English

Goditet banda shqiptare në Firence, prostituonte vajza pasi i sillte nga Greqia

Firence, 5 maj 2011, NOA – Një operacion i përmasave të mëdha të policisë italiane, ka mundur të vërë në pranga plot 25 persona të lidhur me një grup që shfrytëzonte vajza të reja për prostitucion, si edhe ndihmonte emigracionin e paligjshëm, trafiqet e drogës dhe vjedhjet nëpër shtëpi.

Bëhet fjalë për finalizimin e një aksioni, hetimet rreth të cilit kishin nisur që dy vjet më parë në rajonin e Firences në Itali, ku të përfshirë kanë qenë edhe mjaft shqiptarë.

Korrespondentja e agjencisë NOA citon mediat italiane të detajojnë se hetimi filloi konkretisht në nëntor të vitit 2009, që nga arrestimi i një prostitute ruse.

Me këtë rast, ajo kishte bërë deklarata të rëndësishme për mënyrën se si arriti të mbërrijë në Itali dhe rrëfime mbi mjediset e botës së prostitucionit.

Në muajt që pasuan, hetuesit e policisë kanë rindërtuar këtë histori, duke identifikuar elementet e bandës përgjegjëse.

Mësohet se grupi organizues i gjithë veprave kriminale drejtohej nga shqiptarë, si dhe një duzinë bashkëpunëtorësh italianë, të cilët kishin rolin për të menaxhuar "punën" e prostitutave.

Midis tyre, ishin edhe dy shoferë taksish, si edhe një agjent pronash të patundshme, i cili vinte në dispozicion të grupit kriminal shqiptar mjaft apartamente, për të mbuluar aktivitetet e tyre ilegale nëpërmjet qirave të rreme etj.

Konkretisht, policia italiane arriti të realizojë 11 urdhër-arreste, 5 arreste shtëpiake dhe 8 detyrime paraqitje para organeve të policisë për anëtarët e këtij grupi.

Ajo arriti të zbulojë me detaje gjithë skemën sesi vajzat shqiptare mbërrinin nga vendi i tyre dhe shfrytëzoheshin rrugëve të Firences nga banda e drejtuar prej bashkëkombësve të tyre, si edhe dhunën që pësonin nga ata.

Ndërkaq, policia italiane, lidhur me këtë operacion të përmasave të mëdha të goditjes ndaj krimit, pohoi se vajzat e dhunuara dhe të trafikuara, mbërrinin në Itali në mënyrë të paligjshme përmes Greqisë, ky i fundit si vend tranzit për to.

n.e/NOA

KOMENTE