English

Shqipëria prezantohet për herë të parë në Edicionin e 2011-ës të panairit në Romë

Romë, 8 qershor 2011, NOA- Shqipëria për të parën herë merr pjesë në panairin JOSP Fest në Romë, në edicionin e vitit 2011.

Ky prezantim i vendit tonë vjen për ruajtjen dhe vlerësimin e trashëgimisë kulturore, fetare të popullit shqiptar dhe në veçanti të objekteve kulturore e fetare që përkojnë me itinerarët e shtegtimeve të lashta të kulturave të ndryshme si dhe falë dëshirës dhe interesit për trashëgiminë kulturore e fetare të së shkuarës në të mirë të zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë dhe zhvillimit të turizmit kulturor e fetar, Shqipëria u prezantua për herë të parë në Edicionin e 2011-ës JOSP Fest në Romë.

Ky aktivitet ndërkombëtar JOSP Fest u zhvillua përgjatë datave 2-5 Qershor 2011. Agjencia Kombëtare e Turizmit, u përfaqësua me anë të një stende me një sipërfaqe prej 9 metra² në rrugën Conciliazione, pranë sheshit San Pietro, e ishte e personalizuar me logon e turizmit shqiptar dhe në të cilën u shpërndanë materiale promocionale. Gjithashtu vendi ynë u prezantua edhe me dy panele grafike, me imazh nga kanionet e Osumit, aktiviteti rafting, në piazza Navona dhe Farnese në Romë.

Gjatë datës 3 qershor u mbajt edhe një konferencë në Auditoriumin e Vatikanit ku merrnin pjesë 150 operatorë nga shtete të ndryshme, ku Shqipëria u paraqit me një dokumentar dinjitoz, rreth 10 min.

Në konferencë e pranishme ishte Ministria në Detyrë e MTKRS-së, Suzana Turku, e cila bëri një prezantim të gjatë mbi rrugët e Peligrinazhit në Shqipëri dhe vendet kulturore fetare katolike si dhe arsyet pse Shqipëria duhet të jetë e përfshirë në pikat e ndalimit gjatë udhëtimit për në Jerusalem.

Ky prezantim i hollësishëm për vendet turistike shqiptare u bë nga Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Franka Paloka e cila prezantoi Shqipërinë si destinacion turistik. i gjithë prezantimi u shoqërua me pamje nga vendi ynë.

Gjithashtu në 4 Qershor u organizua dhe një takim nga ORP (Opera Romana Pellegrinaggi) ku të pranishëm në takim ishin përfaqësuesit më të lartë të MTKRS si dhe Ambasadori i Shqipërisë në Vatikan Z.Rrok Logu, i cili ishte iniciatori i hartimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe ORP-së, marrëveshje që bëri të mundur dhe marrjen pjesë për herë të parë të vendit tonë në këtë event të madh turistik.

Gjatë takimit u ra dakord për disa çështje si, projektet e zhvilluara në nivel ndërkombëtar, në kuadrin e zhvillimit të turizmit të pelegrinazhit, si dhe planifikimet për shtrirjen e tij edhe në territorin e Shqipërisë, i konsideruar si vend qëndrimi, gjatë udhëtimit në Jeruzalem.

Më tej u ndal edhe në përgatitjen e portualit për promovimin e turizmit të pelegrinazhit, në të cilën do të përfshihet edhe Shqipëria. Strukturat e gjeoreferuara do të vendosen në hartën e Shqipërisë, e cila do të shpërndahet me “android” tek pelegrinët.

Projekti synohet të krijojë një informacion të plotë mbi territorin, të analizojë nëpërmjet vizitës së ekspertëve situatën ekzistuese territoriale, potencialet dhe produktin turistik ekzistues.

U ra dakord gjithashtu edhe për zhvillimin e projekteve për ristrukturimin e zonave fshatare, për sigurimin e kapaciteteve akomoduese, zhvillimi i Turizmit të biçikletave dhe trajnimi i guidave përkatëse si dhe hartimi i broshurave promocionale për shpërndarje në agjenci dhe tour operator ndërkombëtarë.

Pjesëmarrja e Shqipërisë erdhi nisur nga protokolli i bashkëpunimit midis Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe Opera Romana Pellegrinaggi.

NOA

KOMENTE