English

Zgjedhjet e 8 Majit, audiencë rekord e Agjencisë NOA

Prej mëse dhjetë ditësh, gazetarët dhe redaktorët e Agjencisë Kombëtare të Lajmeve NOA, kanë sjellë minutë pas minute, 24 orë në 24, zhvillimet më të fundit që lidheshin me zgjedhjet vendore të 8 majit dhe procesin e numërimit që ende po vazhdon.

Duke iu referuar bashkëpunëtorëve të shpërndarë në shumicën e KZAZ-ve dhe KQZ-së, NOA raportoi në kohë reale dhe shumë herë në avancë me shifrat zyrtare të KQZ, numrin e votave të përftuara nga kandidatët në Tiranë dhe disa bashki të vendit.

Këto ditë, audienca e Agjencisë Kombëtare të Lajmeve NOA ka arritur në shifra rekord. Sipas statistikave, mbi 65 mijë vizitorë unikë në ditë dhe të paktën 1.2 milionë klikime në ditë, shënohen në mënyrë progresive që nga e diela e 8 majit dhe në vazhdim.

Duke parashikuar një audiencë më të lartë që do të dyfishonte numrin e lexuesve dhe disafishonte kohën e qëndrimit në faqe, NOA mori masa që më parë dhe shtoi serverat e dedikuar në të cilët mbështetet duke bërë që të qëndronte online gjatë gjithë kohës, ashtu si edhe portali Balkanweb, ndryshe nga faqe të tjera që pësuan probleme të vazhdueshme.

Ajo që bën përshtypje tek audienca e NOA gjatë këtyre ditëve është shpërndarja e fashës orare gati në mënyrë të njëtrajtshme, me një rënie të lehtë në orët e vona të natës.

Kjo ka ardhur pasi shqiptarët i ka mbajtur të mbërthyer rezultati i Tiranës i cili ndonëse kanë kaluar afro nëntë ditë ende nuk është shpallur zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Por NOA gjatë këtyre ditëve ashtu si dhe në çdo ditë tjetër të vitit, nuk la pa i dhënë hapësirën e përhershme lajmeve ekskluzive, atyre të rubrikës Magazinë, zhvillimeve nga aktualiteti shqiptar dhe pjesa tjetër e botës.

Risi në këto zgjedhje ishte raportimi i lajmit urgjent që më së shumti lidhej me rezultatet për Tiranën që ndryshonin minutë pas minute. Për këtë, NOA prezantoi një hapësirë të re në krye të faqes e dedikuar për lajmin e shpejtë.

NOA vazhdon me të njëjtat ritme të pasqyrojë gjithçka që lidhet me procesin ende të pambyllur zgjedhor, krahas raportimit të të gjitha lajmeve të tjera.

Mjafton të qëndroni të lidhur me noa.al në çdo kohë përmes kompjuterit apo lap topit tuaj. Kurse në të njëjtën adresë, noa.al, ju mund të hyni në çdo kohë në faqen NOA Mobile, një version i thjeshtuar i NOA i cili hapet automatikisht nga të gjithë telefonat celularë, pa qenë nevoja për të hyrë në një nënfaqe tjetër.

NOA

KOMENTE