English

Paradigma e së keqes dhe hipoteka e krimit

Nga Agron Tufa

Gjithë situata para dhe pas zgjedhore në Shqipëri ka mbërritur në një pikë të brishtë, që paralajmëron rrokullisjen në makthet civile si të vitit 1997. Atmosfera agresive e shantazhit dhe kërcënimeve të njëkahshme ushqehet çdo ditë me ligjërime publike yshtëse. Folësit, një format militanti, rëndom, shtatmesatar, me ose pa syze, flokë të qethura shkurt, vegla lehëse me formim të dyshimtë – të gjithë festarë bllokimesh, bojkoti, çadrash rrethimi e nxitës falangash sulmuese, vizitorë patetikë spitalesh e morgësh – por absolutisht pa asnjë ide e vizion human në kokë, grishin të gjithë gjëmë me ndoca ligjërata thuajse të harruara; Ringrenë kulturën e vdekur të etërve, gjyshërve e stërgjyshërve të tyre shpirtërorë, që hapet drejt origjinës arketipale të Pavël Vllasovëve dhe guerileve komuniste. Përgjatë një viti është punuar gjatë, me të gjitha format e larmishme të provokacionit e viktimizimit, në instalimin e kësaj atmosfere sa të turpshme, aq dhe të rrezikshme e fatale për fatin e paqes sonë të përbashkët. Me episodin e fundit të zgjedhjeve, makina e demagogjisë propagandistike i intesifikoi truket e ligjërimit, duke dalë në thirrje të hapura për kryengritje, revolta popullore, për luftë. Luftë kundër kujt? Luftë për çfarë? Me ç’shkak? A mund të jetë arsye për kryengritje, revoltë popullore apo luftë, fakti i këmbënguljes për të numëruar në mënyrë transparente, faqe mediave, sipas procedurave ligjore vota e qytetarëve? Aq më tepër në kushtet e një diference të papërfillshme ndërmjet rivalëve. Me ç’të drejtë mund të ngresh në revoltë gjysmën tjetër të popullsisë, që s’ka votuar për ty e këtë ta quash “revoltë popullore”? Demagogët e gjakderdhjeve civile gjithmonë përdorin si argument popullin, edhe pse në kohën kur populli kacafytet e derdh gjak, ata fshihen vrimave, për të pritur në fund udhën e hapur me kufoma drejt fronit. Tash për tash trumbetat e luftës civile bien dhe oratorët kruajnë gurmazet me klishetë bajate të revolucionit. Këtë përvojë populli shqiptar e ka kaluar jo shumë vjet më parë, drejt në lëkurë të vet. A do të bjerë vallë sërish në grackë për hesapin e një klike, që kërkon ta bëjë viktimë të dështimit të vet? A do t’i ndjekë vallë populli, që votoi i qetë, përbetimet e shantazhet e tyre për një kauzë antiligjore, antinjerëzore dhe antishqiptare dhe, gjithë këtë, vetëm e vetëm për të zgjatur një mandat të katërt të kryebashkiakut dhe njëkohësisht kryetarit të opozitës? Unë them se jo. Nuk besoj që instinkti dhe intuita popullore të jetë aq e verbër sa ta lidhë fatin e saj me fatin e një aventure të pamoralshme e fatale. Prandaj, jam i sigurt se yshtja për kryengritje e revoltë popullore do të mbetet thjesht një atavizëm i shëmtuar, një zgjatim demode i një kohe të perënduar përgjithmonë. Nuk është e rastit që demagogët socialistë kërkojnë ta injektojnë në popull krizën e përgjithshme që kanë mes vedi. Nuk është e rastit që popullit po i drejtohen ta yshtin kundër “diktaturës”. Nuk është e rastit që lëshuesi i këtij kushtrimi është hiç më pak, por vetë Gramoz Ruçi. Se do të vinte një ditë, që “dinozauri” i fundit i diktaturës komuniste, ish-ministri i Brendshëm i PPSH-së dhe një ndër prijetarët e socialistëve – Gramoz Ruçi të bënte thirrje kundër “diktaturës”, – këtë as në ëndrrat e makthshme s’do ta kisha besuar. Por ekuivoke të tilla bëjnë vaki ditën për diell: pikërisht ai ish-ministër stalinist që qeverisi në vigjilje të diktaturës enveriste, që dënoi, dhunoi, vrau e burgosi me egërsi qytetarët e vet; që deklaron krenar në studiot e sotme televizive, se ka dhënë urdhër të digjeshin dhjetëra- mijëra dosje pas rënies së nenit famëkeq “55″, që ka vazhduar të ushqejë me përvojën e vjetër Partinë Socialiste të Shqipërisë, në majë të majës së karrierës, pa i hyrë gjemb në këmbë – kur vendin duhej ta kishte në Tribunalin e Hagës – dhe sot jep kushtrimin kundër “diktaturës”: “Të gjithë në këmbë! Të gjithë në rrugë!”. Ja çfarë paradoksi! Mbetet vetëm pyetja: pas gjithë kësaj vikame, ka ndonjë që ende rri ulur? Ja pra, sa larg ka shkuar evolucioni i antropoidit tonë. Komunistët e rinj në Partinë Socialiste kanë gjithmonë një vertebër që i lidh me evolucionin: janë gramozë ruçët! Dhe jo doemos brenda partisë! Dhe jo doemos gramos ruçër! Ringritja e nostalgjisë, recidiveve; Sjellja, simbolet dhe shenjat; Prejardhja direkt nga familjet e piramidës së pushtetit komunist; Tradita familjare që i lidh si shërbëtorë dhe mbajtës në këmbë të diktaturës së djeshme; krenaria tyryfyle për Bllokun (një origjinë sado-mazokiste dhe edipale, të cilën e shesin për çoç); stazhi i gjatë i dinakërisë së trashëguar dhe bashkë me kujtesën familjare, që përbën më shumë se libra – një hipotekë të përzishme me të pushkatuar e kufoma – e gjithë kjo kastë që kërkon të ringrihet në kushtet e lirisë, me solidaritete e përbetime të vjetra, homogjene, simulante dhe hipokrite; E organizuar me sensibilitete sektesh, OJQ-sh e rrjete sit-esh ku vrundullon propaganda – ka përpunuar ligjërimin e vet, narrativën e vet me pak piper, kripëra e erëza sloganesh të asaj Europe të urryer dhe të asaj Lirie që e patën mbytur në gjak – i gjithë ky organizëm që harliset në fermentin komunist – nuk ka asgjë të përbashkët me popullin, të cilit kurrë nuk i kërkuan falje për vrasjen e gjenocidin që i shkaktuan sistematikisht përgjatë një gjysmë shekulli; Nuk kanë gjë të përbashkët as me lirinë, të cilën e dhunuan deri në shfytyrim; Nuk kanë farë lidhje as me demokracinë, të cilën e zhbinë për fare në këtë faqe të dheut që me 1945. Tendenca për të shkrirë prej brezash të rinj e demagogësh të vjetër një aliazh politik që të pretendojë fatet e Shqipërisë, befas bie në kontradiktë me kushtrimin e dhunshëm për kryengritje e revoltë popullore. Jehu i dhunës së ushtruar nuk është pastruar ende nga veshët e tyre, ndaj kur i drejtohen asaj, duken më të vërtetë, kthejnë në identitet. Fatkeqësisht, nga shtretër të tillë toksikë ku rritet fidanishtja socialiste, zor të presësh fryte të shëndetshëm. Komunizmi ra formalisht. Pa asnjë tribunal. Çështje torturuese ka qenë e mbetet trashëgimia komuniste. Ajo ka lënë prapa avokatët e saj, militantët e saj, të verbrit e saj, në gjithë gjerësinë e thellësinë e rrënjëve dhe filizave.

