English

Nuk ishte kjo Shqipëria që ëndërruam

“Dhe kështu, në fund, gjithkush mund të thotë se nuk ishte kjo Shqipëria që kishim dashur këtu e njëzet vjet më parë. Dhe me siguri nuk ishte kjo Shqipëria që kishin ëndërruar për vite e dekada me radhë, në qelitë e ftohta e të errëta të burgjeve politike, autori i librit e bashkëvuajtësit e shumtë të tij. Në këto njëzet vjet tranzicioni, ne jemi transformuar në një shoqëri amfibe, d.m.th. hipokrite, edhe demokratike, edhe totalitare”...

Nga Pëllumb Xhufi*

Ky libër është një histori analitike e tranzicionit shqiptar. Nuk është i pari i kësaj gjinie. Janë shkruar mjaft të tillë gjatë këtyre viteve të fundit. Por autori i “Tranzicion apo Trashëgimi?” është një zë origjinal e krejt i veçantë. Vitet e gjata, të kaluara si i burgosur i ndërgjegjes, e kanë pajisur Daut Gumenin me disa sensorë shtesë që nuk i ka një vëzhgues i zakonshëm. Analiza e mprehtë për ngjarje, dukuri e personazhe, e bashkuar me kurajën civile e me ironinë gërryese, karakteristika të ligjërimit të tij, kanë dhënë një portret të zhveshur të shoqërisë shqiptare të tranzicionit dhe të protagonistëve të saj. Nuk është aspak një portret tërheqës. Kjo nuhatet që në penelatat e para të autorit, që hap pas hapi na shpalos detajet e një klase drejtuese të paaftë, të dyzuar, të korruptuar e të privuar nga çdo moral e motiv pozitiv; të një sistemi politik të kolauduar enkas për të përjetësuar pushtetin e kësaj klase drejtuese; të një shoqërie civile që është katandisur në një pjesë integrale të sistemit; të një opinioni publik gjithnjë e më të dëshpëruar e të pashpresë. Dhe kështu, në fund, gjithkush mund të thotë se nuk ishte kjo Shqipëria që kishim dashur këtu e njëzet vjet më parë. Dhe me siguri nuk ishte kjo Shqipëria që kishin ëndërruar për vite e dekada me radhë, në qelitë e ftohta e të errëta të burgjeve politike, autori i librit e bashkëvuajtësit e shumtë të tij. Në këto njëzet vjet tranzicioni, ne jemi transformuar në një shoqëri amfibe, d.m.th. hipokrite, edhe demokratike, edhe totalitare. Gumeni, nuk gjen përcaktim më të përshtatshëm për epokën e palavdishme të tranzicionit tonë postkomunist se sa termin “komunizmi i dytë”, që për të dënuarin e djeshëm të ndërgjegjes, mbart një peshë të rëndë zhgënjimi e ironie therëse. Pikërisht, në mungesën e një ndryshimi të vërtetë pas rënies së komunizmit, autori gjen rrënjët e deformimeve fatale nga të cilat vuan sot i gjithë sistemi. Në demokracinë paradoksale shqiptare, vëren Gumeni, mund të ndeshësh në një realitet të tillë, ku komunistët më pa karakter të PPSH-së t’i gjesh sot në krye të betejës kundër komunizmit; ku komunistë nga ata, që dje nuk i besonin vetë komunizmit dhe që sot akoma më pak i besojnë demokracisë, sot turren kundër kundërshtarëve politikë dhe deri kundër të burgosurve politikë duke i stigmatizuar ata si “komunistë”! Në Shqipërinë e tranzicionit, “gardistët e kuq”, ata që në 1966 prishën kisha e xhami, sot thërrasin të mallëngjyer “Rroftë Zoti!”.

Mund të duket një obsesion ky denoncim që Gumeni i bën vazhdimisht identitetit ideologjik e kulturor të klasës politike shqiptare të kohëve të tranzicionit. Por, lexuesi, cilido qoftë ai, nuk mund të mos tundohet nga linja e arsyetimit të autorit, kur kujton se qenë vërtet komunistë, nga ata të këqijtë, ata që shmangën ndarjen me të kaluarën totalitare, duke bllokuar hapjen e dosjeve e duke i përdorur e shpërdorur ato vetëm për qëllime shantazhi e rekrutimi politik. Akoma më shumë, ishin të tillë ata që lançuan qysh në fillim sloganin e rrafshimit në “nivelin zero” të ekonomisë, duke programuar shkatërrimin e çdo infrastrukture industriale e bujqësore, të ngritur me aq mund e sakrifica nga shqiptarët e thjeshtë; ishin “kompetentët” ata që ideuan brenda natës piramidat rrënimtare dhe që pas mbylljes së piramidave iu turrën privatizimit, d.m.th. plaçkitjes së aseteve publike; ishin të atij takëmi, ata që në njëzet vjet qeverisje nuk ngritën asnjë kapacitet të ri prodhues; ata që me politikat e mospolitikat e tyre e kanë kthyer bujqësinë nga boshti mbajtës i ekonomisë shqiptare, në një humbëtirë vajtuese. Përtej imazhit të fushave të lulëzuara e të “fermerëve” të lumtur, që ofron propaganda zyrtare, autori i librit shpalos në mënyrë të pamëshirshme një realitet tjetër, atë të fushave të braktisura, të pyjeve të prera, të rezervuarëve të tharë, të sistemeve ujëmbajtëse e ujitëse të degraduara, të maleve të kafshuara nga erozioni, të përmbytjeve sistematike, të një peizazhi bregdetar, që po i ngjan gjithnjë e më shumë një kënete gjigante. Gumenit i dhemb zemra kur kujton se përgjegjësit e kësaj gjendjeje të trishtuar të bujqësisë shqiptare janë pikërisht ata bij të ndrojtur fshatarësh, të cilët vite e vite më parë zbritën në Tiranë vetëm me një valixhe druri, ndërsa sot, si personazhe VIP të salloneve të Tiranës, bezdisen kur dikush u kujton nga kanë ardhur.

