English

Terroristët hakmerren për Bin Laden, 87 të vdekur në Pakistan

Islamabad, 13 maj 2011, NOA – Hakmarrja për vrasjen e udhëheqësit terrorist Osama Bin Laden, përmes atentatit të dyfishtë të talebanëve kundër rojeve të kufirit në distriktin e Charsaddës në veri-lindje të Pakistanit ka rritur në 87 bilancin e viktimave, ndërkohë që numri i të plagosurve ka mbërritur në 100 vetë.

Lajmin e bëri publik televizioni pakistanez Ajj Tv, i cili i referohet deklaratës së Komandantit të Përgjithshëm të distriktit Akbar Hoti.

Ky sulm i dyfishtë për të marrë hakun e Osamës, u ndërmor nga organizata më e rëndësishme islamike klandestine e Pakistanit, shumë e afërt me Al Kaidën, e udhëhequr nga Baitullah Mehsud.

Masakra e rekrutëve, ku mori pjesë të paktën një kamikaz islamik, është cilësuar si e para përgjigje e terroristëve ndaj vrasjes së kryeterroristit të Al Kaidës, në 2 maj, nga një skuadër e veçantë e forcave ushtarake amerikane në strofullin e tij në Abbottabad të Pakistanit.

Sipas të dhënave aksioni terrorist u paralajmërua nga aleatët e Al Kaidës përmes një telefonate në një agjenci shtypi ndërkombëtare.

Duke iu referuar fakteve dhe shpërthimeve tejet të afërta me njëri tjetrin, mësohet se i pari shpërthim u krye nga një kamikaz me motoçikletë, i cili rrëshqiti me vrull pranë hyrjes së ndërtesës kundër rojeve të kufirit, në momentin kur prej këtij distrikti po dilnin një numër rekrutësh.

Vetëm një moment më vonë, bën me dije televizion Ajj, erdhi edhe shpërthimi i dytë dhe përfundimtar, që la të vdekur rekrutët.

Shefi i policisë së distriktit të Charsaddës, Nisar Khan Marwat tregoi se rekrutët ishin të tërë të veshur civilë, dhe po dilnin nga distrikti pasi kishin marrë për dhjetë ditë leje.

mit/NOA

KOMENTE