English

Lideri demokrat: Vota e 8 majit triumf për Aleancën për Qytetarin

Tiranë, 15 maj 2011, NOA – Lideri demokrat Sali Berisha deklaroi sot se vota plebishitare e 8 majit është një triumf i vërtetë për koalicionin “Aleanca për Qytetarin”. Kryetari i demokratëve theksoi në konferencën e sotme për shtyp se flamuri i Partisë Demokratike që udhëhoqi koalicionin “Aleanca për Qytetarin” mori 72 mijë vota më shumë se flamuri i PS-së në koalicionin “Aleanca për të Ardhmen”. Kryetari i Partisë Demokratike, i shprehu mirënjohjen popullit për votën plebishitare që mori koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, që sipas liderit demokrat, është një votë që i jep mazhorancës së djathtë edhe 8 deputetë më shumë, krahasuar me votat e marra nga PD në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit të vitit 2009.

Në një mesazh drejtuar të gjithë shqiptarëve, zoti Berisha theksoi se analiza përfundimtare, transparente dhe dinjitoze e këtyre zgjedhjeve do të bëhet vetëm pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpallë rezultatin përfundimtar.

Mesazhi i plotë i liderit të PD-së Sali Berisha:

“Erdha këtu përpara jush për të shprehur një mirënjohje të thellë, qytetarëve të këtij vendi, të cilët në një mazhorancë plebishitare krahasuar me aleancën tjetër, dhanë deri në numërimin e sotëm, rreth 72 mijë vota më shumë koalicionit për qytetarin. Pra atij që më ofrojë referendumin, fiks 8 deputetë më shumë në krahut tim.

Po të shihni, në zgjedhjet e 2009, do të gjeni se deputetët e Partisë Socialiste ulen në ato karrige me 9 mijë vota secili, ndërsa tanët me 10 mijë vota.

Pra 72 mijë vota më shumë do të thotë 8 deputetë socialist , 5 të peshës socialiste dhe 7 të peshës demokrate më shumë nga këto zgjedhje.

Zgjedhjet kanë qenë lokale dhe unë ndjej keqardhje për disa bashki dhe komuna të cilat nuk janë më të qeverisura nga kandidatët e koalicionit që unë drejtoj por nga ana tjetër flamuri është vetëm politik.

Flamuri i Partisë Demokratike që udhëhoqi koalicionin tonë, mori 72 mijë vota më shumë se flamuri i PS në koalicionin përkatës.

Ky është triumf i vërtetë i platformës së bazuar në vlerat e qytetarit, qytetari i pari.

Por unë nuk jam këtu për analizën përfundimtare, këtë gjë do ta bëj para jush kur të përfundojë Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve dhe të dalin rezultatet.

Ju garantoj se do te jetë realist dhe trasparent, dinjitoze, e përgjegjshme dhe do bëhen përpjekjet më të mëdha për ta lexuar çdo votë të qytetarëve shqiptarë.

Jam këtu gjithashtu për të shprehur një mirënjohje të thellë ndaj të gjithë qytetarëve të Tiranës, të cilët votuan në këto zgjedhje për qeverisjen e tyre vendore, të cilët shprehën ndaj mazhorancës besimin e tyre edhe më shumë se 12 vitet e marra së bashku, të cilët me mençurinë e tyre bënë për qytetin zgjedhjen më të mirë.

Ju do më pyesni për fitimtarin dhe unë përgëzoj zotin Basha që nuk doli shpejt për të vlerësuar me notën 10 vehten, siç bëri zoti Rama, se dallimi është i madh.

Zoti Basha nga klasa e parë deri në universitet dhe madje pas universitetit i ka të gjitha notat 10, kurse Rama të vetmen 10 që krijoi vetë, ishte kjo tani.

Unë ju them se ky rezultat është absolutisht sipas të gjitha të dhënave që ne kemi dhe se qytetarët shqiptarë janë disa herë me tepër sesa 10-a e Ramës që kanë votuar për zotin Basha, por sidoqoftë unë ju garantoj se do të pranoj çdo rrezultat të paraqitur nga institucionet kushtetuese e demokratike të këtij vendi.

