English

PS lëshon thirrjen e fundit ndaj qytetarëve që të votojnë

Tiranë, 8 Maj 2011 NOA – Partia Socialiste, ka lëshuar rreth një orë para mbylljes zyrtare të qendrave të votimit thirrjen e fundit për shqiptarët që të hedhin votën për zgjedhjet lokale.

Megi Ajtyresa nga PS tha para pak çastesh se “përsërisim thirrjen tonë për të marrë pjesë në votim. Në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë”.

Ajo shtoi: “Posaçërisht për Tiranën lutemi që të bëhet durim për radhët e pazakonshme pasi janë katër fletë votimi dhe procesi është pak më i gjatë se zakonisht. Kush nuk ka votuar ende është i lutur ta bëjë sepse mbeten vetëm 75 minuta nga kufiri i orarit zyrtar. Trokisni në dyert e komshinjve, telefonojini çdo miku, kushëriri, të njohuri dhe ftojeni të votojë”.

Më tej Ajtyresa tha se “vota është fuqia që demokracia i jep qytetarit, çdo votë më shumë shton fuqinë vendimmarrëse të qytetarëve në demokraci”, duke shtuar se edhe disa minuta kanë mbetur “për tu bërë pjesë e vendimmarrjes për vitet që vijnë”.

“Mos harroni nëse duhet të mbani pak radhë, kjo tregon vetëm se vota juaj sot do të ketë më shuam forcë. Votoni të lirë, të qetë, pa asnjë merak. Vota është e fshehtë, askush nuk ua kontrollon dot atë dhe më mirë se kushdo ju e mbroni votën tuaj duke marrë pjesë në votim nga veriu në jug të atdheut tonë që sot pret votën tuaj si kontributin më të rëndësishëm për veten, familjen, vendin”, - ishte thirrja në formë këshille e PS, si përpjekje për të marrë sa më shumë vota për zgjedhjet e sotme.

e.t/NOA

KOMENTE