English

Kriza gjendet në Bruksel, jo në Athinë

Europa nuk mund të konkurrojë në një botë të dominuar nga Amerika dhe Kina, nëse nuk mendon në mënyrë proaktive dhe nëse nuk vepron si entitet i bashkuar politik

Nga Jacques Attali

Kriza financiare greke nuk është më as greke dhe as financiare. Është një krizë politike e gjithë Europës. Zgjidhja e saj nuk është më financiare, por politike. Nuk është më një problem vetëm për Athinën, por për Brukselin. Në fakt, tani është mbi të gjitha një problem franko-gjerman, përderisa bankat e tyre janë më të ekspozuarat.

Greqia nuk ka për t’i paguar ndonjëherë borxhet e saj. Planet e shumta të ndihmës, edhe pse ia kanë dalë deri më tash të shmangin mospagimin e kësteve, nuk kanë mundur të spastrojnë detyrimet afatgjata. Duhet të përballemi me faktet, të cilat kanë qenë të njohura për shumë kohë: asnjë zonë e përbashkët monetare nuk mund të mbijetojë pa një vend dominant apo njëfarë forme federalizmi (si në Shtetet e Bashkuara). Kriza aktuale nuk mund të zgjidhet me Greqinë që del nga eurozona, siç kanë sugjeruar disa. Kjo do të minonte sistemin bankar europian brenda pak ditësh dhe do të rriste borxhin publik të vendeve të tjera europiane. Dhe, ne nuk mund të presim një mrekulli nga Greqia, sikur ky vend të mundej të zhbënte brenda pak muajve rezultatet e 30 viteve politikash neglizhente. Tani që pasojat janë të dukshme, do të qe më e lehtë të merreshim me gabimet që na sollën në këtë pikë. Ne nuk duhet të lejonim që Greqia të futej në Bashkimin Ekonomik dhe Monetar me të dhëna të falsifikuara. Ne nuk duhet të kishim lejuar që borxhi të rritej kaq shumë duke patur parasysh bazat e dobëta ekonomike të Greqisë. Ne duhet t’i kishim detyruar grekët të ngrinin institucione fiskale dhe ekonomike efektive shumë kohë më parë. Përgjatë më shumë se 10 vjetëve, kohë kur ne kemi pasur një monedhë të unifikuar, mund të kishim zgjedhur një ministër Financash për Bashkim Europian, që do mund të kontrollonte efektivisht politikat ekonomike të secilit shtet anëtar. Qeveritë europiane duhet të kishin bërë më shumë për të garantuar që bankat europiane të ndanin barrën. Niveli i rrogave të paguara deri më tash për punonjësit dhe ekzekutivët tregon se ato mund ta përballojnë këtë barrë. Meqë inovacionet dhe rritja ekonomike janë shtigjet për të dalë nga kriza ekonomike, Europa mund të kishte zhvilluar një program për mbështetjen e investimeve masive në industrinë europiane dhe t’i jepte jetë një “Airbus-i” të ri në hekurudha, telekomunikacion, autovetura elektrike apo gjenetikë. Ne duhet të kishim vazhduar me marrje vendimesh të guximshme europiane. Por, fatkeqësisht, është vonë për të gjitha këto. Nëse lejojmë që Greqia të falimentojë, monedha euro do të zhduket. Parimi thelbësor i Bashkimit Europian do të vihet në diskutim. Papunësia do të rritet sërish, përfshirë edhe Gjermaninë, vend i cili, deri më tash, ka përfituar nga një euro e nënvlerësuar. Nëse lejojmë që Greqia të falimentojë, na pret një krizë politike e ekonomike më e keqe se ajo e vitit 2008. Për këtë është e nevojshme të ndryshojmë perspektivën tonë. Ne duhet të mos mendojmë më për një problem grek, por të fillojmë të mendojmë për problemin e Bashkimit Europian. Zgjidhjet ekzistojnë. Ne kemi nevojë të ngutshme për kurajë politike për të zbatuar metodat e mëposhtme: -të krijojmë një Ministri të Financave Europiane; -të krijojmë një “Plani Brady për Europën” (pagëzuar pas sekretarit amerikan të Thesarit, i cili negocioi ristrukturimin e borxhit të Amerikës Latine në vitet ’80), që do të përfshinte emëtimin e bonove europiane të thesarit, që do të shtynin me 20 vjet kohë shlyerjen e borxheve të Greqisë, Portugalisë dhe Irlandës dhe do të financonin investimet europiane; -përllogaritja e një takse europiane mbi vlerën e shtuar me një penallti modeste prej 1 për qind, që do të grumbullonte fondet e nevojshme për të shlyer borxhin. Megjithëse bashkërisht është ekonomia më e madhe në botë, Europa nuk mund të konkurrojë në një botë të dominuar nga Amerika dhe Kina, nëse nuk mendon në mënyrë proaktive dhe nëse nuk vepron si entitet i bashkuar politik. Shkurtimisht, zgjidhja e sfidave ekonomike të Europës është politike. * Autori është presidenti themelues i BERZH-Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim

KOMENTE