English

Vetëvendosje: Reforma zgjedhore, për të mbajtur pushtetin me çdo kusht

Prishtinë, 8 qershor 2011, NOA- Nëpërmjet një deklarate për mediat, lëvizja Vetëvendosje deklaroi se, ndryshimet në ligjin zgjedhor, me anë të ngritjes së komisioneve si pjesë e marrëveshjeve politike, nuk po bëhen për interesa të vendit por me qëllim të mbajtjes së pushtetit me të gjitha mënyrat e mundshme.

Sipas Vetëvendosjes e gjithë kjo situatë bëhet për manipulimin dhe vjedhjen e votës së sovranit, nga po të njëjtat subjekte që momentalisht propagandojnë reformën zgjedhore.

Më tej theksohet se po ata që kanë vjedhur ose kanë udhëzuar manipulimin sistematik të votës së lirë duke futur në përdorim gjithë mekanizimin shtetëror dhe partiak në funksion të vjedhjes, tani po të njëjtët mundohen të fshihen prapa komisioneve të tilla.

Sakaq Vetëvendosje i bëri thirrje organeve të drejtësisë që gjitha rastet që lidhen me manipulimin e votës së sovranit të ndëshkohen dhe në këtë mënyrë të filloj kthimi i besimit të humbur në procesin e zgjedhjeve.

Komisionet për ndryshimet në ligjin zgjedhor, lëvizja Vetëvendosje i ka konsideruar si, “Një kozmetikë e vendosur mbi fytyrën e vërtetë të procesit zgjedhor të 12 dhjetorit, me qëllim të shmangies së vëmendjes nga nevoja që të kthehet besimi tek qytetari në sistemin zgjedhor duke ndëshkuar manipuluesit e votës dhe patronët e tyre. Fundja si mund të vlerësohet një ligj zgjedhor kur i njëjti nuk është zbatuar asnjëherë në plotësinë e tij”.

Në vijim janë rekomanduar disa pika ku reformimi i sistemit zgjedhor duhet të përqendrohet si, një formulë zgjedhore që siguron përfaqësim e që pasqyron ekzaktësisht atë që dëshiron sovrani, ku sistemi zgjedhor garanton përfaqësim demokratik, e jo të imponuar.

Vetëvendosje ka shprehur gatishmërinë e saj për tu bërë pjesë e të gjitha komisioneve për reformën, me kusht që qytetari të jetë në plan të parë si dhe ka theksuar se, ligj zgjedhor të jetë i tillë ku mekanizmat parandalues për manipulimin e votës janë të qartë por edhe të zbatueshëm në ditën e zgjedhjeve si dhe të kthejë besimin te votuesi që vota e tij nuk do të manipulohet.

a.y/NOA

KOMENTE