English

Rrumbullaku: Policia e Shtetit, e vendosur për të ruajtur zgjedhjet

Tiranë, 8 Maj 2011 NOA/ Përmbledhje – “Policia e Shtetit është e vendosur dhe ka marrë të gjithë masat për të përmbushur detyrat dhe përgjegjësitë e saj institucionale, për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore, 8 Maj 2011”.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, z. Muhamet Rrumbullaku doli para mediave ku foli gjatë mbi masat e marra nga Policia e Shtetit për garantimin e rendit publik gjatë procesit zgjedhor, 8 Maj 2011

Ai tha edhe se në shërbim të komunitetit, Policia e Shtetit garanton liritë dhe të drejtat e qytetarëve, të cilat qëndrojnë në themel të një shoqërie demokratike.

Rrumbullaku siguroi se Policia e Shtetit në përmbushje të misionit saj ka marrë të gjitha masat tekniko organizative për sigurimin e rendit dhe qetësisë publike para, gjatë, dhe pas procesit zgjedhor, me qellim krijimin e një mjedisi të sigurt për ushtrimin e të drejtës së votës nga të gjithë votuesit”.

Standardet e policimit gjatë proceseve zgjedhore të mëparshme, të cilat janë vlerësuar nga faktori brenda dhe jashtë vendit, si dhe organizmat ndërkombëtare, nuk do të cenohen në asnjë moment, - ka theksuar Rrumbullaku.

Detajet e planit policor

Planifikimi dhe realizimi i veprimtarisë së Policisë së Shtetit, për përmbushjen me sukses të detyrave dhe përgjegjësive institucionale gjatë këtij procesi zgjedhor është ndarë në 4 faza, përkatësisht:

Faza e parë: Parazgjedhore (përgatitore)

Faza e dytë: Sigurimi i rendit gjatë Fushatës zgjedhore

Faza e tretë: Sigurimi i rendit gjatë ditës së votimit

Faza e katërt: Sigurimi i rendit gjatë procesit të numërimit të votave

Gjatë fazës përgatitore veprimtaria e Policisë së Shtetit në shkallë vendi u fokusua në:

Përgatitjen e akteve administrative të nevojshme për strukturat vendore dhe qendrore të policisë, planifikimin e detyrave të tjera për fazat e mëvonshme të procesit zgjedhor, (program pune, plane masash, urdhra të Drejtorit të përgjithshëm, letër-porosi dhe tërheqje vëmendje).

Trajnimin e 6327 punonjësve të policisë, të cilët në bazë të Kodit Zgjedhor do të ngarkohen me detyra gjatë procesit zgjedhor, në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së, Misionin “PAMECA III”, Programin “ICITAP”, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorinë e Përgjithshme, nga këto:

96 punonjës policie të nivelit të Lartë, të Mesëm dhe të Parë Drejtues,

120 punonjës policie të nivelit të parë drejtues, të cilët kanë kryer rolin e trajnuesit pranë drejtorive të policisë së qarqeve dhe komisariateve të policisë për trajnimin e të gjithë punonjësve të policisë që do të angazhohen me detyra gjatë procesit zgjedhor.

6111 punonjës policie të nivelit të parë drejtues dhe të nivelit zbatues, efektiv të strukturave të drejtorive të policisë së qarqeve, drejtorive rajonale të kufirit & migracionit dhe të policisë rrugore.

Përgatitjen e materialit “Kujtesë” (Libri i Xhepit) me detyrat e Policisë së Shtetit gjatë procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore, 8 Maj 2011 dhe në bashkëpunim me Prezencën e OSCE janë prodhuar 7000 copë, të cilat i janë shpërndarë punonjësve të policisë të angazhuar me detyra zgjedhore.

Bashkëpunimin me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për caktimin e një koordinatori të KQZ për komunikim me Policinë e Shtetit në nivel qendror dhe në nivel vendor për të gjithë KZAZ dhe KQV, si dhe për:

Vënien në dispozicion të listave të objekteve zgjedhore me vendndodhjen e tyre.

