English

Hapet pika kufitare e Kapshticës

Kapshticë, 30 qershor, NOA – Pas 48 orësh bllokimi nga greva e doganierëve grekë është hapur mëngjesin e sotëm pika e kalimit kufitar në Kapshticë.

Me hapjen e pikës kanë nisur të udhëtojnë drejt Greqisë qindra emigrantë, që ishin në pritje për të kaluar kufirin shqiptar.

Kjo pikë doganore me Greqinë ishte bllokuar prej të martës në mëngjes për automjetet prej grevës 48 orëshe të sektorit publik dhe sindikatave në Greqi.

Greva e sektorit publik grek kishte krijuar konfuzion në pikën doganore të Kapshticës ku për shkak të moslejimit të kalimit të automjeteve në anën greke krijoi një radhë të gjatë makinash deri në 1 km.

Autoritetet helene lejuan në këtë pikë doganore vetëm kalimin e këmbësorëve dhe rasteve urgjente.

Trau i doganës qëndroi për dy ditë i mbyllur edhe për mjetet tregtare.

Pika doganore e Kapshticës është hapur disa orë pas miratimit të planit afatmesëm të qeverisë greke për daljen nga kriza.

Ky plan, i cili u miratua dje në parlamentin grek me 155 vota pro parashikon masa të forta shtrënguese në paga dhe pensione.

Ai u miratua dje pas tri ditë diskutimesh ndërkohë që sheshi para parlamentit u kthye në arenë lufte midis të revoltuarve dhe policisë.

Por, kalimi i automjeteve ka qenë i qetë në pikat e tjera kufitare me Greqinë, atë të Kakavijës, Tre Urave në Përmet dhe Qafë Botës në Sarandë, ku ka funksionuar normalisht kalimi i njerëzve dhe mallrave.

mit/NOA

KOMENTE