English

Lotët e mia dhe Tirana pa lot

Ndonjëherë, fshehurazi nga kamerat apo sytë e qytetarëve, kam fshirë edhe ndonjë lot të hidhur dhe të pabindur. Por Tirana nuk ka nevojë për lot. Ashtu si dhe nuk ka nevojë për britma dhe ulërima. As për politikë të madhe dhe as për grindje të mëdha, në emër të ca ambicieve personale, boshe dhe egoiste

Nga Lulzim Basha

Unë e fillova këtë fushatë me një pasion të veçantë. Tirana ime, Tirana e jonë, qëndronte përpara meje e zymtë dhe plot halle. Unë prej kohësh kam menduar se ne i kemi një borxh të madh këtij qyteti të ëmbël, të dashur dhe mikpritës. Të gjithë i kemi një detyrim të madh. Për të ndaluar thinjen e saj të parakohshme, për t’i rikthyer gëzimin që padrejtësisht ka humbur, për të zgjuar shpresën e saj, për të justifikuar me punë, shumë punë dhe djersë të drejtën e saj për të shpresuar.

Tiranën e preka dhe e ndjeva këto javë në çdo qelizë, në çdo nerv, në çdo pasion, në çdo ëndërr të fshehtë apo të hapur. Tiranën këtë zonjë të rëndë, këtë nënë, këtë motër, këtë mike, këtë tokë fisnike që ka njohur shpesh shumë mosmirënjohje, kuptova se sot, edhe më shumë se dje, është shndërruar në një dashuri të madhe dhe në një qëllim të madh të jetës sime.

Kuptova se Tirana ka nevojë edhe për përkushtimin tim, për ndjenjën time, për punën dhe dashurinë time. Ashtu si ka nevojë për më shumë dashuri nga të gjithë ne, dashuri, vëmendje, përkujdesje dhe shërbim, shumë shërbim.

Këto javë pranë qytetarëve të Tiranës, pranë halleve të tyre, pranë bukës së shtrenjtë, pranë të rinjve të papunë, pranë pleqve të braktisur, pranë nënave me rrathë të zinj poshtë syve, përjetova edhe vetë një rilindje dhe rizgjim të ndjenjave të mia më të forta dhe më të ndjeshme.

Dhe ju rrëfej se ndonjëherë, fshehurazi nga kamerat apo sytë e qytetarëve, kam fshirë edhe ndonjë lot të hidhur dhe të pabindur.

Por Tirana nuk ka nevojë për lot. Ashtu si dhe nuk ka nevojë për britma dhe ulërima. As për politikë të madhe dhe as për grindje të mëdha, në emër të ca ambicieve personale, boshe dhe egoiste.

Tirana ka nevojë për vëmendjen e bijve dhe bijave të saj, të shkolluar, të dashuruar me të, të motivuar, të zjarrtë, këmbëngulës, të hekurt dhe idealistë.

Dhe kështu të dashur miq, shkova në çdo lagje të këtij qyteti, për t’u takuar me ju në shtëpitë tuaja, në vendet tuaja të punës, në rrugët tuaja për të dëgjuar problemet dhe shqetësimet tuaja. E bëra këtë për një arsye të thjeshtë dhe për një arsye të fortë njëherësh: Askush nuk mund të drejtojë nëse më parë nuk dëgjon.

Dhe kjo është alternativa që ju keni përballë të dielën – alternativa mes një Kryetari Bashkie që ju dëgjon dhe një Kryetari Bashkie që çirret dhe dëgjon vetëm jehonën e zërit të tij, zërin e ambicies së tij politike të pafre.

Në mbarë Tiranën kam dëgjuar qytetarët duke folur për sfidat e vërteta me të cilat ballafaqohet qyteti ynë: se ka shumë pak mundësi për të gjetur punë, shumë pak hapësirë të gjelbra, çmimet janë tepër të larta, klasat në shkolla kanë shumë më tepër nxënës se norma, ka shumë trafik dhe rrugë të prishura dhe të pashtruara.

