English

Topi në Turqi, për konferencën e OKB

Tiranë, 9 maj, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir do të marrë pjesë në Konferencën e 4-t të Kombeve të Bashkuara mbi Vendet më pak të Zhvilluara, e cila do të mbahet në Stamboll, në datat 9-13 maj 2011.

Në këtë Konferencë, ku janë të ftuar krerë shtetesh e qeverish të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, do të diskutohet për potencialet, realizimet dhe sfidat e vazhdueshme të vendeve në zhvillim, duke sjellë në vëmendje edhe mangësitë e dobësitë e vërejtura kryesisht në sektorin ekonomik e atë infrastrukturor.

Duke u bazuar në Programin e Veprimit të miratuar në Konferencën e 3-të, dhjetë vjet më parë, drejtuesit e Konferencës por dhe të vendeve pjesëmarrëse, do të shqyrtojnë hapat e mundshëm e të rekomandueshëm me qëllim rritjen ekonomike dhe zhvillimin e mëtejshëm të vendeve më pak të zhvilluara.

Presidenti Topi do t’i drejtohet punimeve të Konferencës me një fjalim, ku do të vlerësojë ndihmesën e vazhdueshme të Kombeve të Bashkuara në përparimin social e ekonomik të vendeve më pak të zhvilluara, si dhe do të evidentojë arritjet, ambiciet e sfidat e shtetit shqiptar për fuqizimin e gjithanshëm të vendit, përpjekjet për përmirësimin e urave të bashkëpunimit midis Shqipërisë e vendeve të Rajonit Ballkanik e më gjerë, për realizimin e projekteve madhore dhe ato në fushën e energjitikës, mjedisit, infrastrukturës, etj.

Gjithashtu, Kreu i Shtetit shqiptar, gjatë qëndrimit në Stamboll, do të zhvillojë takime të veçanta me homologun turk, Presidentin Abdullah Gyl, si dhe me Kryeministrin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdoan dhe pritet të takojë e të përshëndetet edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun si dhe me shumë kryetarë të tjerë shtetesh e qeverish.

Punimet e Konferencës do të mbyllen me miratimin në fund të saj të ‘Programit të Veprimit të Stambollit’, i cili do të synojë përtërirjen e bashkëpunimit të gjithanshëm, duke marrë në konsideratë përparimet e vendeve më pak të zhvilluara në veçanti, por dhe ato në nivel global në tërësi.

NOA

KOMENTE