English

Vetëvendosje: Qeveria e Kosovës, luks e shpenzime kur qytetari varfërohet

Prishtinë, 11 maj 2011, NOA- Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti në një deklaratë për mediat, deklaroi se qeveria e Kosovës është qeveria e shpenzimeve.

Pas analizës së bërë në, raportin e shpenzimeve buxhetore për vitin 2010, raportin e shpenzimeve të tremujorit të parë të vitit 2011, power-point plani Bansko, si dhe vendimeve të fundit të qeverisë në fushën e ekonomisë dhe financave, Ahmeti u shpreh se fatkeqësisht paratë që mund të përdoren për zhvillimin e Kosovës i shpenzon kot në luksin e panevojshëm qeveritar.

“Në vetë rishikimin funksional, studimin që qeveria vetë e ka përgatitur me ndihmën e DFID, mund ti vëreni rekomandimet që kanë dalë. Kosova sipas këtij raporti në qeverinë Thaqi një ka pas shumë ministri, krahasuar me shtetet me numrin e njëjtë të banorëve, Estoninë, me 11 ministri, Slloveninë me 16, Finlandën me 12, Kosova kishte dukshëm më shumë ministri me 18. Një Kryeministër, gjashtë zv. Kryeministra, 30 zv. Ministra, dhe rreth 120 këshilltarë. Vetëm pagat e tyre pa marrë parasysh edhe shpenzimet e tjera që çdo ministri bart me vete, ka një kosto vjetore prej më shumë se 2 milion euro.

Në vitin 2010, janë shpenzuar më shumë se 7 milion euro në udhëtime zyrtare, edhe pse rezultatet nga këto vizita kanë qenë të mangëta. Sa për krahasim në vitin 2010, kemi dhënë dikund rreth 4 milion euro subvencione për bujqësi, pra dy herë më shumë para në shpenzime të udhëtimit”, deklaroi përfaqësuesi i Vetëvendosjes në fjalën e tij për mediat.

Sakaq ai shtoi se, sa më i varfër po bëhet qytetari i Kosovës, aq më luksoze janë bërë veturat qeveritare, pasi tha Ahmeti, vetëm në vitin 2010, janë shpenzuar rreth 18 milion euro në derivate dhe lëndë të tjera djegëse.

Më tej ai shtoi se ajo që i ka tejkaluar edhe përmasat e racionales është fakti tani, secili këshilltar ka veturën e tyre në përdorim.

Në përfundim Ahmeti theksoi: “Cilësia e makinës nuk e bën më të fortë funksionalitetin e një shteti. Përkundrazi, veturat e shtrenjta, të blinduara, me xhama të zi veçse e forcojnë bindjen se kjo qeveri e ka humb kontaktin me qytetarin dhe realitetin”.

a.y/NOA

KOMENTE