Mund te çirremi sa te duam para këtyre sfidave. Mund ti tundim grushtet në erë sa të duam para këtyre problemeve. Mund të përpiqemi edhe ti mbulojmë ato, duke i shkuar përsipër një dorë boje. Por asnjë nga këto nuk i zgjidh problemet e qytetit tone.

Klithja e slloganeve politike nuk hap asnjë vend të ri pune dhe kësisoj, as edhe ulet dot çmimi qofte edhe i një buke të vetme. Betejat politike nuk na e shkurtojne kohën e kthimit në shtëpi, nuk e çajnë dot trafikun kaotik pas një dite të lodhshme pune. As nuk ndërtojnë dot, qoftë edhe një park të vetëm ku të luajnë fëmijët tanë.

As fjalët e ashpra, as aktet e dhunshme nuk e bëjnë Tiranën një qytet modern europian. Një Kryetar Bashkie qe merret vetëm me beteja politike, nuk i zgjidh dot problemet e qytetit tonë.

Sot është koha për t’u ndarë nga këto grindjet dhe konfliktet politike, njëherë e mirë. Është koha për t’ju përveshur punës, për të vënë në rend të parë njerëzit dhe hallet e tyre.

Punësimi është një problem që unë kam prekur në të githa bisedat e mia me qytetarët e Tiranës. Prandaj unë kam përgatitur një plan për hapjen e vendeve të reja të punës, për të cilat kanë kaq shumë nevojë njerëzit tanë. Unë do të ul taksat për biznesin që hap vende të reja pune. Si Kryetar Bashkie do të investoj në ndërtimin e infrastrukurës për të cilën ka shumë nevojë qyteti ynë. Do të përkushtoj të gjitha energjitë e mia për të nxitur investime të reja dhe vende të reja pune si dhe për ta shndrruar Tiranën në një atraksion turistik.

Kryetari aktual i Bashkisë thotë se nuk është detyra e tij të krijojë vende pune për ju... Unë do të jem një Kryetar Bashkie ndryshe. Krijimi i vendeve të punës për ju, do të jetë detyra ime më e rëndësishme.

Nga mijëra familje kam dëgjuar shqetësimin e tyre të madh për trafikun e rënduar, që na pengon të shkojmë në punë në mëngjes dhe të kthehemi në shtëpi, në familjet tona pasdite. Unaza e re do të ndihmojë që trafiku të lëvizë më shpejt dhe do të shmangë bllokimin e tij. Dhe kjo është gjëja më e natyrshme, por Kandidati tjetër është kundër Unazës për një arsye të thjeshtë: sepse ka zgjedhur sherret politike në vend të bashkëpunimit me kundërshtarët e tij politikë.

Në lagjet, rrugët dhe rrugicat ku kam ecur, kam prekur ankimet tuaja për çmimet e artikujve të përditshëm që nga buka e deri tek karburanti. Kryetari aktual i Bashkisë ngre duart përpjetë, thotë se nuk ka ç’bën dhe fajëson qeverinë. Por unë mendoj se detyra e një Kryetari Bashkie, as nuk fillon dhe as nuk mbaron me fajësimin e të tjerëve. Unë mendoj se Kryetari i Bashkisë duhet të qëndrojë i pari, në krye të punëve dhe në krye të përgjegjësive.

Unë jam i bindur se ne mund të ndërtojmë shkolla të sigurta dhe të ulim numrin e nxënësve në klasa. Unë jam i bindur se ne mund të krijojmë parqe dhe sheshe lojrash të reja. Unë jam i bindur se ne mund të investojmë për artin, kulturën dhe sportin. Unë jam i bindur se mund ta ulim nivelin e ndotjes dhe ta pastrojmë qytetin. Unë jam i bindur se ne mund të ndërtojmë një dhe më shumë linja tramvaji dhe të përmirësojmë gjendjen e trotuareve. Unë jam i bindur se ne mund ta shtojmë ndriçimin në rrugë dhe të rregullojmë problemet me ujin dhe kanalizimet. Dhe unë jam i bindur se ne mund ta përmirësojmë përkujdesjen shëndetësore dhe sociale për të gjithë qytetarët, përfshirë grupet në nevojë dhe pensionistët, të cilët kemi detyrim t’i mbështesim. Dhe unë e di se edhe ju jeni të bindur që të gjitha këto duhen bërë pa humbur kohë.

