English

Policia: Zbulohet një linjë e trafikimit të drogës në kryeqytet

Tiranë, 10 maj 2011, NOA – Policia e Tiranës falë hetimit të një shpërndarësi droge në Tiranë arriti të zbulojë linjën e trafikimit të drogës kryesisht në zonat e Xhamllikut, Brrylit, Kinostudios, Babrrusë e të tjera zona në kryeqytet. Përmes një operacionit policor efektivët e policisë së kryeqytetit sekuestruan sot 1 kg e 700 gram lëndë narkotike Cannabis Sattiva, si dhe kapën poseduesin dhe shpërndarësin e saj.

Sipas policisë së Tiranës sasia e drogës prej 1 kg e 700 gram Cannabis Sattiva ishte e ndarë në pako.

Policia e Tiranës theksoi se kapja e shpërndarësit të drogës 28-vjeçarit Kastriot Frrok Likaj, u arrit falë një hetimi disa mujor dhe arrestimi tij në flagrancë u krye në afërsi të Xhamllikut në Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasia prej 1 kg 700 gram lëndë narkotike e llojit Cannabis Sattiva, disa telefona celular, një automjet tip Audi 80 me targa TR 6015, si dhe një sasi parash.

I arrestuari Kastriot Likaj akuzohet për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike në bashkëpunim.

mit/NOA

KOMENTE