English

“Der Spiegel”: Tensionet politike në Shqipëri, dëmtojnë shanset për t’iu afruar BE-së

Berlin, 8 qershor, NOA - Tensionet politike që përfshinë periudhën e zgjedhjeve të fundit, po dëmtojnë shanset e Shqipërisë për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian.

Kështu citon një artikull i prestigjiozes gjermane “Der Spiegel”, dedikuar zhvillimeve më të fundit politike në Shqipëri, shkruar nga Jan Puhl.

Sipas tij, vendi është i ndarë në dy kampe politike dhe protestuesit e zemëruar kanë nisur tashmë rrugën e premtuar të një “revolucioni”.

”Zgjedhjet lokale u zhvilluan katër javë më parë, Rama u rizgjodh kryetar bashkie i kryeqytetit më 8 maj, por vetëm me një diferencë prej 10 votash. Pastaj, Komisioni Zgjedhor ndërmori një rinumërim votash, dhe ai nxori rivalin e tij Lulzim Basha, të Partisë qeverisëse Demokratike, fitues me 81 vota. Rama e çoi çështjen në gjykatë, por ankesa e tij u hodh poshtë gjatë fundjavës. Ndërsa tani avokatët e tij janë duke u përgatitur për padinë e tyre të ardhshme”, citon artikulli.

Shpresa për Kryeministër ... Duke bërë me dije më pas se “zyra e kryetarit të bashkisë në Tiranë duket se nuk ka qenë e mjaftueshme për Ramën për një kohë të gjatë, dhe ai ushqen shpresën për t'u bërë kryeministër i vendit të tij, një nga më të varfrit në Evropë. Që nga humbja e bastionit të, ai duket i bindur në atë që thotë për armikun e tij, kryeministrin Sali Berisha, se i ka manipuluar rezultatet”.

Pasojat për integrimin Më tej, artikulli i “Der Spiegel” vijon duke bërë me dije se

Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe do të donte të bashkohej me Bashkimin Evropian, porse dyshimet e ngritura rreth zgjedhjeve bashkiake në Tiranë kanë zvogëluar shanset se kjo ëndërr do të bëhet realitet së shpejti në kohë.

“Anembanë Ballkanit, në fakt, - citon “Der Spiegel”, - qeveritë janë duke marrë goditje të tilla që do të merren seriozisht si anëtarë të mundshëm të BE-së.

Serbia nga ana e saj, është duke punuar në drejtim të pajtimit me Kosovën. Maqedonisë i duhet të vërë mënjanë gjakmarrjen e saj të vjetër me Greqinë fqinje, ndërsa Kroacia i ka nxjerrë kriminelët e saj të luftës në gjyq.

Më shumë se 20 vjet pas rënies së perdes së hekurt, vetëm Shqipëria mbetet shumë prapa.

Shumë vëzhgues e konsiderojnë vendin të jetë një kala e armëve, drogës, trafikantëve dhe gjakmarrjes”.

Rama, një bohem në Paris

“Ramës i pëlqen të flirtojë me idenë se ai nuk është një politikan i mirëfilltë. Ai e ka pikturuar me të kuqe të errët zyrën e tij, ndërsa një pikturë varet në mur. Para se ai të zgjidhej për herë të parë si kryebashkiak në vitin 2000, jetoi si një bohem në mërgim, në Paris. Ai ishte një piktor i suksesshëm, me ekspozitat në Nju Jork, São Paulo dhe Frankfurt. Pastaj ai i vuri syrin vendlindjes së tij lënë pas dore me pluhur dhe me kujdes, e zbukuroi xhunglën post-komuniste. ‘Ngjyrat ishin një sinjal se kemi kërkuar që të ndryshojë diçka’, citon “Der Spiegel” një deklaratë të tij.

