Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: Connection refused in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Rruga e Kalasë, vendi ku takohen historia, e tashmja dhe e ardhmja
English

Rruga e Kalasë, vendi ku takohen historia, e tashmja dhe e ardhmja

Tiranë, 5 maj 2011, NOA – Rruga kryesore e Tiranës së vjetër, rruga e Kalasë së Toptanasvve, që ndodhet në zemër të kryeqytetit, dhe mban emrin si rruga “Abdi Toptani” është një nga rrugët më të reja për këmbësorë, rikonstruksioni i të cilës rizbulon sot për syrin e kalimtarëve kalanë mesjetare, që mban ende zgjuar historinë e kryeqytetit shqiptar, i shndërruar sot në metropol.

Rehabilitimi i kësaj rruge vetëm për këmbësorë nga Bashkia e Tiranës krijon një trajektore panoramike e historiko-kulturore, në zemër të qytetit.

Ndërkohë që rruga është drejt përurimit, duket se arkitektët e këtyre punimeve përmes një dizaini bashkëkohor, kanë përcaktuar pikërisht takimin e të tashmes dhe të ardhmes së Tiranës me të shkuarën historike të saj, ndeshjen e objekte historike e monumentale kulturore të qytetit me rrugën e shtruar me pllaka të bardha ku ecin këmbësorët.

Sipas kryebashkiakut Edi Rama, në themel të konceptit urban dhe arkitekturor qëndron ideja e shndërrimit të kësaj zone, në një hapësirë tërheqëse për qytetarët, në një hapësirë socializimi, çlodhjeje dhe argëtimi.

“Rivitalizimi i zonës arrihet nëpërmjet gjelbërimit të saj, modernizimit të infrastrukturës dhe shtimit të elementëve argëtues, si në detajet e tipit stola, si në sheshet e pushimit, të ofruara si zgjidhje befasuese e krejtësisht të veçanta, ashtu edhe në rikonceptimin e lulishtes së Parlamentit”, thotë kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Ndërkohë ndriçimi i rrugës ka marrë në konsideratë shndërrimin e zonës historike, në një vend ku mund të kalohen mbrëmjet në mënyrë të këndshme, në shoqëri, duke shëtitur, ose duke u ulur në stolat e vendosur përgjatë rrugës, ose në lulishten përballë godinës së Kuvendit.

Sipas Ramës zgjidhja e ofruar nuk përfaqëson një ndriçim të natyrës së zakonshme urbane, por një ndriçim të studiuar, për të krijuar atmosferë tërheqëse gjatë natës, si dhe një mjedis argëtues e të mbushur me ngjyra.

Rëndësi e veçantë në këtë projekt që është drejt fundit i është kushtuar edhe trajtimit dhe realizimit teknik të rrugës, ku një sipërfaqe prej 5700 m2 është shtruar sipas një teksture bashkëkohore, me gurë lokalë/autoktonë të bardhë “gjirokastre”, të mikstuar me elementin tradicional të gurit/zall lumi, si tek Ura e Tabakëve, që risjell e përçon në të ardhmen, teknikën historike të trevës së Tiranës.

Gjatësia aksiale e rrugës është 600 metra, ndërkohë që gjerësia e rrugës varion nga 10 deri në 20 metra.

Sipas bashkisë rruga respekton kushtet teknike, për njerëzit me aftësi të kufizuara si dhe të gjitha standardet e parashikuara nga Bashkimi Evropian.

Kryebashkiaku Rama theksoi se qëllimi kryesor i saj, është nxjerrja në pah dhe rivitalizimi i objekteve monumentale historike.

Në këtë rrugë përpos Akademisë së Shkencave dhe Parlamentit Shqiptar, ato që pësojnë një kujdes të drejtpërdrejtë janë Muret e Kalasë, si ato të dukshme dhe ekzistuese, e sidomos pjesa e re e ekspozuar e rrënojave, të nxjerra në dritë këto vitet e fundit, për të cilat është ndërmarrë edhe një projekt i thellë restaurimi dhe rivitalizimi.

Rruga e Kalasë gjarpëron përgjatë këtyre mureve mesjetarë në një sekuencë prej rreth 160 metrash.

Kjo rrugë nis nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, apo aksi brazinian, në një vijë depërtuese prej 600 metrash, përmes qendrës së qytetit për të përfunduar me objektin historik të Urës së Tabakëve, një monument kulture, që shënon historinë e Tiranës, që në fazat e hershme të qytetërimit të saj.

Kjo rrugë nis me njohjen e historisë së qytetit përmes mureve të zbuluara të Kalasë dhe të çon nëpër një sërë objektesh social-kulturore si Galeria e Arteve, Teatri Kombëtar, Kinema “Millenium” dhe Biblioteka e Vjetër e Qytetit.

Në këtë rrugë ndodhen edhe objekte monumentale historike, si ish-shtëpia e Princeshës Sanije, sot Rezidenza Mbretërore, ish-shtëpia muze që njihet si Sarajet e Toptanasve, lulishtja historike dhe shatërvani i qytetit, ish–Legata Italiane që sot është Qendra e të Përndjekurve Politikë, Komuniteti Musliman, lulishtja 1 Maji e në fund të saj Ura e Tabakëve.

Historik mbi Kalanë

Kalaja e Tiranës është ndërtuar nga Ahmet Pashë Bargjini (pasardhës i Sulejman Pashës) në gjysmën e dytë të shek. XVIII. Kështjella kishte formë drejtkëndëshe, me përmasa 160mX120m, me dy bastione katrore dhe një të rrumbullakët në lindje. Trashësia e murit varionte nga 2,90 m deri ne 3,50 m dhe ishte e realizuar me blloqe të mëdhenj guri të latuar. Kësaj faze i përket pjesa më e madhe e murit dhe të dy kullat. Më 1798 ra në duart e Toptanasve nga Kruja, dhe u bë objekt i luftës shumëvjeçare midis Topatanasve dhe Bushatllijve të Shkodrës.

Më 1817, pas një rrethimi 5 mujor u rrënua dhe u dogj, jo vetëm Kalaja, por edhe një pjesë e mirë e qytetit. Pas bombardimit, Kalaja u rindërtua vetëm pjesërisht, por menjëhere pas tij, Kalaja doli jashtë funksionimit dhe u kthye në gurore. Më 1832, Mehmet Pasha ose Veziri i Madh urdhëroi prishjen e të gjithë kalave në territorin e Shqipërisë, përfshi dhe Kalanë e Tiranës.

Në fund të shek XIX, me ndërtimin e Godinës Rezidenciale, (sot Akademia e Shkencave) u rrafshua pothuajse në total, një pjesë e mirë e krahut lindor e verior të saj. (pjesa tjetër jugore, ishte rrafshuar tashmë), deri me rikonstruksionin e fundëm, të krahut verior, viti 2011.

mit/NOA

KOMENTE