English

Autostrada Levan- Vlorë, Ministri Olldashi inaguron 16 kilometra

Vlorë, 5 maj 2011, NOA- 16 kilometra të autostradës Levan Vlorë janë hapur ditën e sotme për trafikun nga Ministri i Transportit, Sokol Olldashi.

Segmenti nga Novolesa deri në hyrje të qytetit të Vlorës, ishte pjesa e inauguruar ditën e sotme, ndërkohë që në të gjithë pjesën tjetër të autostradës po punohet me intensitet ë mënyrë që përpara sezonit turistik autostrada të vihet në punë e gjitha.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast Olldashi u shpreh se, “Hapja e këtij segmenti do të bej më të lehtë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave që vijnë nga Veriu drejt qytetit të Vlorës duke ndikuar në mënyrë të ndjeshme në shkurtimin e kohës së udhëtimit dhe standardeve të tij”.

Ai shtoi se po punohet që deri për sezonin turistik të kenë përfunduar dy korsi të këtij aksi, ndërsa tha se në muajin tetor e gjithë kjo vepër do të ketë përfunduar.

Autostrada Levan-Vlorë, është pjesë e Korridorit VIII dhe konsiderohet si një ndër projektet më madhore të infrastrukturës në vend dhe kap një gjatësi 24 km, gjerësi 35m, 4 korsi dhe shpejtësi lëvizëse të mjeteve 120-130km/orë.

Sakaq Olldashi theksoi se punimet e autostradës krahas përfaqësuesve të drejtorisë së rrugëve kanë një supervizor special siç është kandidati për bashkinë e Vlorës, Ardian Kollozi.

Sipas Kollozit, kjo autostradë do të ndikojë në rritjen e turizmit dhe qarkullimin e mallrave duke e cilësuar atë si investimin që lidh Veriun e Shqipërisë me Vlorën.

a.y/NOA

KOMENTE