II Në kohën kur Komisioni i BE për Çështjet e Drejtësisë në Bruksel qe përfshirë në analizën e të ashtuquajturës “Deklarata e Pragës”, të hartuar nga 6 ministrat e jashtëm të ish-vendeve komuniste të BE-së, në shtypin tonë dolën avokatët e diktaturës. Thelbin e “Deklaratës së Pragës” e formuloi presidenti i Institutit Shtetëror për Hetimin e Krimeve të Komunizmit, shkrimtari rumun Marius Oprea. Ja çfarë parashtron shkrimtari rumun në këtë deklaratë, që përfshiu qëndrimin e 6 ministrave të vendeve ish-komuniste: “Ne kërkojmë që krimet komuniste të trajtohen njësoj si Holocaust-i, që do të thotë se krimet nga koha e regjimit komunist duhet të trajtohen para drejtësisë në të njëjtën mënyrë. Veprat e tyre nuk duhet të deklarohen se u ka kaluar koha; Me këtë problem konfrontohemi të gjithë në ish-vendet komuniste. Ne kërkojmë drejtësinë ligjore, jo vetëm dëmshpërblim moral. Ata që kanë kryer vrasje e gjenocid në emër të komunizmit, duhet të dënohen. Është e papranueshme që ne të jetojmë bashkë me vrasësit dhe kriminelët. Ata janë kriminelë që kanë kryer vrasje dhe tortura në emër të një ideologjie. Çfarë i dallon ata nga nazistët? Asgjë!”. Ndërsa diskutohej në BE kjo deklaratë, në shtypin shqiptar u gjallëruan avokatët e diktaturës, paradoksalë, cinikë e nihilistë. Në një artikull të tij të stërgjatë “Berisha: skenaristi i gjenocidit”, të botuar në “GSH” më 26 prill 2011, akademiku kosovar Rexhep Qosja, me një ligjëratë hiperagresive lëshohet kundër njëfarë PAVIJONI TË GJENOCIDIT, që qenkësh merenduar qysh në vitin 1996, e që ekziston edhe sot. Vështirë është të përmbledhësh artikullin e Qoses në një paragraf, por nëse nxjerrim thelbin e shqetësimit të tij, nëpërmjet piritesh banale të stërpërsëritura, kemi irritimin që i shkakton atij vetë termi GJENOCID dhe zbatimi i këtij termi në Pavijonin në fjalë. Qosja thotë se termi gjenocid është shtrembëruar, keqpërdorur, falsifikuar prej çdo kuptimi shkencor të tij. Qosja u kthehet fjalorëve të “sociologjisë, politologjisë a të filozofisë”, pa treguar saktë se cilit dhe citon, sipas tij, një përkufizim mbi “gjenocidin”: “Çdo veprimtari për zhdukje ose shfarosje të paramenduar dhe sistematike të krejt një kombi, grupi etnik, racor ose kulturor”. Më shumë sesa lexuesit, Qosja vihet t’ia mbushë mendjen vetes, se zbatimi i termit “gjenocid” është një marrëzi e tmerrshme kombëtare e ndërkombëtare, se nuk mund të këtë kurrë gjenocid të një populli ndaj vetvetes, se në asnjë rast, asnjë komb, në asnjë periudhë të historisë së tij nuk e ka përdorur këtë term ndaj vetvetes. Në stilin e përsëritjeve retorike, të shtrimit të pyetjeve dhe të vetëpërgjigjeve – një lloj monologu në trans – vazhdon ky artikull i stërgjatë, duke bërë inkursione analogjike nëpër popuj e kultura të ndryshme dhe po vetë nxjerr përfundimin, se çfarë marrëzie është ky term. Për Qosen nuk mund të ketë një popull që bën gjenocid ndaj vetvetes. Madje Qosja nuk i gjen vend fare në praktikë gjenocidit; Për të gjenocidi duket se është një term arbitrar, që nuk ekziston. Për