English

Maqedoni, zbulohet 105 kg drogë, vinte nga Shqipëria

Ohër, 11 qershor 2011 NOA/INA- Policia e Maqedonisë ka zbuluar dhe konfiskuar 105 kg drogë-marihuanë, e trafikuar në Maqedoni nëpërmjet ujërave të Liqenit të Ohrit.

Gjatë këtij operacioni janë arrestuar dy persona, të cilët po trafikonin marihuanën nga territori shqiptar në Maqedoni.

Grupi i trafikantëve ishte ndaluar gjysmë ore pas mesnate, në udhëkryqin e fshatit Mazhusishte dhe fshatit Ropotovë, në rrugën regjionale në drejtim të Prilepit, kur policia ndaloi veturën e tipit “Volvo V-40”, me targa të Tetovës, drejtuar nga F.Z.(40) nga Sellca e Tetovës dhe bashkudhëtari i tij F.S.(33) nga Strimnica e komunës së Zhelinës.

Gjatë kontrollit të ushruar, në bagazhin e veturës, janë zbuluar në çanta, të paketuar 99 pako, të mbështjellura me rreth 104 kg e 980 gram. Sipas policisë, dy trafikantët e ndaluar marihuanën e kishin marrë në afërsi të Eurohotel në Strugë, që supozohet se deri aty është sjellë nga partnerët nga Shqipëria, nëpërmjet ujërave të Liqenit të Ohrit.

Për shkak të ekspertizës, pakot e sekuestruara janë dorëzuar në degën e krim teknikës në MPB në Shkup. Sipas analizave është konstatuar se bëhet fjalë për marihuanë shumë cilësore, vlera e së cilës arrin në 400 mijë euro.

KOMENTE