English

Ta kryqëzojmë Murdoch-un! Por për çfarë?

Nga Mustafa Nano

Pas publikimit të skandalit të përgjimit të telefonave (përgjimi është bërë nga njerëz që kanë punuar për gazetën “News of the World”) të një vajze të ndjekur e të vrarë nga një maniak dhe të familjarëve të ushtarëve britanikë të rënë në Irak, Rupert Murdoch ka marrë vendimin për ta mbyllur tabloidin e famshëm të blerë dekada më parë. I ka lënë të gjithë gojëhapur me këtë gjest. Pas vendimit të tij për të mbështetur drejtuesen e kësaj gazete, Rebekah Brooks-in, në momentin që kjo e fundit dha dorëheqjen, pritej që Murdoch-u t’i mbahej linjës së arrogancës. Por ai, krejt papritur hodhi në lojë një atout, një as nën mëngë, tek i cili askujt nuk i kish shkuar mendja: mbylli një gazetë mbi një qind e pesëdhjetë vjeçare. Me këtë lëvizje të fortë, me siguri ka dashur t’u tregojë të gjithëve se ai nuk mund të pranojë që një gazetë e tij të trukojë një ngjarje, të lozë me viktimat, të hedhë policinë në pista të tjera etj., etj.

Por do të ishte naive të besohej kjo sendërgji e tij. Murdoch-u mbetet një sipërmarrës i paskrupullt, që e ka mendjen veç tek fitimet e që s’e vë fare ujin në zjarr për deontologjinë e shtypit. Ai është gjendur keq nën presionin e opinionit publik britanik, në mes të gjeratores së debatit të madh politik të zhvendosur edhe në House of Commons, dhe përballë frikës se kjo ngjarje mund ta dëmtonte rëndë reputacionin e tij si manjat mediatik, në mos mund t’i groposte për fare bizneset e tij në lëmin e masmedias, të shpërndara në çdo cep të globit. Dhe kështu e ka parë të udhës që të japë një dëshmi të fortë, me anë të së cilës të provonte se ndjeshmëritë e tij nuk janë të ndryshme nga ndjeshmëritë e britanikëve. E dëshmi më e fortë se sa vendimi për t’i vënë drynin një gazete që shiste miliona kopje në javë nuk mund të ketë. Të dielën del numri i fundit. Pa reklama, një pjesë e të cilave i kishin ikur me t’u marrë vesh skandali. Ç’pyet! Rregulla e tabiate të një bote tjetër.

Kjo ngjarje mund të ketë shumë lexime. Njëri sosh është: opinioni publik i një vendi ka forcën për të vënë me shpatulla pas murit miliarderët, politikanët dhe kryeministrat (menjëherë pas publikimit të skandalit, David Cameron së pari ka premtuar të rishikojë qëndrimin e vet ndaj idesë së kalimit të televizionit ‘BSkyB’ në duart e Murdoch-ut, nëpërmjet shitjes; së dyti, po provon një si siklet për marrëdhëniet e ngrohta të qeverisë së tij me manjatin australian; së treti, po ndërmerr nisma legjislative për të parandaluar dukuri të tilla në të ardhshmen; dhe së katërti, largoi nga oborri kryeministror pa një, pa dy, një këshilltar të vetin ka qenë drejtues i kësaj gazete në kohët kur ka ndodhur ky përgjim, s’ka gjë se ai ish-drejtues s’ka pasur dijeni për poshtërsitë e bëra nga të tjerët brenda gazetës). Pse, s’mund të bëhet ky lexim? Afërmendsh që mund të bëhet. Ashtu siç mund të bëhet dhe leximi i dytë, sipas të cilit “njerëzit që, për shkak të investimeve të mëdha të bëra në fushën e masmedias kanë një fuqi e ndikim të madh publik, janë një e keqe për politikën, për shoqërinë, për median vetë”.

Le të ndalemi tek ky leximi i dytë. Duket sikur të shumtit e atyre që janë përfshirë në këtë debat me jehonë planetare (vetëm në Shqipëri nuk flitet; më kanë zënë sytë një lajm të shkurtër tek ‘Tema’, dhe asgjë tjetër lidhur me këtë ngjarje) kanë rënë në një grackë: po e shohin të keqen e fenomenit ‘Murdoch’ tek qasja voyeuriste, që është shndërruar në një patologji për të gjitha mediat në botë. Të kuptohemi, kjo është e vërtetë që ç’ke me të, gjë që duket tek lajmet mbi thashetheme VIP-ash, mbi krimet brenda familjes (shikoni atë që po ndodh me Casey Anthony në Florida), mbi lajmet që kanë në fokus George Clooney-n njëherë si i dashuri i Canalis-it e njëherë tjetër si ambasador i UNICEF-it etj., etj. Por kjo është e keqja më e vogël, s’ka gjë se është një e keqe shumë e madhe. Ka një të keqe tjetër më të madhe, për të cilën opinioni publik nuk para kujtohet të ngrejë zërin. Rupert Murdoch nuk ka në zotërim vetëm tabloidët ‘News of the World’, ‘The Sun’ etj., por edhe një numër gazetash e televizionesh që merren me “informacion të rëndë”, si ‘The Times’, ‘The Sunday Times’, ‘The Wall Street Journal’, e mbi të gjithë grupin televiziv ‘Fox News’, me anë të të cilit ia del të ushtrojë një ndikim të jashtëzakonshëm mbi politikën e mbi shoqërinë amerikane. Nuk ka asnjë president amerikan të dekadave të fundit që të mos jetë takuar me Murdoch-un apo që të mos jetë zgjedhur si qiraxhi i Shtëpisë së Bardhë me ndihmën e tij. Deri dhe Obama, presidenti atipik që do sillte ndryshimin në Amerikë, është takuar me të. E në ndryshim nga SHBA-të, ku Murdoch-u është rreshtuar djathtas, në Britani ndikimi i tij është transversal. S’e ka për gjë që njëherë të bëhet me konservatorët e njëherë tjetër me liberalët. Për disa vite u vu në mbështetje të ish-kryeministrit Tony Blair, ndërsa në zgjedhjet e fundit ishte aleat me kryeministrin David Cameron. Ai jo vetëm i zgjedh kryeministrat, por edhe i ka miq të ngushtë. Përse i duhet ky ndikim? Kryesisht për të rritur pasuritë e veta. Me para financon mediat, me mediat vë pará të tjera (këtë thotë pak a shumë Will Bunch-i në një shkrim të djeshëm; dhe s’do mend që ka të drejtë). E në këto rrethana, vjen një moment që mediat e tij ose mbështesin një luftë të padrejtë apo politika të gabuara, ose bëhen nxitës të këtyre luftërave e të këtyre politikave. Atëherë, a nuk është absurde të ngresh zërin veç për faktin që mediat e Murdoch-ut përgjojnë telefonat e një viktime, e të mos e ngresh zërin për faktin që këto media nxisin e mbështesin luftëra të padrejta të ngritura mbi rrena të pacipa, siç ishte ajo e pranisë së armëve të shkatërrimit në masë në territorin e Irakut të Saddam Husseinit? E megjithatë, është pikërisht kjo që po ndodh: stili e logjika “Murdoch” po qortohen veç për teprimet në fushën e kronikës rozë dhe të zezë, e sidomos aty ku këto fusha mbivendosen, e jo – kësaj i mëshon fort Will Bunch-i, një nga të paktët që ecën kësaj udhe – për informacionin e keq me të cilin helmohet publiku apo për patologjitë që, nëpërmjet kësaj medie përhapen në trupin e politikës e të shoqërisë.

Gazeta “Shqip”

KOMENTE