English

Topi-Volfart në Petrelë, mesazhi i plotë

Tiranë, 8 maj 2011, NOA – Pas votimit në qendrën e votimit e vendosur pranë shkollës “Servete maçi” në Tiranë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi bashkë me Kreun e Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Volfart i kanë bërë apel në orët e mesditës qytetarëve shqiptarë që të marrin pjesë sa më masivisht në votime, ndërkohë që kanë apeluar edhe për një proces të qetë zgjedhor, dhe administrim korrekt të rezultateve. Dy personalitetet folën nga kalaja mesjetare e Komunës së Petrelës, pasi u takuan me banorë të zonës.

Si presidenti edhe ambasadori Volfart nënvizuan rëndësinë e këtyre zgjedhjeve dhe përfundimin me sukses të tyre.

Më tej lexoni prononcimin e plotë të presidentit Topi dhe ambasadorit Volfart.

Zoti Topi, me çfarë lidhet kjo vizitë e juaja sot në Petrelë? Është një ditë zgjedhjesh? Presidenti Topi: Pak më parë isha me Drejtorin Ekzekutiv të OSBE/ODIHR-it, shoqëruar nga Ambasadori Volfart, dhe tani do shijojmë së bashku një premtim që unë e kam dhënë kohë më parë për të vizituar një nga vendet më interesante që është afër Tiranës, është Petrela me kalanë e vet, është një vend historik. Tirana, sikurse e dinë të gjithë, rrethohet nga disa kështjella, që kanë pasur një komunikim shumë interesant me njëra-tjetrën, nëpërmjet sinjalistikës, qysh në kohët e Mesjetës.

Me Ambasadorin, kemi ndarë gjatë këtyre muajve, jo vetëm një bashkëpunim shumë të frytshëm, - dëshiroj ta falenderoj për këtë bashkëpunim, - por natyrisht që jeta nuk është vetëm politikë. Sot zhvillohen zgjedhje dhe ne po e ndjekim me shumë kujdes. Kemi inkurajuar të gjithë që të marrin pjesë në votime, ta përjetojnë këtë ditë si një ditë feste, absolutisht larg çdo lloj intensioni për të provokuar incidente, por si një ditë feste, një ditë normale, një ditë pranvere, dhe kjo është arsyeja që së bashku me Ambasadorin kemi ardhur këtu në Petrelë, edhe për ta relaksuar disi këtë moment, por edhe për të dhënë nga një pozicion që është sa historik, por dhe kulturor, nga ku shihet një pjesë shumë e rëndësishme, jo vetëm e Tiranës, por edhe e komunave të tjera, që kjo ditë të kalojë ditë e gëzueshme, ditë e qetë, dhe u uroj padyshim, të gjithë shqiptarëve, që në përfundim të këtij procesi, të kenë bërë një hap pozitiv drejt progresit demokratik dhe drejt një standardi më të mirë që do të na afrojë me vendet e Bashkimit Evropian.

Zoti President, tema e ditës janë zgjedhjet dhe ne sigurisht që na takon që të bëjmë pyetje për zgjedhjet. Nuk e di, në qoftë se jeni njohur me deklaratën që dha pak më parë, pasi ka votuar, dhe kandidati i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke thyer kështu Kodin Zgjedhor, duke kërkuar votën e zgjedhësve ndaj tij. A ju duket kjo si një shkelje e ligjit dhe e thyerjes së heshtjes elektorale? Keni një koment tuajin?

Presidenti Topi: Ju e dini që unë kam qenë gjithmonë i hapur dhe nuk jam i impresionuar nga çdo lloj veprimi, kam folur fare hapur. Kam qenë në udhëtim, ndonëse jam i pajisur me mundësinë për të marrë informacionin korent. Nuk e kam ndjekur për fat të keq. Gjithsesi, ne flasim në parim, në princip. Unë dëshiroj që kjo ditë të shkojë jashtë çdo lloj deklarate që do të bënte të mundur rritjen e tensionit. Dëshiroj që të gjithë palët, të gjithë kandidatët, por do të doja ta thoja dhe për mediat, të mos i japim shumë rëndësi episodeve të vogla, sepse konstatoj herë pas here që episodet e vogla nganjëherë hiperbolizohen dhe bëhen çështje të një debati shumë të ashpër edhe në studio. Jepini rëndësi asaj që është më e rëndësishmja, pra, pjesëmarrjes masive, ruajtjes së integritetit të këtij procesi dhe është shumë e rëndësishme që qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje dhe të jenë të paintimiduar. Të mos ketë asnjë lloj presioni. Qytetarët shqiptarë janë mbas 20 vitesh demokraci dhe kanë koshiencën e duhur qytetare për të marrë pjesë dhe për ta orientuar votën aty ku ata dëshirojnë. Nuk mendoj që qytetarët do të ndryshojnë mendim në sekondën e fundit. Secili ka bindjen e tij, orientimet e tij, dhe uroj që të gjithë t’i kontribuojnë këtij procesi, pa marrë parasysh emra të veçantë.

