English

Shpërthim i fuqishëm eksplozivi në Fushë Krujë, ndjehet deri në Kamzë

Fushë Krujë, 6 Maj 2011 NOA/ Ardian Bushi - Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në fabrikën e çimentos në Fushë Krujë në orën 20.00 të mbrëmjes së enjte.

Sipas burimeve zyrtare të policisë së Krujës mësohet se persona ende të paidentifikuar, kanë arritur të afrohen tek muri rrethues në pjesën jugore të fabrikës në një pjesë e cila nuk ndriçohej.

Më pas kanë vendosur një sasi eksplozivi midis murit rrethues të fabrikës dhe të mensës së punëtorëve të kësaj fabrike.

Shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm dhe është dëgjuar deri në Kamëz, përshkuan çastet e ngjarjes disa banorë të zonës duke folur me agjencinë NOA.

Nga shpërthimi është dëmtuar muri rrethues i fabrikës në një gjatësi rreth 18 metra linear dhe një lartësi rreth tre metra, si dhe mensa e punëtorëve e cila ndodhej në afërsi të murit rrethues.

Sipas burimeve zyrtare të policisë së Krujës mësohet se është shkatërruar pothuajse plotësisht mensa, ndërsa nuk ka patur dëme në njerëz, edhe pse rojet e fabrikës dhe zyrat e administratës së kësaj fabrike ndodhej shumë afër mensës.

Nga pamja e vendngjarjes sikundër ju shihni dhe në këto foto, copat e murit rrethues prej blloqesh betoni, por edhe murit të mensës kanë fluturuar nga objekti në një distancë më shumë se 100 metra larg vendit të ngjarjes.

Banorët e fshatit Zallë tregojnë për NOA se kanë përjetuar moment tmerri dhe paniku nga ky shpërthim pasi pluhuri i ndërtesës ku dhe murit që është shkatërruar kishte ngritur një re pluhuri shumë të fuqishme.

Një burim zyrtar policor i tha agjencisë NOA se pas shpërthimit në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta duke nisur edhe ekspertimin e zonës së shpërthimit dhe mbledhjen e informacioneve paraprake.

Po kështu nga Durrësi janë nisur edhe specialistë të antiterrorist dhe kriminalistikës. Policia ka rrethuar zonën përreth vendit të ngjarjes, duke qëndruar për një kohë të gjatë larg vatrës të shpërthimit nga frika se mund të kishte sërish lëndë plasëse të pashpërthyer. Po kështu ka nisur edhe kontrolli i të gjithë mjeteve që lëviznin në drejtim të fabrikës dhe anasjelltas si dhe përreth fshatrave që lihen me fabrikën.

Ndërkohë që e gjithë zona është izoluar plotësisht duke nisur krehjen e zonës dhe nisur edhe shoqërimet e personave të dyshuare.

Brenda dy orëve janë shoqëruar në polici mbi 20 persona, por akoma policia nuk ka mundur të gjejë autorët e vendosjes së eksplozivit.

“Nga hetimet paraprake, pistat që po hetohen është konflikti i vazhdueshme që kanë patur drejtuesit e kësaj fabrike me banorët e zonës, ku fillimisht i ka dëmshpërblyer për ndotjen e tyre e tani një pjesë të madhe të banorëve u është ndërprerë pagesa që merrnin për ndotjen”, - i thanë agjencisë NOA, burime nga grupi hetimor.

Po kështu drejtuesit e fabrikës kanë patur konflikte edhe me personat që pretendojnë se janë pronarë të tokës ku është e ndërtuar fabrika.

Ky është rasti i pestë që kjo fabrikë bëhet objekt shpërthimi të vendosjes së eksplozivi, ndërsa deri tani nuk ka asnjë të ndaluar.

a.b/e.t/NOA

KOMENTE