English

KE, propozim për rikthimin e vizave për Serbinë dhe Maqedoninë

Bruksel, 12 maj, NOA - Komisioni Evropian (KE) ka një propozim për pezullimin e liberalizimit të vizave për Maqedoninë dhe Serbinë dhe se Parlamenti Evropian ka shprehur shqetësime se ky mekanizëm mund të miratohet pa konsultimin e tyre.

Evrodeputetja Tanja Fajon, raportuesja për heqjen e vizave për Ballkanin deklaroi për Deutsche welle se situata është alarmante për shkak të fluksit të madh të emigrantëve nga Serbia dhe Maqedonia që kërkojnë të drejtën e azilit në Belgjikë, Suedi, Luksemburg dhe vende të tjera anëtare të BE-së.

Nga ky shqetësim i madh, Belgjika është vendi i parë që kërkoi mekanizma për të parandaluar fluksin e emigrantëve, duke aplikuar edhe masën e suspendimit dhe rikthimit të vizave.

"KE ka përgatitur propozim për aplikimin e mekanizmit për suspendimin e regjimit të vizave. Ky propozim është nxjerrë në tryezë për herë të parë dhe andaj situata është shumë alarmante", deklaroi Fajon për Deutsche Welle.

Vendimi i tillë vjen edhe pas valës së madhe të emigrantëve nga Afrika Veriore dhe Azia, pasi që disa vende nga këto kontinente u përfshinë në trazira dhe luftëra.

Ajo apeloi që autoritetet në Serbi dhe Maqedoni të marrin masa për të ndaluar fluksin e qytetarëve, kryesisht numri më i madh i tyre i takojnë pakicave, për të kërkuar azil në Evropë. "Kemi informacione se ka disa rrjete të organizuara të njerëzve që merren me trafikimin e paligjshëm të njerëzve dhe i sjellin në vendet e BE-së dhe zonën Shengen. Këto janë informacione shumë serioze dhe alarmante", theksoi Fajon.

Ajo ka shprehur shqetësimin se propozimi i tillë për mekanizmin për suspendimin e liberalizimit të vizave mund të miratohet nga Komisioni Evropian pa u shqyrtuar nga Parlamenti Evropian.

"Unë jam e shqetësuar nga kjo. Sot do të kem takim me komisioneren për punë të brendshme, Malstrom, për shkak se nuk jemi njohur me mekanizmin e përgatitur nga KE dhe afatet se sa do të aplikohet ai. Shqetësues është fakti se dy tre vende të BE-së që kanë probleme me azilkërkuesit të aplikojnë masën e suspendimit të liberalizimit, dhe se përgjegjësia mbi këtë situatë do të bie mbi politikanët në Maqedoni", deklaroi raportuesja e PE-së për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon, duke shtuar se ky vendim nuk do të ishte i mirë për qytetarët e Maqedonisë dhe Serbisë.

E pyetur se çfarë duhet të bëjnë autoritetet maqedonase për të ndaluar fluksin e azilkërkuesve, Fajon theksoi se duhet të plotësohen kushtet e vendosura të liberalizimit të vizave që ishin plotësuar në vitin 2009. "Kemi realizuar shumë bisedime dhe Maqedonia duhet ti plotësojë të gjitha kushtet. Ato kushte u plotësuan në vitin 2009, por punët akoma nuk janë kryer. Maqedonia duhet edhe më tej të punojë në respektimin e kushteve. Njerëzit duhet të kenë të qartë se çka nënkupton liberalizim i vizave, duhet të ndërpritet kriminaliteti dhe të garantohet siguria në kufijtë e vendit", theksoi Fajon.

Ai theksoi se e ka të qartë se azilkërkuesit nga Maqedonia dhe Serbia ndërmarrin veprime për të ikur jashtë vendit, për shkak të gjendjes së rëndë sociale dhe ekonomike, sidomos të komunitetit rom, të cilët janë azilkërkues në vendet e BE-së.

"Njerëzit që kërkojnë azil, duan mundësi për jetë më të mirë dhe është me rëndësi që të përmirësohet situata e tyre për të mbetur në vendet e tyre dhe të kenë kushte për një jetë më të mirë. Kjo do të ishte në dobi për ta për të ngelur në vendin e tyre. Kjo nënkupton se duhet të ndahen më shumë para për ta", theksoi evrodeputetja Fajon. Ndërkohë, kryetari i grupit të Partive Popullore në Parlamentin Evropian, evrodeputeti Zhozel Dol kërkoi që të mos hiqet liberalizimi i vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ai kundërshtoi çdo lloj mekanizmi.

NOA/INA

KOMENTE