të gjitha rastet e vetëpyetura, në të gjitha kulturat, Qosja bën rezymenë: kurrë, askush, askurrë… Duket qartë, qoftë edhe me një lexim sipërfaqësor, se nuk është në fakt “gjenocidi”, që e shqetëson prof. Qosen, por Berisha si ideator i PAVIJONIT TË GJENOCIDIT dhe ndonjë kundërshtar tjetër, me të cilët endet pirueta narrative e mllefosur e akademikut. Po, e qartë. Qosen nuk e shqetëson në të vërtetë GJENOCIDI. Ndërsa mua PO. Sepse është një çështje që nuk duhet ngatërruar me mllefet personale, as me përfitimet propagandistike dhe me asnjë lloj llogarie private, në kurriz të traumës më të trishtuar e më të pangushëllimtë që përjeton ende populli shqiptar, mbi kurrizin e të cilit u ushtrua një gjenocid i pashembullt përgjatë sundimit gjakatar të Enver Hoxhës. Për Qosen nuk ekziston “gjenocidi”, përpos se si një arbitraritet i pastër gjuhësor. Po si t’ia bëjmë ne, që gjurmët e gjenocidit i ruajmë në kujtesën familjare? Si t’ia bëjmë ne, që ende nuk dimë në çfarë zgëqi a skërke gjenden eshtrat e baballarëve a gjyshërve të pushkatuar në mesnatë, pa gjyq, pa dëshmitar? Çfarë drejtësie të lypim për ta dhe kujt? Mos vallë për Qosen gjenocidi paska ndodhur në hënë? E pikërisht një natë më parë po lexoja një studim të historianit rus Anton Kolmikov me titullin “Komunizëm – samij krovavyj genocid” (Komunizmi – gjenocidi më gjakatar), në të cilin parashtron, krejt ndryshe nga Qosja, fakte rrëqethëse e makabre pikërisht të gjenocidit, jo vetëm rus (me 20 milionë viktima), por të të gjithë Europës Lindore.

III Gjenocidi (greq vj. – racë + lat. ?aedere – me vra) – është shfarosja e grupeve të veçanta të popullsisë nisur nga motive racore, nacionale, religjioze apo sociale. Nocioni “krim kundër njerëzimit” përfshin në vetvete një radhë krimesh të shënjuara. Më karakteristiku prej këtyre krimeve është gjenocidi. Këtij nocioni i është dhënë përkufizimi gjegjës: “një akt, i kryer, me qëllim shfarosjen e plotë apo të pjesshme të ndonjë kombi, etnie, race ose grupi religjioz, si dhe çdo grupi tjetër në përgjithësi, të veçuar sipas kritereve arbitrare” (artikulli 6?, në Konventën e OKB-së të datës 09.12. 1948). “Ne do të vazhdojmë luftën jo kundër personave të veçantë, – shkruan Lacis shef i ÇK, (më vonë KGB) më 01.11.1918. – Ne do ta zhbijmë borgjezinë si klasë”. Pyetja e parë, së cilës duhej t’i përgjigjej i pandehuri në hetim, ishte – Çfarë prejardhje ka ai, edukim-arsimimi, profesioni. Këto pyetje duhet të përcaktonin fatin e tij të mëtejshëm. Ka plagë të cilat kurrë nuk do të mbyllen. Si ka mundësi të ndodhë, që miliona njerëz pa asnjë faj të jenë shfarosur me ardhjen në pushtet të një grupi të vogël kriminelësh? E prapë miliona të tjerë u bënë viktima të makinës së terrorit shtetëror – të anatemuar të shoqërisë, që iu nënshtrokan vuajtjeve të pafundme. Tragjedi e të vdekurve dhe e të gjallëve. Mjafton një guidë e shpejtë, që të mbërrish në përfundimin se shekulli XX – është qindvjetëshi i katastrofave më të mëdha humanitare: dy lufëtrat botërore me në mes – revolucionin bolshevik