English

OKB për Kosovën: BE-ja kundër Rusisë, Kinës e Serbisë

SHBA, 13 maj, NOA - Nuk do të ketë paqe të qëndrueshme ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve nëse nuk mbahet një hetim lidhur me akuzat për trafikim të organeve të të burgosurve serbë në Kosovë, tha Vuk Jeremiç, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, mbrëmë vonë.

Vendet e Bashkimit Evropian janë të involvuara në një betejë të re me Rusinë, Kinën dhe Serbinë, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, lidhur me çështjen se a duhet këto akuza të hetohen nga misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë apo nga ndonjë organ tjetër me mandatin e OKB-së.

Duke e bërë në kërkesë të re për hetime nën mandatin e OKB-së, Vuk Jeremiç, tha se Serbia “nuk do të ndalet ose tërhiqet, derisa të zbulohet e vërteta e plotë se çka kishte ndodhur”.

Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zanier, i tha Këshillit të Sigurimit se “derisa këto akuza janë në pritje do të jetë edhe më vështirë që pajtimi të filloj”.

Ai theksoi se “hetimet e drejta dhe të pavarura”, janë çështje esenciale, por e ka mbështetur hetimin e lansuar nga misioni i BE-së në Kosovë, EULEKS.

Në takimin e mbrëmshëm të Këshillit të Sigurimit për Kosovën, Britania, Franca dhe Gjermania kanë argumentuar se misioni EULEKS ka kapacitet dhe juridiksion që të merret me këtë çështje.

Rusia iu bashkua aleatit të saj të afërt Serbisë, duke kërkuar mandat të Këshillit të Sigurimit për hetime.

Ambasadori rus në OKB, Vitalij Çurkin, tha se EULEKS-i kurrë nuk ka zhvilluar hetim të tillë.

“Ne jemi të bindur se kryerja e hetimit të detajuar të pavarur dhe të depolitizuar, do të jetë në interesin e ndërtimit të së vërtetës dhe të pajtimit”, tha Çurkin.

Kina e ka mbështetur kërkesën e Rusisë. Ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, theksoi pas takimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, se Serbia nuk ka pasur mbështetje të gjërë, të cilën e ka kërkuar.

NOA/RFE

KOMENTE