English

Lumi Vjosë i merr jetën turistes Çeke

Përmet, 24 maj 2011, NOA- Lumi Vjosë i ka marrë jetën një turisteje Çeke, në fshatin Kuqar të rrethit Përmet.

Burime zyrtare nga policia e Gjirokastrës bëjnë të ditur për agjencinë e lajmeve NOA, se rreth orës 17.20, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Përmet ka ardhur një telefonatë se në lumin Vjosë poshtë fshatit Kuqar të rrethit Përmet , është mbytur një turiste në lumin Vjosë.

Sapo janë sinjalizuar për rastin menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë, por pavarësisht kësaj nuk ka mundur të ndryshohet fati i viktimës.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, ku një grup turistësh nga Çekia, të përbërë nga 5 persona nga të cilët 4 meshkuj dhe 1 femër, të cilët merreshin me sportin kanion, vozitje me varka në lumë, kanë filluar vozitjen nga zona e Pisokvës në drejtim të Këlcyrës me varka.

Të njëjtat burime thonë për NOA se, “Në varkën e parë ishte një person, në varkën e dytë ishin dy dhe në varkën e tretë ishin dy persona të tjerë një mashkull e një femër.

Por rreth orës 17.00, në lumin Vjosë poshtë fshatit Kuqar të rrethit Përmet, varka e tretë ku ishin një mashkull e një femër , si pasojë e rrjedhës së fortë të lumit është përmbysur

dhe përplasur me një shkëmb. Shtetasi mashkull që drejtonte varkën ka mundur të dalë nga lumi ndërsa shtetasja Çeke Mikaela Jonakova, 34 vjeç nga Praga , është përplasur me shkëmbin dhe rrjedha e ka shtyrë poshtë një guve”.

Sakaq katër turistët e tjerë pas kërkimeve intensive kanë mundur ta gjejnë trupin e pajetë të 34 vjeçares vetëm pas 8 minutash duke e nxjerrë atë në anë të lumit.

Në bazë të hetimeve të bëra nga ana e policisë, rezultoi se, shkaku paraprak i humbjes së jetës së viktimës Mikaela Jonakova ka qenë përplasja me shkëmbin dhe fundosja në thellësinë e guvës ku nuk ka mundur të dalë dot.

Ndërkaq trupi i pajetë është transportuar në morgun e Spitalit të Qytetit Përmet ku është njoftuar edhe Ambasada Çeke për veprime të mëtejshme.

Mësohet se turistët Çekë të cilët ishin 8 veta, 5 meshkuj e tre femra, kanë ardhur që ditën e hënë në qytetin e Përmetit, por në kohën e aksidentit dy femra dhe një mashkull ishin në rrugën automobilistike duke udhëtuar me makinat e tyre për në Këlcyrë për të pritur 5 shokët e tyre që ishin duke vozitur me varka.

Ndërkaq trupi i pajetë i viktimës do të niset në drejtim të Tiranës për veprime të mëtejshme.

a.y/NOA

KOMENTE