të tetorit, nazizmi dhe kasaphanat raciste nga Europa në Ruandë. Gjermania e Hitlerit – mbi hebrenjtë dhe ciganët; Italia e Musolinit – me vrasjen e etiopasve; Serbia jugosllave e postjugosllave – mbi shqiptarët e Kosovës dhe boshnjakët myslimanë. Midis tmerreve që tronditën botën e shekullit XX, komunizmi është fenomeni më i frikshëm, i cili ra i fundit në Rusi dhe Shqipëri më 1991. Dokumentet dhe dëshmitë arkivore s’të lënë dyshim se terrori ka qenë që në fillim baza përbërëse e komunizmit. Pushkatimet, varjet, mbytjet, rrahja deri në vdekje, uria e programuar dhe e imponuar, vdekja nga puna rraskapitëse në kampe, nga deportimi; Etapë pas etapë ne përftojmë veçse një ide të zbehtë listash e katalogësh të krimeve të komunizmit kundër njeriut. Këto krime nuk rroken në kornizat e ligjeve humane dhe mendjes së shëndoshë të njeriut normal as nga pikëpamja historike, as nga pikëpamja morale. Ky është komunizmi real, që ka ekzistuar në tokë në një kohë të caktuar, në vende të caktuara me praktikat e udhëheqësve të rij – Leninit, Stalinit, Mao ce Dunit, Ho Shi Minit, Kim Ir Senit, Pol Potit, Çausheskut, Enver Hoxhës etj. Numri i përgjithshëm i të vrarëve nga regjimet komuniste përafrohet tek 100 milionë njerëz (sipas të dhënëve nga libri i Stefan Kurtua dhe Nikola Vert – “Libri i zi i komunizmit”). Krimet e komunizmit janë të paevidentuara: para së gjithash ato janë krime kundër shpirtit/frymës, kundër kulturës dhe, krimi më i madh – vrasjet masive të njerëzve.

IV Alen Bezanson, një ndër filozofët e politologët më të shquar bashkëkohorë francezë, në librin e tij “Fatkeqësitë e shekullit”, i quan nazizmin hitlerian dhe komunizmin në një masë të barabartë – sisteme kriminale. Që të dy, në të njëjtën masë, lejuan krimet masive dhe gjenocidin. Që të dy sistemet vranë miliona njerëz. Megjithatë, kujtesa historike i percepton këto dy sisteme jo njëlloj. Nëse krimet e fashizmit gjithmonë kujtohen, për habi, për krimet e komunizmit në pjesën më të madhe të ish-vendeve komuniste, heshtet, ndërsa për ndëshkimin e përgjegjësve për vrasjet, për burgosjet, për rrënimin dhe trullosjen e tre a katër brezave – as që bie fjala. Prej nga e ka zanafillën kjo asimetri në sjelljen ndaj nazizmit dhe komunizmit, – pyet Bezansoni? Ai parashtron shtatë shkaqe. Së pari, nazizmi është shumë më i njohur, për shkak se aleatët hapën kanatësh “dollapët me kufoma”, ndërkohë që shoqëritë perëndimore i kishin provuar në lëkurë të vet egërsitë e hitlerianëve. Por GULAG-u sovjetik dhe kampet e përqendrimit kinez “Laogaj”- ishin për europianët diç e përlargët dhe mjegullore. Së dyti, detyrën për të ndërmendur krimet e nazizmit e mori përsipër populli hebre. Njerëzimi duhet t’u jetë mirënjohës hebrenjve, që gjenocidi fashist i kryer mbi ta, nuk iu la harresës, – shkruan Bezansoni. Së treti, nazizmi dhe komunizmi qenë përzier në polet e përkundërta të fushës magnetike – në të djathtën dhe të majtën. Shumë intelektualë e klasifikonin komunizmin tek forcat e majta, duke e marrë aparencën dhe dinakërinë e parullave