English

Serbia në panik, amerikanët i falin "Bonstillin" Turqisë

Sarajevë, 5 maj, NOA - Turqia do të mund të hyjë në bazën ushtarake amerikane afër Ferizajt, “Bondsteel”, të cilën forcat e SHBA-së do ta braktisin së shpejti, raporton “Frankfurt News”, duke u cituar burime diplomatike

Ndërkohë gazeta boshnjake “Dnevni Avaz”, bënë një analizë të gjatë të impaktit që mund të sjellë ky zhvillim në rajon dhe cili do të jetë roli i Serbisë. Sipas gazetës, bëhet fjalë për bazën më të madhe ushtarake amerikane të ndërtuar jashtë kufijve të SHBA-së pas luftës në Vietnam.

Largimin nga baza në afërsi të Ferizajt e ka paralajmëruar nga fundi i marsit ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell, për shkak të harxhimeve të mëdha financiare, një gjë që ka shkaktuar rrëmujë në mesin e analistëve dhe teoricienëve ushtarakë serbë, marrë parasysh paralajmërimin që bazën do të mund ta trashëgonin pikërisht turqit.

Ninoslav Kërstiç, ish-komandant i forcave të bashkuara serbe të sigurisë, thotë se një skenar i tillë Serbisë assesi nuk mund t’i konvenojë.

“Hyrja e banuesve të rinj nga Lindja do të ishte gjë e keqe për Serbinë, e edhe më keq për Kosovën. Ankaraja me këtë fiton lidhjen e drejtpërdrejtë territoriale me Sanxhakun përmes Kosovës, që është rruga e transversales së gjelbër deri në Sarajevë”, ka thënë Kërstiç.

Sipas tij, Turqia është aleate amerikane dhe kjo lidhje ndoshta është më e fortë sesa me BE-në, ku turqit me vite të tëra po përpiqen të hyjnë, por pa sukses, andaj edhe shihen si kandidatë të përjetshëm.

“Amerika e përfshin Turqinë në këtë rajon që për ta më nuk duket edhe aq interesant. Interesi turk për kthim është zgjerimi në kontinentin evropian, ku jetojnë mjaft turq, para së gjithash, në Gjermani dhe Francë. Rusia nuk ka asgjë kundër, marrë parasysh që ka marrëdhënie të mira me Ankaranë:, thotë Kërstiçi.

Ish-drejtori i agjencisë ushtarake serbe për zbulim, Momir Stojanoviç, ka thënë po ashtu se ia ka frikën hyrjes së forcave ushtarake turke në Kosovë.

“Ballkani është kompensim i Turqisë për kundërshtimin gjerman që ky vend të hyjë në BE. mendoj se është reale që së paku në kuadër të forcave të NATO-s të vijë edhe kontingjenti turk, posaçërisht në kohën kur bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës t’i afrohen fundit, dhe kjo nuk është mirë”, ka thënë ai.

NOA

KOMENTE