Më tej, artikulli i gazetës gjermane vazhdon me detaje nga Tirana, ku përmendet zona e ish-Bllokut, si transformim i një zone të mbyllur për nomenklaturën, në një zonë hip me restorante dhe bare. “Parqet janë të pastra, rrugët kryesore janë të shtruara dhe me fllad, ndërsa sheshi “Skënderbej”, ai kryesor i Tiranës, u rinovua me fonde nga Kuvajti. Edhe pse kryeqyteti është shtuar nga një popullsi prej 220.000 mijë veta, në 1.5 milion gjatë 20 vjetëve, ai konsiderohet ende një qytet të sigurt”, pohon ai.

Duke shtuar se “pjesa më e madhe e kësaj mund t'i atribuohet Ramës, por për disa kohë, ai ka pasur një reputacion të dëmtuar.

“Rënia e tij ka filluar në zgjedhjet e qershorit 2009. Në atë kohë, Partia Demokratike e Berishës, si pjesë e një koalicioni me partitë e tjera më të vogla, fitoi 70 nga 140 vende në parlament. BE-ja nuk i kundërshtoi zgjedhjet, dhe Rama u ndje i mashtruar nga fitorja e tij. Socialistët e bojkotuan parlamentin, ndërsa çdo të premte, ai dhe pasuesit e tij protestonin përpara zyrës së kreut të qeverisë”, shkruhet në “Der Spiegel”. Ndjenjë e dobët e Demokracisë

Gazeta gjermane përmend më pas faktin se rivaliteti mes dy rivalëve kryesorë politikë në vend, nxjerr në pah problemet e Shqipërisë.

"Fajin e ka Saliu" ishte slogani i vetëm që kryetari socialist, Edi Rama përdoruri në fushatën e tij zgjedhore. Në të vërtetë, Rama nuk ka platformë politike për të folur dhe gjithçka që ai ka, është vetëm urrejtja e tij për Berishën, ai e mbyt debatin në parti dhe i sheh gjërat vetëm bardhë e zi.

Fatos Lubonja: U shndërrua në demagog ”Fatos Lubonja, nuk është i befasuar me mutacionin e artistit në një demagog. "Ne ishim miq", thotë ai, "dhe unë i thashë atij edhe atëherë që ai ishte i rrezikshëm".

Duke vijuar më pas për “Der Spegel”, analisti i njohur citon se "Rama dhe Berisha janë të dy të mbështetur nga klikat dhe oligarkët", duke i përshkruar ata si biznesmenë të korruptuar të cilët kontrollojnë industrinë e ndërtimit dhe të medias.

"Fqinjët tanë janë italianët me ministrin e tyre të korruptuar, kryeministër të pavlerë dhe, në anën tjetër, ne kemi grekët e falimentuar", thotë Lubonja. Ai gjithashtu mendon se shqiptarët ende kanë një mendësi pak të zhvilluar demokratike.

Për shqiptarët, shteti është i pavlerë. Ezksiton një mentalitet autoritar dhe janë të paaftë për kompromis," thotë ai.

Biznesmeni gjerman për “Der Spiegel”

Në fund, “Der Spiegel” citon të flasë një biznesmen gjerman, që nuk pranoi të japë emrin e tij nga frika se kjo mund të dëmtojë biznesin e tij në Tiranë.

"Ju keni vetëm një shans këtu: nëse merrni me ata që janë në pushtet. Nuk ka rëndësi nëse ata quhen Rama apo Berisha. Ata marrin një prerje për çdo marrëveshje të madhe", tha ai.

Biznesmeni tha më pas se ka punësuar vetëm gra për kompaninë e tij. Kjo është një praktikë e përdorur shpesh edhe nga ana e investitorëve në Afrikë. Përvoja ka treguar se gratë janë më pak të korruptuara, dhe përballojnë sektorët më të vështirë të punës. Ai ka qenë këtu për pesë vjet dhe dëshiron të qëndrojë...

Përshtati: n.e/NOA

KOMENTE