të ideologëve komunistë si të vërteta të padiskutueshme. Ndërsa rrënjët e nazizmit i shihnin të lidhura me ideologjinë e djathtë. Por në të vërtetë, fashizmi italian dhe gjerman i kanë rrënjët pikërisht në demagogjinë e majtë – ja paradoksi. Së katërti, aleanca ushtarake e shteteve demokratike me Bashkimin Sovjetik në kohën e luftës kundër Gjermanisë hitleriane e dobësoi mbrojtjen e Perëndimit nga komunizmi dhe lindi në njëfarë lloji bllokadën intelektuale. Vendet demokratike u sakrifikuan rëndë në emër të fitores mbi Hitlerin. Mandej, në përfundim të kësaj lufte, perëndimorët nuk kishin më fuqi, që të mund të ndalnin edhe regjimin sovjetik, e, së mbrami, duke u përpjekur të ruajnë ekuilibrin, ata i ndihmuan atij të mbahet. Së pesti, një arritje e madhe e ideologëve sovjetë ka qenë dhe ajo, që ata përhapën dhe diktuan sistemin e tyre të klasifikimit të regjimeve politike: socializmin ia kundërvinin kapitalizmit, madje socializmin e identifikonin plotësisht me rendin sovjet. Së gjashti, dobësia e një grupi njerëzish, të aftë për të ruajtur kujtesën mbi komunizmin. Nazizmi sundoi përgjatë 12 vjetëve, ndërkohë që komunizmi europian pati një ekzistencë midis 50-70 vjetësh. Gjatë kësaj kohëzgjatjeje, shoqëria qe rrënuar, elitat dalëngadalë u shfarosën, duke iu nënshtruar dhunshëm riedukimit. Mbretëroi mashtrimi, pabesia, perversioni moral. Shumica e njerëzve të pavarur, të aftë për reflektim, u privuan nga mundësia e njohjes së historisë dhe e humbën aftësinë e analizës. Pas rënies së sistemit totalitar, gjëja më e vështirë është të ringresh parimet morale dhe aftësitë intelektuale. Gjermania ishte në një gjendje më të volitshme se Rusia postsovjete: Hitleri nuk pati kohë të plotë, që të shfaroste shoqërinë qytetare. Së shtati, amnezia, me të cilën kemi punë në rastin e komunizmit, na shpie në përfundimin se kujtesa për nazizmin vazhdoi të mbetet e të ushqehet fort, ndërsa nuk ndodhi e njëjta gjë me komunizmin.

V Analizës universale të Bezansonit nuk i kundërvihesh dot. Përvoja shqiptare vetëm sa e ekstremalizon këtë skemë. Fare pak fjalë më mbeten për të rrëzuar kundërshtimin dhe irritimin emocional të Rexhep Qoses në lidhje me termin “gjenocid”, ngase dëshmitë ta bëjnë më të lehtë përgjigjen. Së pari, Qosja gabon kur e redukton çështjen, sikurse shprehet: “kurrë nuk gjendet ndonjë popull që t’i ketë bërë gjenocid vetvetes”. Çështja shtrohet, se gjenocidin nuk e bëri populli kundër vetvetes, por një grup kriminelësh që erdhën në krye dhe instaluan regjimin më të egër e më gjakatar të diktaturës staliniste. Ata e jo populli kanë kryer gjenocid mbi qytetarët shqiptarë. Së dyti, “lufta e klasave”, krejt sipas përkufizimit të fjalorëve mbi gjenocidin, me zhdukjen e “borgjezisë”, zhdukjen e “intelektualëve perëndimorë”, zhdukjen e “kulakëve dhe tregtarëve”, zhdukjen e “klerikëve” dhe nxjerrjen jashtë ligji të besimit, pra likuidimi i këtyre “klasave e grupeve sociale”, në mos gjenocid, çfarë është tjetër? Së treti, sikur në këtë vend me të shkuar diktatoriale, të gërbulur