Marrjen në ruajtje të objektit ku prodhohen fletët e votimit dhe materialet e tjera zgjedhore.

Si vajti fushata

Ndërkohë gjatë fazës së dytë, fushatës zgjedhore, e cila përfundoi ditën e premte, veprimtaria e Policisë së Shtetit u përqendrua në;

Planifikimin e zbatimit të masave dhe të shërbimeve policore, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të aktiviteteve elektorale nga subjekte të ndryshme politike për garantimin e të drejtës se çdo shtetasi për të ushtruar të drejtën për t’u shprehur, grumbulluar e tubuar.

Riplanifikimin e shërbimeve të policisë, me qëllim shtimin e prezencës se policisë në territor, për rritjen e sigurisë publike, parandalimin e veprimtarisë kriminale që lidhet drejtpërdrejt me procesin zgjedhor, si dhe të veprave të tjera penale.

Bashkëpunimin me të gjithë subjektet politike, për tu njohur me kalendarin e aktiviteteve, si dhe për mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve.

Ngritjen dhe funksionimin e Grupeve të Koordinim & Drejtimit të shërbimeve policore, gjatë procesit zgjedhor në komisariatet e policisë, drejtoritë e policisë në qarqe, si dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Zhvillimin të takimeve të punës në nivel qendror dhe vendor për të trajtuar rolin dhe përgjegjësitë e Policisë së Shtetit, në funksion të përmbushjes së detyrave institucionale, për garantimin e rendit publik gjatë gjithë procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore, 8 Maj 2011.

Masa speciale për 8 majin

Planifikimin e masave të veçanta për ruajtjen dhe sigurimin e vendeve të Numërimit të Votave nëpërmjet:

Bashkëpunimit me KZAZ-të për të disiplinuar hyrjen e personave në VNV në përputhje me kërkesat e Kodit zgjedhor.

Njohjes së plotë të objektit zgjedhor që shërben si VNV, përcaktimin e numrit të domosdoshëm të punonjësve të policisë, për ruajtjen he sigurimin e këtyre objekteve zgjedhore.

Objekti zgjedhor që me Vendim të KQZ-së është përcaktuar si Vend i Numërimit të Votave, konsiderohet si objekt i rëndësisë së veçantë dhe me këtë rast u bëjmë thirrje të gjithë personave të paautorizuar të shmangin përpjekjet për të hyrë në ambientet e VNV-ve pasi nuk do të lejohen të hyjnë pavarësisht nga statusi që kanë.

Gjithashtu gjatë kësaj faze janë marrë masa dhe në drejtim të;

Plotësimit në kohë të nevojave për burime materiale, financiare, transportit dhe mjete të tjera të nevojshme për përmbushjen plotësisht të detyrave të policisë gjatë këtyre zgjedhjeve.

Sigurimit dhe mbajtjes së kontakteve të vazhdueshme me komunitetin dhe median, për realizimin e transparencës së punës të policisë gjatë gjithë periudhës zgjedhore.

Hartimit në kohë të listave të punonjësve të policisë që do të angazhohen me detyra zgjedhore (për ruajtjen e objekteve zgjedhore, shoqërimin e materialeve të votimit, ndërhyrjen për vendosjen rregullit dhe të rendit publik në Qendrat e Votimit dhe në VNV), si dhe dërgimin për dijeni pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Realizimit e shoqërimit të materialeve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për në KZAZ.

Ndërkohë duke filluar nga data 03. 05. 2011 janë marrë në ruajtje nga strukturat e policisë të gjithë objektet ku janë vendosur KZAZ-të.

