English

Rritet mbështetja në facebook, Basha: Do ecim me energjinë e rinisë

Tiranë, 6 maj 2011, NOA – Ndërkohë që numri i fansave të tij në Facebook ka mbërritur në mbi 278 mijë persona, kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, i pari politikan shqiptar që implementoi zgjerimin e admiruesve të tij edhe përmes portalit vetjak online, u premtoi qytetarëve dhe të rinjve se ai do të zgjidhë problemet e taksave, çmimeve, strehimin, si dhe zhvillimin e Tiranës dhe transportin publik të qytetarëve të Tiranës.

Pas takimeve cep më cep të Tiranës Basha zhvilloi edhe një komunikim të dytë Live me qytetarët përmes rrjetit social facebook.

Për më se një orë Basha u dha përgjigje dhjetëra pyetjeve që shqetësojnë banorët e kryeqytetit.

Njëra nga pyetjet ishte ajo e Aurel Selimit: Çfarë do të bëjë z. Basha si kryetar bashkie, për strehimin e të pastrehëve? Kam dëgjuar për programin tuaj dhe ndihmen që do t’u jepet çifteve të reja. Si do të jepet kjo ndihmë?

Kandidati demokrat premtoi se nëpërmjet një fondi special të bashkisë do të zbuten kreditë për çiftet e reja.

“Një tjetër drejtim shumë i rëndësishëm është ai i banesave sociale. Unë jam i vendosur që territoret publike të qytetit të Tiranës, që janë të shumta, t’i vë në dispozicion të qytetarit të Tiranës. Ne do të ndërtojmë brenda katër viteve të ardhshme 1000 apartamente sociale”, garantoi Basha.

Ndërsa, Drita Uka e pyeti për transportin publik. Si e mendoni ju zgjidhjen e këtij problemi?

Lulzim Basha premtoi këtu se ai është i përkushtuar për tramvajin e Tiranës.

“Do të nis brenda 12 muajve të parë, me përfundimin e planit urbanistik, punën për linjën Kinostudio-Kombinat, sepse një linjë e dedikuar me kapacitete të larta, do të bëjë të mundur, jo vetëm transportin me cilësi më të mirë dhe me komoditet të qytetarëve në këtë linjë dhe më vonë në linjën tjetër, por do të konkurojë denjësisht dhe do të bindë më shumë qytetarë që të lenë mjetet e tyre private dhe t’i drejtohen këtij mjeti, se do të lëvizin më shpejt, do të lëvizin më cilësisht në rrugët e qytetit”, tha kandidati demokrat.

Ai shprehu angazhimin e tij edhe për një rrjet të transportit publik sa më të integruar. Basha premtoi se shërbimi me autobusë duhet të shtrihet në të gjithë qytetin dhe të shërbejë njëlloj në periferi e në qendër.

Këtu Basha tha se cilësia e transportit publik nuk duhet të jetë në varësi të fushatave elektorale.

Kandidati demokrat premtoi se “Standardet minimale të shërbimit të autobusëve të Tiranës do të përcaktohen dhe do të ndiqen rigorozisht. Autobusët që nuk janë të përshtatshëm për qytetarët e Tiranës, nuk do të lejohen më në rrugët e Tiranës”.

Basha ishte i pranishëm edhe një një festë të të rinjve, ku i ftoi ata që nga e hëna e 9 majit të bashkojnë energjitë për të shndërruar në realitet projektin për Tiranën.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë që këtij qyteti t’i ketë ardhur shpresa si kësaj rradhe. Pse? Prej jush! E gjithë përgjegjësia që ne marrim përsipër përpara qytetit të Tiranës, do të nisë rrugëtimin e saj me të njejtat parametra, me të njejtën kursor, me të njejtën energji, që ju keni”, u shpreh Basha.

Sipas Bashës, të rinjtë zënë një vend të veçantë në projektin e tij për arsimin, punësimin, strehimin e tyre.

mit/NOA

KOMENTE