Do të qëndroj prapa vlerësimit të çdo vote të kundërshtuar me qëllimin që vota e qytetarëve të ketë të njëjtën vlerë dhe kjo në mënyrë transparente. Ne kemi aritur një nivel transparence të paprecedent, të pashembullt në numërimin e votave dhe ju të nderuar gazetarë e keni parë vetë.

Kjo na bën krenarë, votat të kenë peshën, vlerën dhe çmimin e barabartë, sepse ky përbën një nga parimet më themelore të një vendi demokratik, një nga të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë.

Në këtë vend askush nuk ka tagër të shkelmojë mbi votën e qytetarëve në qartësi të madhe mbi kandidatin që ka preferuar apo mbi partinë që ka zgjedhur.

Pyetje: Z.Berisha ju deklaruat dje se ju jeni disa vota para në Tiranë. Cili është komenti juaj rreth kësaj dhe si e vlerësoni në tërësi procesin zgjedhor në Tiranë që nga fillimi dhe deri në përfundimin e tij?

Berisha: Ajo që unë ju thashë dje e sot, mund t’ju them se ne disponojmë fakte te pakundërshtueshme dhe ne nuk bëjmë siç bëri zotëria 2 vjet rresht, hap kutitë se ke vjedhur votën, por ne ju tregojmë çdo gjë me fakte, nuk deklarojmë gjë pa dokumenta ligjorë të qarta si kristali.

Ne nuk e bazojmë në obsesione dhe në dyshime qëllimin tonë. Falenderoj komisionerët dhe vëzhguesit tanë, të cilët zbatuan ligjin, edhe nëse bënë gabime, të gjithë gabojnë, por ata kanë qenë në krye të vlerësimit tim.

Së dyti, nuk më takon mua të jem gjykatës për karakterin e zgjedhjeve, sepse unë kam qenë lojtar. I takon vëzhguesve shqiptarë dhe ndërkombëtarë fjala mbi to.

Në vlerësimin tim këto zgjedhje kanë qenë shumë të mira, pati disa momente përzgjatjeje, ndoshta që edhe mund të ishin më të shmangshme te zona nr. 5, por them se u kapërcyen pa asnjë lloj incidenti. Për të tjerat unë e kam të vështirë të komentoj pasi unë nuk jam lojtar, duhet që të dëgjojmë të tjerët, por unë do të pranoj vlerësimin. Kaq mund të deklaroj, vlerësimi i përket institucioneve të zgjedhjeve, arbitrit ndërkombëtar.

Pyetje: Z. Kryeministër, mund ta përcaktojmë z. Basha si fituesin e madh, pavarësisht rezultatit të thjeshtë të këtyre zgjedhjeve?

Berisha: Lidhur me kandidatët, deklarova dje dhe sot, shpalljen e fitimtarit do ta bëjë, KQZ. Ky është institucioni kushtetues i ngarkuar për këtë çështje. Ajo që thashë, qëlloi plotësisht, ne kemi fakte dhe dokumente për këtë, por jam i bindur se edhe pala tjetër do të ketë të sajat, dhe unë i mirëpres.

Për mua rëndësi ka kjo, që ky proces gjigand, pasi mbi 1,344 mijë zgjedhës hodhën votën. Tani kanë mbetur disa probleme të ngushta e të vogla, në lidhje me gjigandizmin e procesit. Disa çështje të cilat duan rishqyrtim.

Unë kam të gjithë durimin dhe vendosmërinë, për të pritur verdiktin e institucioneve. Por nëqoftëse dje thashë, që kemi kaq, sot kemi më tepër se kishim dje.

Natyrisht nuk jam unë gjykatësi i tyre. Gjykatësit e tyre, janë gjykatësit e vendit, dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ne ndjekim ligjin dhe shtetin ligjor. Zgjedhjet janë të ndershme, kur zbatohet shteti ligjor, pra kur funksionon ai.

Pyetje: Si do ta vlerësoni rezultatin humbës në disa qytete të vendit?

Berisha: Të garantoj që nuk ka humbje të ëmbël në asnjë vend. Por meqë jemi pranë mediave, deklarova, gjatë fushatës se përgjigja ime është kjo. Në të gjitha daljet e mia gjatë fushatës, unë jam shprehur se nëse z. Rama, fiton qoftë edhe një votë më shumë se koalicioni që unë drejtoj, unë i kam humbur zgjedhjet.

