English

Një festë e mrekullueshme në Turqi për nxënës të shkëlqyer në mësime

Albtelecom dhe Eagle Mobile festojnë 1 Qershorin me fëmijët në Stamboll

Stamboll, 1 Qershor 2011 NOA - ALBtelecom dhe Eagle Mobile feston 1 Qershorin në Stamboll bashkë me 10 nxënës me rezultate të shkëlqyera, të përzgjedhur nga shkolla të ndryshme të kryeqytetit. Grupi i fëmijëve është përzgjedhur nga familje në nevojë në bashkëpunim me Zonjën e Parë, Teuta Topi.

ALBtelecom dhe Eagle Mobile për të dytin vit rresht mundësojnë festimin e “1 Qershorit” në Turqi së bashku me drejtuesit më të lartë të Grupit Çalik.

Grupi i fëmijëve është përcjellë në Aeroportin “Nënë Tereza” nga Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom dhe Eagle Mobile Dr. Orhan COŞKUN (Xhoshkun) dhe Zonja e Parë Teuta Topi.

Zonja Topi tha se ALBtelecom dhe Eagle Mobile tashmë e kanë bërë traditë organizimin e një guide-tur në Stamboll për fëmijët me rezultate të mira në mësime dhe që vijnë nga familje me të ardhura minimale. Sipas saj, të dy kompanitë japin një mesazh domethënës për fëmijët, se çdo punë e mirë që bëhet shpërblehet.

“Janë zgjedhur nxënës me rezultate të larta dhe me kushte jo të mira ekonomike, me qëllim përçimin e mesazhit të fëmijët e tjerë se me punë dhe dashuri për të ardhmen çdo gjë mund të sfidohet dhe çdo betejë mund të fitohet. Ju uroj gëzuar festën e 1 Qershorit, rezultate të larta në mësime dhe të vazhdojnë të përkushtohen në mësime”, u shpreh Zonja Topi.

Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom dhe Eagle Mobile, Orhan Coşkun, duke uruar festën të gjithë fëmijëve shqiptarë shtoi se të dy kompanitë ndihen krenare nëse do të ndikojnë sadopak në të ardhmen e fëmijëve.

“Kam shpresën se këta fëmijë do të jenë mësuesit, inxhinierët, doktorët, avokatët e të ardhmes. Në këtë mënyrë ata do të mund të jenë të dobishëm dhe do t’u shërbejnë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Do të ndjehemi shumë krenarë dhe të lumtur nëse do të shohim që kemi ndikuar në të ardhmen e këtyre fëmijëve”, u shpreh z. Coşkun.

Më pas, 10 fëmijët kanë fluturuar drejt Stambollit, ku kanë vizituar qendrën e kompanisë prestigjioze Çalik Holding. Fëmijët janë pritur në një takim të veçantë nga Presidenti i kësaj kompanie z. Ahmet Çalık, i cili ka biseduar me ta rreth të ardhmes së tyre dhe tema të tjera me interes për moshën e fëmijëve.

Zoti Çalik për secilin prej fëmijëve ka shpërndarë nga një dhuratë, ndërkohë ka shtruar një drekë për ta.

Z. Çalik tha se ndihet ndihet i gëzuar që pret në zyrën e tij një grup nxënësish me rezultate të shkëlqyera nga Tirana. “Uroj dhe shpresoj që Stambolli t’ju pëlqejë t’ia kaloni bukur. Është kënaqësi për ne si Çalik Group të presim një grup fëmijësh nga Shqipëria si dhe të mbështesim kompanitë tona në Shqipëri, në fushën e Përgjegjësisë Sociale”, u shpreh Çalik.

Pasditen e 1 Qershorit, 10 nxënësit e dalluar kanë bërë një vizitë në Konsullatën ShqiptareStamboll, ku janë pritur përzemërsisht nga Konsulli i Republikës së Shqipërisë në Stamboll z. Ermal Muça. Në pritjen e tij për fëmijët, Z. Muça ka organizuar një koktail ku të pranishëm kanë qenë dhe pjesëtarë të tjerë të stafit të Konsullatës. “Jam shumë i lumtur që pres këtë grup të fëmijëve në selinë e Konsullatës ShqiptareStamboll. Uroj dhe shpresoj t’ia kalojnë sa më bukur gjatë gjithë qëndrimit në Stamboll. Më këtë rast më lejoni të uroj të gjithë fëmijët shqiptarë gëzuar 1 Qershorin”, u shpreh z. Muça.

Grupi i fëmijëve ka vizituar edhe njërin prej grupeve mediatike më prestigjioze në Turqi “Turkuvaz”, i përbërë nga kanali televiziv “ATV”, gazeta “Sabah”, etj.

Shëtitja në sheshin “Taksim” ka qenë dhe konkludimi i shëtitjeve në Stambollin e Lashtë dhe modern. Fëmijët u përzgjodhën nga shkollat 9 vjeçare “Bajram Curri”, “Shkolla e Kuqe”, “Xhezmi Delli”, “Fan Noli”, “Dhora Leka” dhe gjimnazi “Qemal Stafa”.

ALBtelecom dhe Eagle Mobile edhe në vitet e kaluara ka vlerësuar nxënësit dhe studentët më të mirë, fëmijët jetimë, me shëtitje të tilla dhe bursa studimi.

Ndërkohë, Eagle Mobile krahas bursave që vazhdon të japë për fëmijët jetimë, ka kontribuar edhe me projektin e mirënjohur “Biznesi në ndihmë të fëmijëve Jetimë” në të cilin ftoi 25 biznese të tjera që kontribuuan për këtë pjesë të rëndësishme të komunitetit në Shqipëri.

e.t/NOA

KOMENTE