English

Xhaferraj: Do të rehabilitohet rruga nga Torra veneciane-Kodër Vilë

Durrës, 5 maj 2011, NOA – Në dy ditët e fundit të fushatës elektorale për Bashkinë e Durrësit, kandidati demokrat Ferdinand Xhaferraj prezantoi projektin për rehabilitimin e rrugës qendrore të qytetit bregdetar nga Torra Veneciane në Kodër Vilë, e cila është e gjatë plot 1.5 kilometër.

Kjo rrugë që do të kushtojë 350 mijë euro sipas kandidatit të koalicionit “Aleanca për Qytetarin” do të rehabilitohet në një infrastrukturë të standardeve evropiane, dhe do të ndriçohet nga 160 ndriçues, ndërkohë që do të ketë një trotuar prej 6000 metrash katrorë.

Xhaferraj gjatë takimit me banorë të zonës bëri me dije se projekti parashikon edhe ndërhyrje në Kodrën e Vilës, të cilat sipas specialistëve janë të domosdoshme për shkak të erozionit, mbrojtjes së mjedisit dhe hapësirave të gjelbërta.

Duke shpalosur këtë projekt të rëndësishëm për rijetësimin e kësaj zone kyç të qytetit turistik bregdetar kandidati demokrat atakoi rivalin e tij kryebashkiakun aktual Vangjush Dako, i cili sipas Xhaferraj po fyen qytetarët durrsakë me vendosjen e numrit të madh të banderolave elektorale në rrugën Tregtare.

Xhaferraj u tha banorëve të Durrësit se kryebashkiaku Dako në katër vitet e mandatit të tij të shkuar ka punuar vetëm për interesat e veta dhe jo për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e resurseve turistike të panumërta të Durrësit.

mit/NOA

KOMENTE