English

Zëdhënësja e PS: Të burgosurit po votojnë jashtë qelive

Tiranë, 8 Maj 2011 NOA - Sipas informacioneve që disponon Partia Socialiste dhe sipas filmimeve të transmetuara në media, në qendrën e votimit 1770 në shkollën Xhezmi Delli kanë votuar të burgosur të cilët janë shoqëruar aty me një furgon të policisë së burgjeve.

Kjo ishte vërejtja më e re e Zëdhënëses së PS, Mimi Kodheli e cila më konkretisht tha se furgoni i policisë së burgjeve që në shkelje të hapur të ligjit ka shoqëruar të burgosurit për të votuar ne këtë qendër votimi ka pasur targën P 19 N.

“Kemi po ashtu informacione se votimi i të burgosurve ka ndodhur edhe në qendra të tjera votimi dhe këto raste po dokumentohen”, - tha Kodheli.

Sipas saj, këto veprime të Policisë së Burgjeve janë krejtësisht të jashtëligjshme: “Ne disponojmë të dhëna të plota për emrat e personave, punonjës së Policisë së Burgjeve që janë përfshirë në këtë operacion. Të gjithë këta persona do të denoncohen në përputhje me ligjet në fuqi”.

Kodheli tha se kjo situatë është krejtësisht e patolerueshme pasi bëhet fjalë për një implikim të drejtpërdrejtë të strukturave të shtetit, më konkretisht të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit në cënimin e procesit zgjedhor.

Ajo vuri në dukje se këtu nuk bëhet fjalë për individë të veçuar por për të burgosur që shoqërohen nga policia për të votuar.

“Ne ju bëjmë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë të shkojnë në numra sa më të mëdhenj për të votuar. Ne ju bëjmë thirrje qytetarëve që të shkojnë për të votuar sa më shpejt dhe mos ta lënë votimin për limitet e fundit kohore”, - tha Kodheli.

“I ftojmë qytetarët që të tregojnë durim edhe pse mund të ketë radhë, edhe pse procesi mund të vonojë pak, sepse ushtrimi i të drejtës së votës është me rëndësi jetike për të gjithë shqiptarët”, theksoi Kodheli.

e.t/NOA

KOMENTE