English

Tërheqja nga Afganistani, Obama prezanton planin amerikan

Uashington, 23 qershor 2011 NOA- Presidenti amerikan Barak Obama njoftoi fillimin e fundit të luftës 10 vjeçare në Afganistan, duke urdhëruar tërheqjen e 33 mijë trupave amerikane deri në fund të vitit 2012. Në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë, presidenti Obama i tha popullit amerikan se rrjedha e luftës ka ndryshuar. Ai tha se 10 mijë trupat e para amerikane do të tërhiqen brenda këtij viti. Trupat e tjera që janë dërguar në dhjetor të vitit 2009 do të tërhiqen vitin e ardhshëm. Forcat tjera amerikane do të tërhiqen gradualisht nga Afganstani vitin e ardhshëm ndërkohë që forcat afgane fillojnë marrjen e kompetencave në çështjet e sigurisë. Shtetet e Bashkuara kanë aktualisht në Afganistan rreth 100 mijë trupa.

“Sonte mund t’ju them se ne po e përmbushim këtë angazhim. Falë burrave dhe grave në uniformë, personelit tonë civil, dhe partnerëve tanë të koalicionit ne po realizojmë objektivat tona. Si rezultat, duke filluar muajin e ardhshëm ne do të jemi në gjendje të fillojmë tërheqjen e 10 mijë trupa deri në fund të këtij viti. Deri në verën e vitit të ardhshëm ne do të tërheqim 33 mijë trupa nga Afganistani”, tha Obama.

Presidenti Obama tha se pas këtij pakësimi fillestar të trupave, forcat tjera amerikane do të tërhiqen gradualisht nga Afganstani ndërkohë që forcat afgane fillojnë marrjen e kompetencave në çështjet e sigurisë.

“Nga viti 2014 ky tranzicion do të përfundojë. Populli afgan do të jetë përgjegjës për sigurinë e tyre.”

Presidenti Obama tha se tërheqja e trupave po fillon nga një pozicion i fuqishëm. Al-Kaida është nën trysninë më të madhe që nga sulmet e 11 shtatorit 2001. Ai tha se me ndihmën e Pakistanit Shtetet e Bashkuara kanë eliminiuar më shumë se gjysmën e udhëheqjes së Al-Kaidës. Falë ndihmës së forcave të zbulimit dhe forcave speciale, Shtetet e Bashkuara kanë vrarë udhëheqësin e Al-Kaidës Osama Bin Laden. Kjo ishte fitore e madhe për të gjithë ata që kanë shërbyer që nga 11 shtatori 2011 tha presidenti Obama.

Fjalimi i presidentit amerikan është zbardhur nga agjencia “Zëri i Amerikës”, gazetarë të së cilës kanë zhvilluar mbrëmë një intervistë të zgjeruar me presidentin amerikan Barak Obama.

a.q/NOA

KOMENTE