në krime rrëqethëse, të ishte bërë ndonjë “proces Nurenbergu” dhe të dilnin nga arkivat e dosjet dëshmitë e mizorisë dhe krimit shtetëror, do të bindej edhe dreqi për përmasat e llahtarshme, pikërisht të gjenocidit. Por edhe në mungesë të kësaj, i rekomandoj Qoses të bëjë vetëmse një verifikim (megjithëse ma do mendja t’i dijë më mirë se unë): të hapë gazetën e përditshme “Bashkimi” të viteve 1945-1946. Po citoj një prej sosh: “Dje, më 28 Prill 1945, në sallën e Gjyqit Ushtarak të Zonës së I-rë të prapavijave, Gjykata e formuar nga Nënkolonel Bilbil Klosi, Kryetar, Ismail Çaushi anëtar, Argjir Lipivani anëtar dhe Prokuror Major Gjon Banushi, duke pasur si sekretar Mustafa Zajën, për të njëzet e shtatë të gjykuarit gjatë javës, vendosi këto dënime: Me vdekje: Mersin Mumajezi, Besim Pazari, Muharrem Vrioni, Mersin Hasi dhe Bajram Muxhaqi. Me burgim të përjetshëm: Atif Golja dhe Luan Baçi. Ramazan Jarani u dënua me tridhjetë vjet burgim, Vilhelm Mazreku me njëzet vjet, Beqir Ajazi me pësëmbëdhjetë…. Demir Alizoti u dënua me dy vjet burgim, duke u liruar që sot, më konditë që brenda pesë vjetëve të mbajë qëndrim të mirë politik…” (“Po mbyllen faqet e tradhëtisë” – nga Gazeta “Bashkimi”, e Djelë 29 Prill 1945, faqe 1). Pothuajse çdo ditë do të gjesh lajme se si ekspeditat komuniste pushkatojnë pa gjyq e burgosin me dhjetëra njerëz të pafajshëm nën sajesën “bashkëpunëtor i pushtuesit”. Ata që shkelnin këmbëzën, sigurisht, nuk ishin “populli kundër popullit”, por një klikë terroristësh politikë, që sunduan për gjysmë shekulli, ndërsa sot kanë bijtë në politikë. Qoses nuk i pëlqen ta quajë “gjenocid” këtë, por vrasje. Unë them se është gjenocid i pastër. Çështje botëkuptimesh… Së katërti, edhe unë kam pakënaqësitë e mia ndaj “PAVIJONIT TË GJENOCIDIT”, por jo për emërtimin. “Pavijoni i gjenocidit komunist” duhej të kishte qenë një ngrehinë rrotullare më e madhe se Unaza e Tiranës, brenda të cilit të dëshmohej historia e terrorit individual e kolektiv, ashtu siç ka qenë, mizore dhe e pashoqe në krejt botën, më qindra-mijëra dokumente e aktakuza absurde që çuan në pushkatim e burgosje qindra-mijëra shqiptarë dhe përndoqën e shkatërruan jetën njerëzore të qindra-mijëra familjeve e brezave të tërë. Të ishte ngritur një “Pavijon”, në të cilin çdo shqiptar të shihte e të krijonte sadopak një ide mbi rrënimin dhe sfilitjen kolektive të shqiptarëve, mbi varfërinë dhe privimin nga çdo e drejtë elementare dhe, së mbrami, mbi shuarjen dhe shprishjen e etnopsikikës kombëtare të shqiptarit, me të cilin u sollën si me një kavie eksperimentale. Atëherë po, do të kishim çfarë të mendojmë, do të kishim kë të fajësojmë, do të dinim me çfarë ta edukonim kujtesën e brezave të rinj. Në mungesë të këtij Pavijoni ideal, brezi i njomë është i pambrojtur nga lloqet e nostalgjikëve të diktaturës dhe avokatëve të saj, deri tek vikamat kushtruese të sotme të gramoz ruçërve për të bërë kasaphanën e radhës në popullin tim.

*Autori është Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Shqipëri.

KOMENTE