë e saj ka qenë një fushatë me pjesëmarrje masive të qytetarëve shqiptarë, dëshmi e vullnetit të tyre për një pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 8 majit. Ditë, në të cilën ata valorizojnë, certifikojnë bindjet e tyre për kandidatin më të mirë, programin më të mirë dhe forcën politike që ata do të mbështesin.

Si çdo zgjedhje, por në mënyrë të veçantë këto zgjedhje kanë rëndësi, pasi dëshmia për një proces zgjedhor të qytetëruar, dëshmia për një proces zgjedhor brenda standardeve ndërkombëtare është kontributi më i madh që qytetarët shqiptarë, secili prej tyre nga mosha 18 deri në 100 vjeç, burra e gra, djem e vajza, mund të japin në procesin e integrimit të vendit në Europë. Ky është një rast shumë fatlum që shqiptarët të dëshmojnë se ia kanë dalë të konsolidojnë në udhën e tyre të lirisë, një proces europian, të standardeve ndërkombëtare, proces themelor për një shoqëri të lirë, procesin zgjedhor.

Zgjedhjet janë në ditën më të shënuar të Europës, në festën e Europës. Askush nuk mund t’i bëjë nderim më të madh kësaj dite, sesa të japë ndihmesën e tij për zgjedhje të standardeve europiane. Ky është nderimi më i madh që ne mund t’i bëjmë atë ditë, idealeve dhe aspiratave tona europiane, nderimi më i madh që ne mund t’i bëjmë ditës së Europës.

Unë kam një mesazh të veçantë për komisionerët e mazhorancës, por edhe për të gjithë komisionerët. Së pari, dua t’i siguroj ata se, pavarësisht nga forca politike së cilës i përkasin, besimi im është i plotë tek ata, tek morali, integriteti, vendosmëria dhe qëndrimi i tyre para ligjit. Janë ata që në datën 8 maj shndërrohen në vendimmarrësit më kryesorë të vendit. Janë ata që në datën 8 maj kanë fatin të jenë kujdestarë të votës së qytetarëve shqiptarë. Kanë ata, procesin zgjedhor në duart e tyre. Thirrja ime ndaj gjithsecilit prej tyre, pa asnjë ndikim partiak, zbatoni ligjin, ligjin dhe vetëm ligjin. Ju keni një rast të veçantë në jetën tuaj këtë vit, të jepni ndihmesën më të madhe për veten, për familjen, për komunitetin, për forcën politike që përfaqësoni, për vendin në tërësi dhe ky është zbatimi me ndershmëri, me rigorozitet i ligjit, në datën 8 maj e në vazhdim, në qendrat e numërimit.

Ftoj të gjitha forcat politike që në trajnimet që u bëjnë komisionerëve të përfshijnë të gjitha rekomandimet e ODIHR-it që kanë të bëjnë me funksionimin e komisioneve. Theksoj këtu p.sh në zgjedhjet e vitit 2009, ne vendosëm një sistem numërimi unik në planet, që në asnjë vend tjerër nuk është aplikuar, sistemi ynë i numërimi. Ky sistem u certifikua nga një hetim dhe rezultoi me gabim njerëzor më të vogël që mund të bëhej, nga hetimi i prokurorisë së Shkodrës. Ky sistem po njihet gjithnjë e më shumë si sistemi më i saktë ekzistues, përsa i përket numërimit. Megjithatë raporti thotë se në 1/3 e qendrave të numërimit, jo numërimi në vetvete, por vetë procesi pati probleme. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që komisionerët dhe vëzhguesit në qendrat e numërimit të zbatojnë me rigorozitet të plotë udhëzimin e Komisionit Qendror të zgjedhjeve, në mënyrë që ne, shqiptarë, të krijojmë shembullin më të shkëlqyer, edhe për shkak të teknologjisë që kemi vendosur, teknologji jo pak e kushtueshme, por, në radhë të parë, të përkushtimit tonë për procesin e numërimit më të civilizuar e më transparent që ekziston në ndonjë vend tjetër.

E mbyll, edhe një herë me një thirrje drejtuar çdo komisioneri. Procesi zgjedhor në datën 8 maj është në duart tuaja, ju përket juve të jeni në lartësinë e vlerave, në lartësinë e vlerësimit që ju keni për liritë tuaja, të respektoni çdo qytetar, çdo votë, t’i përmbaheni ligjit zgjedhor, në mënyrë që sëbashku të dëshmojmë se këtë ditë të idealeve të lirisë dhe vlerave të saj, ne e shndërrojmë në një ditë edhe për të gjithë shqiptarët.

*Fjala e kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë

KOMENTE