English

Deputetët e PS dalin nga salla e mbledhjeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Tiranë, 16 maj 2011 NOA Deputetët e Partisë Socialiste sapo kanë dalë nga salla e mbledhjeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pak minuta pasi disa prej tyre kishin deklaruar se do të qëndronin atje gjithë natën derisa KQZ të shpallte re4zultatin që ata thonë se është një fitore e Edi Ramës.

Burime nga KQZ i thanë gazetarit të agjencisë NOA që po ndjek zhvillimet që nga mesdita, se ishte një urdhër i kreut socialist Edi Rama që deputetët të anulonin vendimin për të qëndruar brenda sallës së mbledhjeve të KQZ.

Pak më parë, deputetja e PS, Mimi Kodheli tha se “Partia Socialiste ka korrur në 8 maj një fitore historike”.

Sipas saj, përpjekja për ta zhbërë këtë fitore duke zhbërë rezultatin e Tiranës, të cilin çdo shqiptar e pa dhe e dëgjoi drejtpërdrejtë në ekran, është një përpjekje ogurzezë që s’do të ketë asnjë shans të kthehet në një fakt të kryer e të pranuar nga opozita.

Kodheli paralajmëroi se “në rast se KQZ-ja nuk do të tërhiqet nga një marrëzi e tillë, të gjithë qytetet e Shqipërisë do të reagojnë me fuqinë e popullit sovran”.

e.t/NOA

KOMENTE