Dhe ju këtë mund ta kontrolloni në fakt. Kam shprehur thelbin e dijes sime më të thellë. Kjo për dy arsye, sepse aty në fletë votimi është flamuri i partisë tënde, dhe partia ka simbolet e saj, kryetarin, flamurin që vendoset para qytetarëve, dhe ai është vetëm politik.

Në këtë kontekst një arsye e dytë ishte, se kundërshtari im, në një mënyrë të papërmbajtur, i shpalli zgjedhjet si një referendum kundër kusarëve, kundër qeverisë.

Dhe ndërtoi të gjithë fushatën elektorale në këtë bosht sharjesh, trillimesh e shpifjesh. Ne ndoqëm një fushatë tjetër, siç e keni parë vetë, të bazuar në qytetarin dhe kjo bëri që flamuri e koalicioni i udhëhequr nga PD, të marrë 72 mijë vota më shumë se koalicioni i udhëhequr nga z. Rama.

Unë jam njeri i betejave kombëtare, ju duhet ta keni parasysh këtë, çfarëdo që të bëjë lideri, ai nuk mund të mbetet në atmosferë tjetër, përveç asaj kombëtare. Këtë betejë kombëtare, nuk mund ta ndërroj me asgjë tjetër, për mua kjo ishte e para.

Unë kam disa parime, sovrani nuk gabon kurrë. Ka nga disa politikanë, që fajësojnë sovranin, por populli nuk gabon kurrë, ai ka një gjakftohtësi tërësore. Po të mbledhësh të gjitha votat e tyre, del diçka mahnitëse në rezultat.

Pyetje: Po i ndalem garës së Tiranës, kreu i PS, shpalli fitoren, KQZ gjithashtu tha se duhen edhe dy ditë kohë për të llogaritur e shpallur rezultatin, por ku e bazon PD-ja dhe ç’farë janë konstatuar në këto procesverbale?

Berisha: Z.Rama i vuri vehtes 10 dje, këtë pashë unë, nuk shpalli fitoren, dhe tha fitova me 10 vota, dhe kjo ishte një 10 shkollore, se ai ka kompleksin e notës 10.

Njeriu që nuk pa 10-ta në shkollë i sheh tani, nxori një 10 pas 40 e ca vjetësh, ndërsa nuk do të thotë asgjë. Për mua, jam shumë i vetëdijshëm, që ky rezultat është tepër i ngushtë dhe staticienët më thonë me një incident shumë të rrallë, por unë nuk po e diskutoj dhe nuk po them se ky rezultat nuk është për tu përfillur. Ky rezultat është për t’u finalizuar dhe besoj se jemi dakort se unë nuk mund të them se është finalizuar rezultati pa u bërë vlerësimi i votave të kontestuara dhe ju duhet të dini një gjë se në doktrinën elektorale thelbi dhe zemra e doktrinës është kontesti.

Në qoftë së ti e nënkalon këtë dhe e nënvlerëson këtë s’ke zgjedhje dhe zgjedhjet i fiton i forti. Pra unë pres kontestin dhe e ftoj dhe z.Rama dhe të gjitha forcat politike të ushtrojnë këtë të drejtë politike, por me besim tek institucionet dhe s’ kemi pse të mos të kemi besim në to. Jemi vend anëtar të Këshillit të Europës dhe të garantoj çdo qytetar shqiptar, ndër të tjera dhe mbi të tjera, për të drejtën themelore ka tagër të plotë qoftë edhe një i vetëm t’i drejtohet Strasburgut për votën e tij, por kjo është e panevojshme sepse ne kemi institucionet tona serioze dhe unë kam besim në vlerësimin e tyre.

Pra këtu kemi të bejmë me një çështje themelore, parimore me vlerësimin e votave të qytetarëve shqiptarë.

Një vend që vendosi këto standarde, vlerësim me televizione të drejtpërdrejta, me ekrane, një vend do ta ketë për nder dhe për kënaqësi të vlerësojë çdo votë. Unë personalisht këtë bindje ndaj dhe shpresoj që edhe kundërshtarët e mi të kenë arritur në këtë konkluzion.