Në këtë katrahurë, rotacioni në pushtet rezulton të jetë një rutinë e thjeshtë zgjedhjesh të vjedhura e një alternim njerëzish të korruptuar. Sjelljet e klasës politike përcaktohen, sipas Gumenit, nga një instinkt i lindur shkatërrimi, që u shpall që në vitin 1992 me teorinë e “nivelit zero” dhe që vazhdon të materializohet në aksione si ato për shkatërrimin e mbikalimit të Zogut të Zi, të cilat duket se synojnë që të edukojnë edhe popullin me të njëjtin instinkt shkatërrimi. Prej andej, merr shkas autori për të evidentuar mosçlirimin e shoqërisë shqiptare nga dikotomitë sfilitëse krijim-shkatërrim, harmoni-kaos, pohim-mohim, që aq shpesh ndeshen edhe në artikulimin politik të një lideri të ditëve tona, ku “po”-të dhe “jo”-të pasojnë njëra tjetrën në mënyrë të pakuptimtë. Sigurisht, një klasë politike e tillë, e prirë nga “brigadierë ruspash” apo nga “kalorës të paqes” është gjithnjë e më shumë e diskredituar dhe e refuzuar nga publiku shqiptar. Por, ndërkaq, ajo ka bërë shumë dëm. I ka bërë shumë dëm edhe imazhit të Shqipërisë në botë. E ç’mund të mendojë bota për Shqipërinë e shqiptarët, kur një liliput nga Tirana kërkon të matet deri edhe me presidentin e SHBA-së apo me Kryeministrin e Britanisë së Madhe dhe kur i bindur për rëndësinë e tij hidhet të bëjë një kërcim deri në Pekin për të njoftuar pastaj të katër anët e planetit, se “u hoqi vërejtje” udhëheqësve të Kinës... për mungesë të zgjedhjeve të lira e të pluralizmit politik! Në këtë libër të tij, Daut Gumeni ka qëmtuar e rikujtuar shumë nga ato yneret e harruara të pushtetarëve tanë, me të cilat dikur thjesht jemi tallur, por tani, të mbledhura bashkë e të futura në kontekstin historik, na bëjnë të mendohemi e të ligështohemi.

Në këtë shtet, që tashmë Gumeni parapëlqen ta quajë “regjim”, pushteti i amfibëve, i të korruptuarve, është kujdesur të ndërtojë mjedisin e përshtatshëm për amshimin e vet. Institucionet e pavarura janë kthyer në një dekor, janë ç’burrëruar e janë bërë leva të pushtetit, njëlloj si organizatat e dikurshme të masave. Në mënyrë të veçantë, sistemi gjyqësor mbart shenjat e përkujdesjes së veçantë të politikës, ai është modeluar sipas shijeve të saj, pra është tërësisht i korruptuar e i politizuar. Në vend të drejtësisë, ai legjitimon padrejtësitë dhe... ndan paratë. Pas një fillimi inkurajues, edhe shoqëria civile duket se e ka kryer ciklin e saj, duke u vënë edhe ajo në rresht, e duke u kthyer në një “repart special” të qeverisë. Dhe kështu, na kujton Gumeni, të njëjtët gazetarë të tranzicionit që arrijnë të gjejnë një fije force e kuraje për të belbëzuar, një lloj proteste kur pushteti rreh një koleg të tyre, i shohim pastaj të tkurren e të heshtin kur azganët e pushtetit sulmojnë kundërshtarët politikë apo, edhe kur mu përpara zyrave të Kryeministrit, keqtrajtohen prej tyre dy gra të moshuara. Autori e ilustron dhimbshëm mjerimin egocentrik në të cilin janë ndrydhur sot shoqatat joqeveritare, duke sjellë shembullin e njërës prej tyre, që në programin e vet, ndër motivet e ekzistencës, sjell edhe motivin patriotik. E pra, shoqata e ushtarakëve në lirim, e cila prej vitesh është protagoniste e protestave qytetare në mbrojtje të pensioneve të cenuara arbitrarisht nga qeveria, ka zgjedhur të mbyllet në një heshtje të turpshme, kur e njëjta qeveri shkakton shpërthimin vrastar të Gërdecit apo kur ajo cenon interesa të larta kombëtare, deri edhe kufijtë e vendit, siç ndodhi së fundi në rastin e marrëveshjes antikushtetuese për përcaktimin e kufirit detar me Greqinë. Për Gumenin, heshtja në raste të tilla është një llogore e padenjë turpi, nga e cila ushtarakët tanë, për fat të keq, nuk mundi t’i nxjerrë as shqetësimi qytetar dhe as kuturisja e një ushtaraku të vetmuar, kol. Myslim Pasha, i papunë e i papaguar si ata, por me moralin, ndërgjegjen e përgjegjësinë e një ushtaraku, që ndonëse në lirim, e ndjen veten të lidhur me betimin ushtarak.

