English

Greqia ul qepenat, grevë 24 orëshe dhe protesta në disa qytete

Athinë, 15 qershor 2011, NOA - Sektori publik dhe ai privat në Greqinë fqinje është paralizuar për shkak të grevës 24 orëshe që ka nisur mëngjesin e kësaj të mërkure. Në grevë janë punonjësit e transportit publik, bankat, telefonia fikse, administrata lokale dhe mjaft sektorë të tjerë.

Veç grevës së sindikatave, lëvizja qytetare “Pame” ka lajmëruar protesta në 67 qytete.

Tubimet më të mëdha pritet të zhvillohen në kryeqytetin Athinë dhe në qytetet e Pireut dhe Selanikut.

Ky reagim vjen pas masave antikrizë të qeverisë greke si dhe zhgënjimit që qytetarët kanë pësuar nga udhëheqja politike e vendit të tyre.

Lëvizja e sotme zhvillohet pikërisht në kohën kur parlamenti grek do të diskutojë programin afatmesëm të daljes nga kriza.

Protestuesit do t’i thonë “jo” këtij plani, i cili parashikon masa shtrënguese për daljen nga kriza.

Po ashtu pritet që ditën e sotme kryeministri grek të zhvillojë një takim të jashtëzakonshëm me presidentin e Republikës, Karolios Papulias.

Qeveria Papandreu po ndeshet prej disa muajsh me një valë zemërimi të qytetarëve, e cila ka çuar vendin në një pikë kritike.

Në alarm është edhe policia e vendit fqinj.

Më shumë se 5 mijë forca policie janë në gatishmëri për të mbikqyrur protestën e sotme, ndërsa janë mobilizuar edhe forcat speciale.

mit/NOA

KOMENTE