Megjithatë, besoj, zoti Topi se keni një mesazh përsa i përket njohjes së rezultateve të kandidatëve dhe kryetarëve të partive politike pas 8 majit? Presidenti Topi: Unë e kam thënë dhe përpara, mesazhet e mira jepen në kohën e duhur, por asnjëherë nuk është vonë për ta ripërsëritur atë që unë e kam thënë vazhdimisht. Demokracia të jep mundësi që të marrësh pjesë, të jesh pjesëmarrës, të lejosh një proces të lirë dhe të padeformuar, dhe në fund fare, rregulli i demokracisë do që përgëzohet fituesi dhe rezultati pranohet. Një rezultat i pranuar jep garanci që proceset demokratike, pas zgjedhjeve, do të vazhdojnë të kenë progres dhe organet e reja që do të zgjidhen, që do të rinovohen, qoftë për kryetarë bashkish dhe komunash, por edhe për këshillat bashkiakë komunalë, sepse zakonisht flitet vetëm për kandidatët dhe nuk flitet për këshillat. Të ushtrojnë veprimtarinë e tyre që Shqipëria vërtet të jetë, sikurse ne e ëndërrojmë, një vend me standarde evropiane, në të gjitha këndvështrimet. Qytetarët kanë nevojë të administrojnë jetën e tyre nëpërmjet këtyre instrumentave ligjorë dhe kushtetues dhe ta shtensionojmë situatën, sepse çdo ditë flasim, flasim, flasim debate pafund për politikën. Mbas zgjedhjeve, jeta duhet të hyjë në normalitet, për të pritur pastaj zgjedhjet e radhës. Zoti Volfart, si e keni parë gjithë procesin e votimit të ditës së sotme? Ka patur disa raste sporadike të problemeve që janë shfaqur në qendrat e votimit. Si e keni parë, dhe nga të dhënat tuaja, si është situata në të gjithë vendin? Ambasadori Volfart: Atëherë, unë jam i lumtur në fakt që kemi të pranishëm ODIHR-in me shumë vëzhgues, të cilët do të na japin patjetër këndvështrimin e tyre të pavarur. Nga sa kemi parë, zgjedhjet kanë filluar rregullisht në shumicën e qendrave të votimit në orën 07.00, dhe ne presim të kemi përpara një ditë të qetë. Jam i lumtur që jam bashkuar sot me Presidentin, dhe i bashkohem mesazhit të tij për të gjithë qytetarët shqiptarë që nuk kanë votuar deri tani, ta bëjnë këtë.

Atëherë, siç e shihni, është një ditë shumë e bukur pranverore. Është ditë e mirë jo vetëm për të votuar, por është një ditë e bukur për ta shijuar atë me familjet tuaja, dhe unë do ju ftoja që pikërisht këtë të bëni pas votimit. Unë në fakt respektoj të gjithë komisionerët që janë në krye të detyrës sot. Madje do të doja t’i përshëndesja ata dhe Policinë që është duke i ofruar një shërbim qytetarëve, një shërbim i cili nuk do të mbarojë në orën 07.00 të mbrëmjes. Ai do të vazhdojë me procesin e numërimit, i cili është po aq i rëndësishëm sa ai i votimit.

Unë do të doja të mos harroni gjithashtu që kemi shumë ndërkombëtarë, që janë duke vizituar vendin këto ditë dhe dua ta shihni këtë si një mundësi që këta ndërkombëtarë të flasin për imazhin e mirë të këtij vendi, të flasin për këtë vend kaq mikpritës, të flasin për këtë vend kaq të bukur. Dhe do të doja ta konsideronit këtë pikërisht si një kartë biznesi.

Zoti Volfart, megjithatë ndërkombëtarët e kanë cilësuar 8 majin si një ditë kur është në provë Shqipëria, përsa i përket demokracisë së saj dhe procesit zgjedhor. A mendoni se deri në këto momente po realizohet ky proces?

Ambasadori Volfart: Atëherë, le të presim për ODIHR-in, derisa ata të japin vlerësimet e tyre, përfundimet e vëzhgimeve të tyre. Dita vazhdon dhe besoj që janë pikërisht ata që duhet ta japin këtë vlerësim.

Çfarë mesazhi keni, zoti Volfart, për klasën politike shqiptare?

Ambasadori Volfart: Atëherë, mesazhi që unë kam për klasën politike është që të tregojnë vërtet aftësi lidershipi dhe të pranojnë rezultatet e këtij procesi zgjedhor, ashtu sikurse pres që edhe qytetarët të votojnë të lirë, në mënyrë të hapur, por ajo që do të prisja më shumë është pikërisht nga politikanët, të pranojnë rezultatet e këtij votimi.

NOA

KOMENTE