English

Topalli: Vota e lirë e 8 majit si mrekullia e lirisë

Tiranë, 5 maj 2011, NOA – Me rastin e Ditës së Dëshmorëve, 5 majit, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zhvilloi sot homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit, ku vendosi edhe një kurorë me lule dhe bëri homazhe pranë Memorialit “Nënë Shqipëri” .

Në fjalën e saj kryeparlamentarja Topalli u shpreh se ndodhej në këtë vend ku prehen dëshmorët për për të nderuar kujtimin dhe sakrificën e baballarëve të kombit, që sakrifikuan për Shqipërinë.

Ajo theksoi se sot shqiptarët janë më krenarë se asnjëherë tjetër, pasi Shqipëria është një vend i sigurt dhe i lirë si një ndër 28 vendet anëtare të NATO-s.

“Mrekullia e lirisë ka bërë që në vendin tonë sot qytetarët të ndihen me dinjitet dhe krenarë. Vetëm tre ditë na ndajnë nga dita e zgjedhjeve dhe qytetarët do të shkojnë në zgjedhjet lokale të 8 majit. Kjo është një mundësi që çdo qytetar për shkak të mrekullisë që ka sjellë liria gjatë këtyre 20 viteve, për shkak të sakrificës së baballarëve të kombit tonë dhe të gjithë atyre që deshën Shqipërinë dhe sakrifikuan vërtetë, të votojnë të lirë, me shumë qytetari, dhe si qytetarë evropianë”, tha Topalli.

Ajo shprehu bindjen se 8 maji do të jetë një ditë feste, për të çuar më tej demokracinë dhe progresin në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Mandej pas homazheve tek Dëshmorët e Kombit, si çdo 5 maj, Kryetarja e Kuvendit, zhvilloi një vizitë në shtëpinë e heroit të demokracisë, Azem Hajdari.

mit/NOA

KOMENTE