Po për t’i realizuar të gjitha këto na duhet një qasje ndryshe. Ne duhet të ndryshojmë mënyrën se si punon Bashkia dhe duhet në radhë të parë të ndryshojmë mënyrën se si punon Kryetari i Bashkisë. Ne na duhet një Kryetar Bashkie që i takon dhe i dëgjon qytetarët dhe u jep llogari atyre...dhe ky është pikërisht lloji i Kryetarit të Bashkisë që unë do të jem.

Unë do të vazhdoj t’i dëgjoj njerëzit. Çdo javë do të kem një orar të caktuar për t’u takuar me qytetarët dhe për të dëgjuar hallet e tyre. Dhe ne do të takohemi sëbashku në mbledhje qytetare të zgjeruara çdo muaj për të diskutuar dhe raportuar mbi progresin që do të bëjmë së bashku. Unë do të bëj transparent çdo shpenzim që bën Bashkia dhe do t’i publikoj rezultatet në mënyrë që çdo qytetar të shohë me saktësi se si përdoren paratë e taksave të tyre.

Nëse Tirana do të bëhet një qytet modern europian, ju keni nevojë për një zë dhe për një zgjidhje. Kur një sipërmarës kërkon ta zgjerojë biznesin e tij por nuk mundet, sepse taksat janë tepër të larta, ai ka nevojë për një zë dhe për një zgjidhje energjike. Kur nënat ankohen se fëmijët e tyre nuk kanë një shesh ku të luajnë, ato kanë nevojë për një zë dhe një zgjidhje të shpejtë dhe të prekshme. Kur një çift i moshuar ankohet për ndërtimin e një ndërtese shumëkatëshe ngjitur me shtëpinë ku jetojnë, ata kanë nevojë për një zë dhe për një zgjidhje të qëndrueshme.

Unë do të jem dëgjuesi juaj i vëmendshmëm, zëri juaj, dhe në Bashki do të inicioj dhe realizoj zgjidhjet e halleve dhe problemeve tuaja.

Si Kryetar i Bashkisë unë do të siguroj që çdo projekt apo leje e re ndërtimi, të jetë e hapur për publikun. Ju dhe fqinjët tuaj do të keni mundësinë të shprehni mendimin tuaj dhe të përcaktoni drejtimin që do të marrë zhvillimi i lagjes tuaj.

Zëri juaj do të të dëgjohet edhe kur të zhvillojmë planin e ri urbanistik të Tiranës. Për një kohe tepër të gjatë, ju keni qenë të përjashtuar nga ky proçes. Pikërisht për këtë arsye, si Kryetar i Bashkisë, unë do të miratoj një moratorium derisa të kemi të kemi miratuar sëbashku plan e ri të qytetit, sepse ne nuk mund të ndërtojmë një Tiranë të re europiane, pa një plan, dhe ne e meritojmë të kemi një qytet, ku rregullat janë të qarta, të drejta dhe të barabarta për cilindo.

Kandidati tjetër nuk është armiku ynë. Ai thjesht nuk duhet të jetë më Kryetari i Bashkisë tonë dhe kjo është zgjedhja që ju keni përpara të dielën.

Një zgjedhje mes një Kryebashkiaku që ka prioritet luftën dhe betejat politike, dhe një Kryebashkiaku që do të luftojë krah jush në betejat e përditshme me të cilat ju ndesheni sot të vetmuar në Tiranë.

Një zgjedhje mes një Kryebashkiaku që çdo natë shkon të flejë duke ëndërruar të bëhet Kryeministër, dhe një Kryebashkiaku që do çdo natë do të shkojë të flejë duke menduar se si ta bëjë Tiranën një qytet më të mirë dhe më të begatë për fëmijët tanë.

Mes një Kryebashkiaku që ankohet për ato që nuk mund të bëjë, dhe një Kryebashkiaku që do të bëjë gjithçka të mundur për ta përmirësuar qytetin tonë.

