English

Jeta vazhdon edhe në kohë zgjedhjesh

Nga Mustafa Nano

Dje u mbyll balotazhi 48 orësh i zgjedhjeve të pjesshme lokale në Itali. Ishin zgjedhje të tensionuara, gjë që u vu re në mënyrë të veçantë në garën për të marrë kreun e bashkisë së Milanos e të Napolit. Kandidatët adoptuan një gjuhë të pakujdesshme në adresë të sho-shoqit. Në Napoli u hodhën akuza për fushata të sponsorizuara nga Camorra, për lidhje me qarqe kriminale etj. Ballafaqimi televiziv gjatë javës së shkuar mes Lettieri-t të qendrës së djathtë, dhe de Magistris-it të majtë u karakterizua nga mungesa e frikshme e qibrës dhe e klasit. E njëjta gjë ndodhi dhe në Milano. Debati i dytë televiziv midis Moratti-t dhe Pisapia-s nuk u zhvillua. Ky i dyti nuk pranoi të shkonte, pasi në të parin u ndodh përballë sulmesh jo fort elegante.

Theksova sa më sipër jo për t’u marrë me thelbin e kësaj fushate, apo me përthyerjet e saj nëpër qytete e metropole të fqinjit tonë të përtej Adriatikut (nuk do të kish interes kjo gjë për lexuesin shqiptar), por për të dalë gjetkë; për të dalë te mbulimi televiziv i kësaj fushate. Ndonëse ka qenë e ashpër dhe e pazakontë, fushata nuk mundi të shndërrohet në një headline. Të kuptohemi, nuk është se ka munguar informacioni i natyrës elektorale; s’do kish kuptim të mungonte. Por puna është, se kush ka dashur apo ka mundur të ndjekë edicionet informative dhe programet e tipit talk-show të kanaleve të Rait-t apo Mediaset-it gjatë muajit të fundit nuk do të ketë hequr shumë për të vënë re se “fushata nuk ish një ngjarje televizive kushedi se çfarë”. Duke përjashtuar ndonjë ditë të veçantë, në lajme jepej rëndom ndonjë dy minutësh elektoral, dhe jepej me një ton aq të kontrolluar sa, po të mos ishte shumë i vëmendshëm, s’kishe si ta kuptoje se ndodheshe në mes të atmosferës e klimës elektorale. Informacioni ishte aq i balancuar sa, në ditën që Berlusconi ndërmori një raid televiziv në të gjitha kanalet, të gjithë ndien e kuptuan, se ai po e bënte baltë. Diskutimin që u provokua nga kjo kuturisje e Berlusconi-t e pasuan gjoba në adresë të këtyre televizioneve.

Mesazhi që merr teleshikuesi prej kësaj sjelljeje gazetareske është shumë i thjeshtë e shumë i qartë: Zgjedhjet janë një ngjarje e rëndësishme në demokraci, por ato nuk ka asnjë arsye që të shndërrohen në një përparësi mbi përparësitë. Politikanët do donin, ndoshta, që fytyrat dhe mesazhet e tyre elektorale të shfaqeshin çdo mbrëmje në TV, por media nuk ka pse të nxjerrë fare nga fokusi jetën që rrjedh. Dhe në fakt, në asnjë vend normal nuk ndodh kështu. Në Itali, programet televizive që i dedikohen politikës e politikave vijojnë të funksionojnë po njësoj, pa e lëshuar veten të tërhiqen zvarrë nga tollovia elektorale. Nuk do t’ia falte askush, fjala vjen, Bruno Vespa-s, i cili drejton një talk-show shumë të ndjekur në Rai Uno (nga e hëna deri të enjten), që të fokusohej në mënyrë ekskluzive te zgjedhjet. Bash për këtë shkak ai nuk e bën këtë. Përkundrazi, bën atë që bën në çdo kohë: flet, me gojën e të ftuarve, për zgjedhjet, por mú në pikun e zgjedhjeve flet edhe për Italinë e ditëpërditshme, për Italinë e sportit, të televizionit, të modës, të gatimit, të kulturës, të kronikës së zezë, të humorit, të spektaklit, të muzikës, të ekonomisë që ka ngecur etj., etj. Madje, edhe programe televizive të ngritura mbi motivime më të qarta politike (programi i Santoro-s të enjteve në Rai Due, apo i Floris-it të martave në Rai Tre) ndjekin përparësitë e shqetësimet italianëve dhe jo axhendën e politikës. Shkurt, zgjedhjet kanë rëndësinë e vet, por nuk mund të ndodhë që ato të jenë kryelajmi i çdo dite gjatë fushatës elektorale.

Por është pikërisht kjo që ndodh këtej nga anët tona. Të jesh në Shqipëri gjatë një fushate elektorale të krijohet përshtypja se bota ka rënë dakord të rrijë pezull e të mbajë frymën një copë herë, pasi në ring kanë dalë Berisha e Rama. Të krijohet përshtypja se nuk ekzistojnë (ose kot që ekzistojnë) SHBA-të, Kina, ndotja e planetit, kriza ekonomike, Barack Obama, luftërat dhe revolucionet në Lindjen e Mesme, Leo Messi, LeBron James, Formula Uno, Hollywood-i, “revolucioni” spanjoll i këtyre ditëve, Kosova, Greqia që po fundoset etj., etj. Të krijohet përshtypja, gjithashtu, se njerëzit në Shqipëri kanë rënë dakord të mos jetojnë për ca kohë, kanë rënë dakord të mos hanë, të mos pinë, të mos bëjnë seks, të mos udhëtojnë, të mos lindin, të mos vdesin, të mos vrasin, të mos vjedhin, të mos falen e luten, të mos lexojnë, të mos prodhojnë, të mos shesin e të mos blejnë, të mos ngujohen, të mos bëjnë tendera, të mos zaptojnë troje e të mos ndërtojnë pa leje etj., etj. Pse e gjitha kjo? Ngaqë duan të ndjekin Berishën e Ramën pra. Kjo është panorama që jep media jonë.

Dhe pasojat janë të dukshme. Ia vlen të veçosh dy. Së pari, një si budallallepsje kolektive. Dhe në fakt, do ishte fat të mos gdhiheshe i budallallepsur, pasi ke parë çdo natë, për një muaj rresht, në të gjitha kanalet televizive, debate politike mes të njëjtave fytyra. Thashë “çdo natë”? Kërkoj ndjesë për pasaktësinë. Duhet të them dhe çdo ditë e gjithë ditën. Televizionet tona kanë transmetuar nga mëngjesi deri në mbrëmje tubimet elektorale të të gjitha partive, të të gjithë udhëheqësve, në çdo cep të Shqipërisë. Janë lajme që njerëzit i ndjekin me hir, me pahir, teksa janë duke pirë kafe në bar-in e lagjes së tyre.

Së dyti, ky mbulim mediatik në stil të gjerë maniakal prodhon vetvetiu një egërsim të palëve, e sidomos të militantëve. E ndodhin ato që ndodhin. E mbani mend? Nuk pati ditë të kësaj fushatës sonë që të mos informoheshim mbi një rrahje mes militantësh partie, mbi nxjerrje armësh, mbi grindje me thika etj. Dhe është fare e lehtë që këto rrahje t’i përfytyrosh në një mizanskenë, ku nuk mungojnë pamje televizive të kanalit ABC, Ora-News apo News 24.

Dhe tani, bëni krahasimin me Italinë! Pa harruar një gjë, amá: Italia është modeli më i afërt, por jo më i miri.

*Qëndrimet e shprehura nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht vijën editoriale të NOA

KOMENTE