Pyetje: Z.Berisha ju thoni që Partia Demokratike disponon fakte të pa kontestueshme për sa i përket atij rezultati të cilit edhe ju vetë e konsideruat si të ngushtë mes dy rivalëve, por nga ana tjetër nga sa kemi ndjekur gjatë gjithë ditës së djeshme, Z. Rama pretendon se edhe PS ka fakte të pa kontestueshme për sa i përket rezultatit të cilin edhe ai mendon dhe pretendon se është 10 pikë në avantazh, pra 10 vota plus. Megjithatë për ata që nuk arrijnë ta kuptojnë, në çfarë dokumentash ju pretendoni se do të kalojë për z.Basha, përveç procesverbaleve që padiskutim janë ato që vendosin, mos do merrni në konsideratë edhe disa vota të cilat janë gjetur në kutitë e tjera?

Berisha: Mund të them se Basha u duk qartë dje se do të presë rezultatin , e çoi edhe më tutje duke thënë se në rast se rezultati del në favor të z.Rama do ta marrë në telefon.

Unë nuk kërkoj që z.Rama të më marrë në telefon për 72 nijë vota më shumë. A do ta marrë z.Rama z.Basha në telefon, unë nuk e di pasi kjo është puna e tij, pasi të finalizohet vendimi, por z. Basha i bëri ofertën.

Tani votat e kundërshtuara janë të kontestuara, kanë llogjikën e tyre, kanë kodin e tyre, kanë përcaktimin e tyre, por një gjë është e sigurtë, se ne nuk do të paraqesim as edhe një kundërshtim pa fakte të plota, fakte që do vlerësohen nga ata të cilët ne i kemi zgjedhur dhe i kemi besuar administrimin e zgjedhjeve dhe vlerësimin e tyre.

Sado që të them unë që kjo votë është e vlefshme apo e pavlefshme, nuk jam unë ai, por është Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që do i vlerësojë këto, janë instancat konstitucionale, një gjë është e sigurtë që ne do të qëndrojmë për çdo votë dhe e them këtu pa dallim përkatësie për çdo qytetar shqiptar, kjo sepse ne duam që ky vend ta plotësojë edhe këtë, të ketë shqyrtimin më transparent të atij që quhet kontest, kundërshtim, element faktor që i garanton një proces pa të cilin nuk do të kishte kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Pyetje: Televizioni ynë nga një hulumtim që ka bërë gjatë mbrëmjes së djeshme në 3 njësi bashkiake kanë rezultuar të paktën 57 fletë votimi të rregullta të cilat janë votuar për kandidatin dhe janë gjetur në kuti të njësive të tjera bashkiake të cilat do të donim të dinim edhe vlerësimin e tyre dhe që vlerësimi i kandidatit nuk llogaritet me gishtat e dorës dhe sa mendoni se është i rëndësishëm ky vlerësim.

Pyetje: Cila është e vërteta e këtyre zgjedhjeve të Tiranës dhe kush është fituesi tyre?

Berisha : Lidhur me pyetjen e parë është e vërtetë që ka një numër të vogël votash të kontestuara por nga ana tjetër ju i keni të paanshme, nuk them se janë të paanshme se unë nuk di të palës tjetër, nuk kam bilancin e palës tjetër edhe por edhe atë mund ta gjej ashtu si edhe ata gjejnë ato tonat. Pra ky vend ka 20 vite që zhvillon zgjedhje, fatmirësisht dhe janë precedentët, ka arkivë, një prej tyre ndodhi në vitin 2007, ku një prej kandidatëve të Partisë Demokratike, fitues me 3 vota, fitoi, por kur u hap kutia tjetër, në kutinë e këshillit u gjetën 5 vota në kutinë për kryetar, socialistët na paditën, e fituan çështjen dhe kandidati ynë që u shpall u shkurorëzua dhe ja dorëzoi mandatin rivalit të tij, sepse gjykatësi tha se prevalon e drejta themelore e votës, se aty në qendrat e votimit ka edhe njerëz që janë të detyruar t’i drejtojnë në kuti dhe e kryen ata detyrën.