Mes një Kryebashkiaku që thotë se nuk është detyra e tij të hapë vende të reja pune, dhe një Kryebashkiaku, detyra numër një e të cilit do të jetë krijimi i vendeve të reja të punës.

Një zgjedhje mes një Kryebashkiaku që beson se ka vetëm një rrugë dhe se ai na qenka e vetmja rrugë, dhe të një Kryebashkiaku që beson se sëbashku ne mund të ndërtojmë dhe të përshkojmë rrugë më të mira.

Mes një Kryebashkiaku që ua hedh fajin të tjerëve për problemet tona, dhe një Kryebashkiaku që merr përgjegjësitë për ta bërë qytetin tonë më të mirë.

Një zgjedhje mes një Kryebashkiaku që mendon se ju e keni marrë atë që meritoni, dhe një Kryebashkiaku që mendon sinqerisht se ju meritoni më shumë. Shumë më shumë.

Unë shpresoj se cilido prej jush, i ri apo i moshuar, burrë apo grua, demokrat, socialist, LSI apo PDIU, republikan, legalist, LZHK apo i pavarur, punëtor apo pensionist, i punësuar apo i papunë, do të bashkohet për të punuar për të ardhmen e qytetit; do të bashkohet për t’i thënë Po një Kryebashkiaku që ju dëgjon, për t’i thënë Po një Kryebashkiaku që merr përgjegjësitë që i takojnë, për t’i thënë Po një Kryebashkiaku që do të punojë për vende të reja pune, për çmime më të ulëta, për më shumë parqe, për më pak ndotje dhe transport më të mirë...për t’i thënë Po një Kryebashkiaku që vë qytetarët para politikës.

Të dashur Miq,

Jam këtu përpara Jush si një djalë i këtij qyteti që ka përkundur në prehërin e vet që fëmijë ëndrrat më të bukura të jetës së vet. Në këtë qytet kam përjetuar emocionet e burrit, bashkëshortit dhe babait. Në këtë qytet kam ngritur shtëpinë dhe familjen time. Janë me mijëra fijet që më lidhin në mënyrë të pazgjidhshme me Tiranën. Miq, ide, plane dhe projekte për të ardhmen tonë. Kam dhe kundërshtarë, dyshues të sinqertë apo dhe baltosës të mirë-paguar.

Por ky qytet dhe dëshira e paepur për t’ju përkushtuar atij është ndjesia dhe forca më e madhe që më shtyn përpara, përtej çdo dashakeqësie apo intrige me prapavijë politike.

Unë shpesh i jam përgjigjur baltës me buzëqeshje.

Sepse ndërkohë shihja me sytë e mendjes rrathët e zinj poshtë syve të shumë nënave që më pëshpërisnin me dashuri dhe shpresë: Kurajo Lul Basha - ne besojmë tek ty dhe tek premtimet e tua.

Dhe ato nëna, burrat, bijtë dhe bijat e tyre, motrat dhe vëllezërit e tyre, janë sot, më shumë se dje, forca ime e vërtetë.

Një forcë njerëzore që kërkon me meritë gjëra njerëzore. Që do paqe, punë dhe një begati të ndershme. Që u trembet dhe refuzon grindjet, sherret, baltosjen dhe luftën ndërmjet bijëve të vet.

Sepse në krye të herës dhe në fund të fundit, nuk harroj kurrë që ne, miq apo kundërshtarë, jemi në të njejtën kohë të gjithë qytetarë të këtij qyteti.

Të dashur miq,

Më 8 maj ju ftoj të votoni planin dhe projektin tim për Tiranën. Sepse Tirana nuk duhet të ndalë kurrë së ëndërruari, njërëzit e saj nuk duhet të ndalin kurrë së besuari. Dhe unë, Lulzim Basha, jam i vendosur, jam gati që ti përkushtoj gjithë kohën, energjinë dhe forcën time, së bashku me ju, që t’i kthejmë mundësit, shpresat dhe aspiratat tona në realitet.

KOMENTE