English

Vëzhguesit: Femra rreth 50% përfaqësi, si kandidate, votuese e komisionere

Tiranë, 12 maj 2011, NOA- Në raportin paraprak për vëzhgimin e ditës së zgjedhjeve, më 8 maj, forumi i Vëzhguesve Vendorë për monitorimin e pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në zgjedhje, vuri re se në zonat e monitoruara prej tij, procesi i votimit ditën e zgjedhjeve u zhvillua në kushte normale.

Në deklaratën e dhënë për mediat, forumi vlerëson faktin që KQZ për herë të parë paraqet të dhënat statistikore të pjesëmarrjes së grave dhe vajzave në votime në të gjithë vendin.

Nga këto të dhëna rezulton se pjesëmarrja në të gjithë vendin e grave dhe vajzave në votim është 50.2 për qind.

Përqindje të tilla raportojnë edhe vëzhguesit e Forumit, kështu në 33 qendra votimi të monitoruara në qarkun Shkodër pjesëmarrja e grave e vajzave vlerësohet në rreth 50-52 për qind, në Kukës rreth 50 për qind, në bashkinë e Gjirokastrës rreth 50 për qind dhe në zonat rurale rreth 43-45 për qind, në qarkun e Elbasanit në 41 qendra votimi të monitoruara 47-49 për qind.

Sipas forumit, përqindje të ulët të kësaj pjesëmarrje, rreth 28-30 për qind, raportojnë vetëm vëzhguesit që monitoruan qendrat e votimit në zonat rurale të rrethit të Tiranës, komunat Baldushk, Kashar, Bathore e Farkë.

Forumi monitoroi përfaqësimin e grave dhe vajzave në komisionet e Qendrave të Votimit. Ky monitorim tregon se kuota prej 30% e gjinisë më pak të përfaqësuar është plotësuar në rreth 9.4 për qind nga 312 qendrat e votimit të monitoruara.

Theksohet se në rreth 31,3 për qind të këtyre qendrave, në komisione nuk kishte asnjë grua ose vajzë dhe në rreth 59,3 për qind të tyre, në këto komisione kishte të paktën një anëtare grua ose vajzë.

Vëzhguesit e Forumit raportuan se fenomeni i “votimit familjar” dhe “votimit në grup” vazhdon të shfaqet, por vërehet një rënie e ndjeshme në raport me zgjedhjet e kaluara (në 20% të rasteve).

Objektivi kryesor i Forumit në vëzhgimin zgjedhjeve ishte të vlerësonte dhe të analizonte pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në zgjedhjet e 8 Maj-it 2011, si votuese, kandidate dhe administruese të procesit zgjedhor.

Forumi kishte 270 vëzhgues afatshkurtër dhe 55 vëzhgues afatgjatë, në 312 qendra votimi në qarqet Kukës, Shkodër, Tiranë, Elbasan, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër gjatë gjithë procesit të votimit, deri në përfundimin e tij.

a.y/NOA

KOMENTE