English

PS: Jemi në kontroll të plotë të procesit, dilni të votoni

Tiranë, 8 maj 2011, NOA – Deputetja socialiste Mimi Kodheli i bëri thirrje Policisë së Shtetit të kryejë detyrën në mbrojtje të procesit zgjedhor. Zëdhënësja e PS-së në daljen më të fundit publike nga selia rozë shprehu shqetësimin për incidentet e shfaqura në zona të ndryshme, duke ftuar policinë e shtetit të kryejë detyrën në zbatim të ligjit.

Partia Socialiste theksoi se përfaqësuesit e selisë rozë po kontrollojnë me imtësi procesin zgjedhor në mbarë vendin.

“Ne jemi në kontroll të plotë të procesit zgjedhor. Rastet kanë qenë disa dhe ne i kemi verifikuar në të gjithë territorin e Shqipërisë, raste që do t’i shënojmë në fund të procesit”, tha Kodheli.

Ajo i bëri thirrje qytetarëve të votojnë masivisht, e të qëndrojnë edhe në radhë për të votuar.

“Thirrja jonë për qytetarët është të dalin të votojnë, dhe të mos kenë frikë për të hedhur votën në kuti. Bëhuni pjesë e votimit duke zgjedhur për të ardhmen tuaj”, nënvizoi deputetja socialiste.

Në këtë kontekst ajo i kërkoi policisë të kapë autorin e ngjarjes ku u godit gazetari i TCH, duke i dhënë edhe emrin e autorit, Agim Toçilla.

mit/NOA

KOMENTE