English

Tensioni postzgjedhor, Arvizu me Topin: Respektoni ligjin

Tiranë, 18 maj 2011, NOA – Kur situata postzgjedhore në kryeqytet është tensionuar në pritje të shpalljes së rezultatit për Tiranën, ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu apeloi se në këtë moment nevojitet respektimi i shtetit të së drejtës.

Këtë apel Ambasadori amerikan e bëri gjatë takimit me Presidentin e Republikës Bamir Topi.

Presidenca ka zbardhur takimin e Topit me Arvizun i zhvilluar me urgjencë në mesditë.

Sipas zyrës së shtypit të Presidentit, Ambasadori Arvizu shprehu mbështetjen ndaj Kreut të Shtetit për qëndrimet dhe apelet e tij institucionale si dhe inkurajoi palët të respektojnë ligjin në funksion të arritjes së standardeve demokratike dhe konsolidimit të institucioneve të pavarura e kushtetuese, në mënyrë që ato të përmbushin detyrimet e tyre ligjore.

Presidenti i Republikës, ndau me ambasadorin amerikan shqetësimin lidhur me situatën aktuale, të cilën po e ndjek me shumë vëmendje.

Kryetari i Shtetit shqiptar, apeloi për vetëpërmbajtje, qetësi, maturi dhe ruajtje të rendit publik dhe theksoi domosdoshmërinë se “në këto çaste, duhet që palët politike të respektojnë institucionet, dhe vetë institucionet e pavarura duhet të respektojnë ligjin dhe Kushtetutën”.

“Shqipëria ka legjislacion, ka përvojë në trajtimin e çështjeve zgjedhore, ka të gjithë mekanizmat ligjore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve kështu që vetë institucionet përgjegjëse kanë rastin dhe detyrimin të dëshmojnë pavarësi, integritet dhe profesionalizëm në interes të qytetarëve, publikut dhe vendit”, theksoi Presidenti.

Këtë shqetësim Presidenti Topi e ndau edhe më herët në takimin e veçantë me Kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Ambasadorin Eugen Wollfarth, me të cilin diskutoi rishtas rreth situatës më të fundit politike në vend.

mit/NOA

KOMENTE