Evropa dhe ndërkombëtarët mund të ishin një shpresë për këtë vend të zhytur thellë e më thellë. Por, edhe këta infektohen nga sëmundja endemike e tij: vijnë në Shqipëri të bashkuar e kthehen prej andej të ndarë, pa mundur të konkludojnë gjë. Me shpërthimet, vetëtimat e jargavitjet e tyre, liderët kokoroçë shqiptarë arrijnë t’i thyejnë e t’i trembin edhe më dashamirësit ndër ta. Sa për të tjerët, evropianë si zonja Pack, që e gjykon Shqipërinë sipas humoreve të saj të momentit, apo si ai ambasadori i OSBE-së, i cili në largim e sipër parashikoi “trazira” nëse nuk zbatoheshin porositë e tij, Gumeni rezervon kafshimin e ironisë së tij. Ashtu si nuk i kursen shigjetimet edhe ndaj fqinjëve euro-ballkanikë të Shqipërisë, të cilët në këta 20 vjet janë përpjekur të shfrytëzojnë dobësitë e demokracisë e të shtetit shqiptar për të realizuar agjendat e tyre nacionaliste. Në fakt, të vetmet “fitore strategjike” që politika greke ka korrur këto vite në arenën ndërkombëtare, kanë qenë ato të dhuruara nga politikanët e korruptuar të Tiranës. Gumeni denoncon fort si lëshimet e paprincipta të tyre ndaj Athinës në këmbim të një buzëqeshjeje apo puthjeje në faqe (Basha-Bakojanis, Marrëveshja e Detit), ashtu edhe “aleancat e pëgëra” të ujdisura brenda vendit me një personazh grotesk si Vasil Bollano, i cili guxon të sfidojë i patrazuar e çdo ditë Kushtetutën e Shqipërisë duke predikuar hapur shkëputjen e Vorio-Epirit. Gumenin e irriton raporti jo i drejtë i vendosur nga politika midis interesave të Shqipërisë dhe pretendimeve erëmykura të Greqisë, dhe këtë irritim lexuesi i këtij libri e ndjen menjëherë në përgjigjen që Daut Gumeni, atëherë konsull i Shqipërisë në Janinë, i dha gazetarit provokues të “Proinos Logos”, i cili donte ta ngacmonte lidhur me shtypjen e pretenduar të minoritetit grek në Shqipëri. Përgjigja e Gumenit se jo vetëm sot, por edhe në kohën e komunizmit, të gjitha institucionet e deri edhe zyrat e prokurorisë e të Shtëpisë së vetme Botuese në Tiranë ishin të mbushura me minoritarë grekë, duhet ta ketë lënë pa mend grekun arrogant.

Libri i Daut Gumenit është padyshim një denoncim i sëmundjeve të tranzicionit shqiptar. Nëse do të ishte vetëm kaq, do mund ta quanim një apoteozë të dëshpërimit, sepse sëmundjet e Shqipërisë së sotme janë të shumta e të rënda. Por jo. Përveç vëzhgimeve, konstatimeve e denoncimeve të tyre, libri “Tranzicion apo Trashëgimi?” tregon se ekziston edhe e mira, ekzistojnë edhe zgjidhje, të njohura e të eksperimentuara në demokracitë e tjera, ato të vërteta. Libri ka vërtet shumë zhgënjim e dëshpërim, aq sa edhe përcaktimi si vendi i shanseve të humbura duket si përcaktimi i duhur. Por, njëherësh ai rrezaton edhe dritë e shpresë. Daut Gumeni, që përveçse një publicist i hollë është edhe një poet i ndjeshëm, e gjen, më së pari, dritën e shpresën diku nga vendlindja e tij: te djemtë e Toçit apo te shkolla e Nivicës. E mira qëndron ende në këmbë, si ajo shkollë e vjetër dhe e gurtë, kujtimi i së cilës na çon të prehemi, pas aq shumë mjerimesh, në një vend e në një kohë tjetër: në Shqipërinë e Rilindjes. Ndoshta pikërisht këtu, te Rilindja, do të duhet të kërkohet zgjidhja.

*Shkrimi është parathënia e librit, “Tranzicion apo trashëgimi” me autor Daut Gumenin.

KOMENTE