English

Rama : Në 8 maj votë për të ndëshkuar qeverinë

Elbasan, 4 maj 2011, NOA- (Update) Në takimin përmbyllës në qytetin e Elbasanit lideri i së majtës Edi Rama u shpreh se, Qazim Sejdini i ka kuruar plagët e qytetit me kujdes, me durim dhe me dashuri.

Rama tha se te Sejdini me programin e tij përshkruan pjesë të ëndrrës së Elbasanit të së nesërmes, duke shtuar se vota e gjithsecilit në 8 maj është fuqia e të ardhmes.

“Nuk ka nevojë për fjalë, është e qartë se është rruga qorre e kusarisë e matrapazllëkut dhe e shitblerjes së vet personalitetit njerëzor gjë që Elbasani nuk mund ta pranojë dhe do ta refuzojë duke refuzuar Saliun e Tiranës dhe Saliun e Elbasanit”, deklaroi Rama.

Më tej ai shtoi se “Pakti qytetar” i nënshkruar pasditen e djeshme, i garanton qytetarët se gjithë kandidatët e Partisë Socialiste do u qëndrojnë angazhimeve të tyre.

Sipas tij në 8 maj të gjitha qytetet do të çlirohen me votë, pasi tha ai gjithçka fillon nga një votë dhe pikërisht vota bën që shndërrimi dhe transformimi të shkojë përpara.

“Duke krijuar kushtet të gjithë së bashku, në të gjitha nivelet, për 300 mijë vende të reja pune në të gjithë Shqipërinë. Duke krijuar lehtësira të forta fiskale për çdo biznes prodhues. Duke mbështetur financiarisht formimin profesional të të rejave e të rinjve të cilët ne do t’i nxjerrim nga rruga e papunësisë dhe do t’i fusim në të vetmen rrugë, në rrugën tonë të punës e të bashkëjetesës qytetare me mirëqenie dhe respekt të ndërsjellë për njëri tjetrin. Do angazhohemi për formimin e tyre profesional dhe do t’i kreditojmë për të hapur bizneset e vogla që do të jenë dhe hapi i tyre i guximshëm dhe i sigurt për një jetë më të mirë, për një jetë të sigurt”, u shpreh kryesocialisti.

Rama u angazhua se do t’i heqë të gjitha tatimet e qeverisë mbi biznesin e vogël dhe se do të garantojë një liri të paprekshme për çdo sipërmarrës të këtij vendi.

Ndër të tjera ai tha se, vota e 8 majit ka një vlerë të jashtëzakonshme, është fuqia që demokracia i jep çdo njeriu të zakonshëm, deri në fshatin më të largët, që ta gjykojë dhe ta ndëshkojë qeverinë.

Në përfundim shefi i opozitës deklaroi: “Në 8 maj ju keni një votë për t’i thënë Saliut “Kurrë më!” dhe për të garantuar ecjen përpara me ritme edhe më të larta në të vetmen rrugë. Në rrugën që Qazim Sejdini ka hapur për Elbasanin. Në rrugën që kandidatët e Aleancës për të Ardhmen kanë hapur kudo ku qeverisin. Në rrugën që ne të gjithë do të hapim së bashku për të gjithë Shqipërinë evropiane”.

a.y/NOA

KOMENTE