English

Beteja për Tiranën “mban frymën” te njësia bashkiake 5

Tiranë, 13 maj 2011, NOA – Gara për udhëheqjen e bashkisë së Tiranës për mandatin e ardhshëm katër-vjeçar e ka ndalur frymën pikërisht në njësinë bashkiake nr. 5, apo KZAZ-në nr. 49, e vendosur pranë shkollës “Vasil Shanto”, e cilësuar si njësia që do të vendosë rezultatin e zgjedhjeve vendore të 8 majit për bashkinë e Tiranës.

Minibashkia nr. 5, e cilësuar një bastion i të majtës, dhe ku fitorja e Edi Ramës është çertifikuar për tre mandatet e parë me mijëra vota diferencë ndaj kandidatëve demokratë, është kthyer tashmë në vendin e përplasjes politike dhe të vendosmërisë për numërimin deri në votën e fundit.

Procesi i numërimit të votave këtu është tejet i ngadaltë.

Deri më tani janë numëruar 52 kuti nga 65 kutitë që përmbledh kjo zonë e Tiranës së re.

Deri më tani në njësinë nr. 5 kandidati i koalicionit të majtë “Aleanca për të Ardhmen” Edi Rama udhëheq garën me 4061 vota më shumë se kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha.

Rëndësinë e numërimit të votave në këtë zonë të kryeqytetit e theksoi edhe prania e madhe e vëzhguesve, por edhe vetë ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu, atij të OSBE-së Eugen Wollfarth dhe atij të Hollandës Van der Dol, të cilët vëzhguan nga afër në orët e mbrëmjes së të enjtes procesin e numërimit të votave në këtë njësi.

Por, tashmë kur procesi i numërimit të votave për kryebashkiakun e Tiranës dhe për këshillin bashkiak është drejt përfundimit në ditën e pestë të numërimit, mbeten për t’u numëruar edhe një numër i njëjtë kutish për kryetarët e njësive bashkiake të kryeqytetit dhe këshillin minibashkiak.

Megjithatë duke iu referuar rezultateve të deritanishme zyrtare nga 464 kuti ndër 485 kuti gjithsej që ka Tirana, ku kandidati Lulzim Basha kryeson me një rezultat të ngushtë prej 876 votash më shumë se Edi Rama, mund të thuhet se gara për Tiranën do të përmbyllet ndryshe nga herët e tjera, pra me një diferencë të vogël mes kandidatëve.

Kjo është risia e këtyre zgjedhjeve në Tiranë, një betejë numrash, ku fituesi do të marrë kreun e bashkisë me një numër të vogël votash kundrejt humbësit.

mit/NOA

KOMENTE