Për përmbushjen e detyrave për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve zgjedhore në dispozicion të drejtorive të policisë së qarqeve Elbasan, Dibër, Fier, Gjirokastër, Lezhë, Shkodër dhe Berat, janë vënë punonjës të policisë të strukturave të kufirit & migracionit, të policisë rrugore, të Repartit të Sigurisë së Brendshme dhe Ceremonialit dhe të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë. Në këtë kontekst 1252 punonjës policie të shërbimeve të kufirit dhe migracionit si dhe të policisë rrugore do të angazhohen brenda juridiksionit të tyre territorial, ndërsa rialokohen në shërbim të drejtorive të policisë në qarqe dhe 726 punonjës policie nga të cilët:

Nga Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë – 502 punonjës policie.

Nga Njësia për Kontrollin e Autostradave – 72 punonjës policie.

Nga Reparti i Sigurisë Brendshme dhe Ceremonialit – 131 punonjës policie.

Nga Qendra e Formimit Policor – 21 punonjës policie.

Për lëvizjen e tyre si dhe për të garantuar të drejtën e tyre për të votuar në bashkëpunimin me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë janë vënë në dispozicion 26 mjete transporti (autobusë).

Për ditët në vazhdim Policia e Shtetit ka kaluar në shërbim të përforcuar për të bërë të mundur përballimin me sukses të procesit zgjedhor.

Çfarë do të bëhet nga e diela

Veprimtaria e Policisë së Shtetit nga e diela dhe në ditët në vijim do të fokusohet në përmbushjen e detyrave institucionale për:

Marrjen në ruajtje të Qendrave të Votimit, proces i cili fillon gjatë ditës së sotme, nga momenti kur në KQV mbërrijnë materialet zgjedhore, deri në momentin kur KQV-ja fillon veprimet paraprake për çeljen e votimit.

Dhënien e ndihmës për rivendosjen e rregullit dhe të rendit publik në Qendrat e Votimit, në rastet e kërkesës së ligjshme të Komisioneve të Qendrave të Votimit.

Shoqërimin e materialeve të votimit nga Qendrat e Votimit për në Vendet e Numërimit të Votave.

Marrjen në ruajtje dhe sigurimin e Vendeve të Numërimit të Votave.

Kryerjen e veprimeve procedurale për të gjithë ngjarjet /incidentet që mund të ndodhin gjatë procesit zgjedhor, duke bashkëpunuar me prokuroritë e rretheve gjyqësore.

Menaxhimin e situatave që mund të krijohen në ambientet jashtë Vendeve të Numërimit të Votave,

Dhënien e ndihmës për rivendosjen e rregullit dhe të rendit publik në Vendet e Numërimit të Votave, në rastet e kërkesës së ligjshme të KZAZ,

Shoqërimin e materialeve zgjedhore nga Vendet e Numërimit të Votave për në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në përfundim të procesit zgjedhor.

Si dhe Garantimin e rendit publik në të gjithë territorin e vendit.

Për ditën në prag të zgjedhjeve Policia e Shtetit mori përsipër ruajtjen e KZAZ-ve dhe Qendrave të Votimit gjithsej 5. 160 punonjës policie.

Shërbimet e policisë filluan marrjen në dorëzim të objekteve zgjedhore ditën e shtunë pas orës 18. 00’ në të gjithë territorin e vendit.

Strukturat e Policisë së Shtetit për të përmbushur me sukses përgjegjësitë institucionale gjatë gjithë fazave të procesit zgjedhor ka hartuar plane masash me detyra konkrete për të shërbimet dhe punonjësit e policisë.

Rrumbullaku tha në daljen për media se Policia e Shtetit do të punojë me përkushtim dhe profesionalizëm për përmbushjen e përgjegjësive institucionale, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë këtij procesi zgjedhor, me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të sigurt në të gjithë territorin e vendit, në funksion të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.

Në përfundim ai u bëri thirrje “të gjithë qytetarëve, subjekteve elektorale dhe përfaqësuesve të tyre që të krijojnë kushtet për punonjësit e Policisë së Shtetit për të përmbushur me sukses detyrimet ligjore me qëllim sigurimin dhe mbarëvajtjen e gjithë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhor”.

e.t/NOA

KOMENTE