Qytetari e kreu detyrën e tij, qytetari e hodhi votën, por ka edhe njerëz që kanë probleme me ngjyrën apo me dallimin e ngjyrave të zakonshme, dhe nuk mund t’i thuash dot, pse u duket tjetër për tjetër.

Rëndësi ka që vota e çdo qytetari të peshojë njësoj, të jetë si vota ime, si ajo e Kryeministrit, si ajo e Presidentit, si vota e z. Rama, si vota e çdo njeriu e çdo votë tjetër, të ketë të njëjtën peshë në këtë vend. Aty jemi të barabartë, para Zotit dhe kutisë së votimit jemi të gjithë të barabartë.

Pyetje: Z. Berisha, a e kishit menduar që fitorja në Tiranë do të ishte kaq e ngushtë, pasi palët të dyja festojnë për fitoren, duke patur parasysh që ju në zgjedhjet e 2007 humbët thellë në Tiranë?

Pyetje: Keni humbur disa bastione, si Kavaja apo edhe Laçi, por keni fituar këshillat bashkiakë, a mendoni që kandidaturat e përzgjedhura nga ana juaj nuk ishin të mirëgjetura për këto zgjedhje?

Berisha: Këto zgjedhje kanë një risi të madhe, qytetarët shqiptarë votuan flamurin e PD, si udhëheqëse në këto zgjedhje për koalicionin “Aleanca për Qytetarin”, kjo është e vërteta.

Së dyti, e vërteta tjetër është ajo që thatë ju që në disa qendra fituan kandidatët e Partisë Socialistë dhe do të menaxhohen nga ata. Sado qoftë jo e këndshme, nuk do të më pengojë mua të kem një bashkëpunim shumë të mirë, me të gjithë të zgjedhurit e këtij vendi.

Pa diskutim që do të ketë analiza, por analiza të ndershme, analiza të cilat, njerëzit e qytetëruar janë njerëzit e përgjegjësisë, duke nisur nga kryetari i partisë së tyre dhe të gjithë me radhë. Do të analizohen të gjitha shkaqet dhe do të përdoret kjo analiza në funksion të një fitoreje spektakolare në shërbim të vitit 2013. Nuk ka kurrë fitore të përjetshme e as humbje të përjetshme, ndaj edhe beteja jonë është që këto 72 mijë vota të mund t’i çojmë deri në 100 .000 të paktën.

Për Tiranën, kur nisëm betejën, e nisëm për ta fituar, dhe unë kam bindjen se zhvilluam betejën më të bukur elektorale të këtij vendi.

Unë shpesh e deklaroj, se librat që lexoj më shumë janë librat e fushatave elektorale, çdo fushatë është një libër për mua. I marr nga mediat e i riprodhoj duke i parë, ashtu siç shihni ju fotografitë më të dashura, i shoh për të nxjerrë mësim nga to, plus që me ndihmën e memories, jam shumë krenar për këtë betejë të qytetruar që zhvilluam në Tiranë, e cila pati edhe pëlqimin masiv të tyre. Finalja është aq e ngushtë saqë nuk më takon mua të parakaloj e të shpall rezultatin para institucioneve të vendit.

Deklarimet e mia nuk përbëjnë asnjë lëvizje nga pozicioni im, kam qenë me të njëjtat ide dje dhe sot, unë jam i vendosur të pranoj çdo rezultat të çertifikuar nga institucionet e vendit. Të jeni të bindur se edhe pse kemi dalë 72 mijë, por edhe sikur të ishim 100 mijë vota më pak, unë do të them gjithmonë se sovrani nuk gabon. Kjo është kultura ime politike. Ndaj dhe nuk kam asnjë lloj tërheqje, përkundrazi, kam një vendosmëri të plotë, për ti qëndruar mbrapa çdo vote dhe çdo të drejte të qytetarëve të Tiranës.

Të dhënat që kemi janë ato që kam thënë, por edhe kundërshtari im, mund të ketë të dhëna për votat, mund të ketë dokumenta që ai i paraqet dhe unë nuk mund të them se cila është kjo, por e ftoj edhe atë që të angazhohet në një betejë për të qëndruar mbrapa votës së çdo qytetari shqiptar e të Tiranës.

*Konferenca për shtyp e Kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha

KOMENTE