Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
A mund të këtë një kundërsfidë të opozitarizmit?
English

A mund të këtë një kundërsfidë të opozitarizmit?

Nga Preç Zogaj

Rregjimi i Tiranës e përfundoi në mënyrën me të shëmtuar betejën për marrjen e bashkisë së Tiranës. E humbi në garë, e bëri në tavolinë dhe e mori nën tavolinë. Nuk pati kurajon të përballej me faktet e qarta të mospërputhjes së numrit të votave me numrin e votuesve. Nuk gjeti asnjë argument për të çarë rrethimin e mospërputhjes. Por gjeti në Kolegjin Zgjedhor dublantët e shumicës politike të KQZ-së, që morën të njëjtin vendim: mosshqyrtimin për tejkalim afatesh të kërkesës së PS-së. Me fjalë të tjera , zullumi në kuti është bërë, por zullumpësuesi nuk e ka kapur në orën e duhur, kështu që zullumqari shpallet fitues!

Materialet filmike dhe kalkulimet e sakta aritmetike tregojnë qartë se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve e prodhoi një pjesë të mospërputhjes së votave pas datës 14 maj, kur përfundoi numërimi live që nxorri fitues Edi Ramën me 10 vota.

Shtimi me dorë i votave në “ishullin” e 117 kutive të hapura me përzgjedhje nga Arben Ristani me shokë është një vepër penale.

Nuk pritej që Kolegji Zgjedhor i zonjës Sashenka apo i zotit Kalaja të skandalizohej para këtij manipulimi dhe krimi të dukshëm zgjedhor; nuk pritej një reagim i fuqishëm i tyre në drejtim të hetimit të këtyre fakteve dhe ndëshkimit të fajtorëve. E gjithë kjo ishte dhe është shumë për një hallkë gjyqësore të kalbur, të korruptuar dhe të terrorizuar, siç është kjo e Apelit. Publiku i arsyeshëm priste thjesht konstatimin e mospërputhjeve dhe nxjerrjen e një vendimi që do të çonte në legjitimimin e fitimtarit nepërmjet korigjimit të gabimeve apo përsëritjes së zgjedhjeve.

Arsyeja po gabon më shpesh se marrëzia në kohën që jetojmë. Në fakt, kushdo që ka një minimum logjike nuk mund të parashikojë apo të presë një vendim si ai i së premtes që i thotë PS-së “nuk je në kohë”, domëthenë ti PS dhe ti opozitë duhej t’i kishit kapur mospërputhjet para se ti bënte zoti Ristani në KQZ-në e tij! O tempora, o mores!

Pjesa tjetër e mospërputhjeve dolën në dritë apo u çertifikuan pas hapjes së gjithë kutive me urdhër të Kolegjit Zgjedhor, urdhër i cili anulloi edhe fitoren e parë të Lulëzim Bashës me 81 vota. Kolegji Zgjedhor i së premtes i thotë PS-së nuk je në kohë sepse ti PS dhe ti opozitë duhet t’i kishit kapur mospërputhjet me fall apo me magji para se të dilte urdhëri ynë për hapjen e të gjitha kutive!

Absurditetet dhe provokimet e vendimit të fundit të Kolegjit janë sheshit. Nuk është nevoja të jesh jurist për t’i parë. Jurist u dashka të jesh për të mos i parë. Në të ëvrtetë askush prej atyre që e kanë urdhëruar dhe nënshkruar atë vendim nuk e ka vrarë mendjen për t’i krijuar njëfarë mbrojtjeje nga kritika. Vendimi është arbitrar dhe pikë. Vendosen ta merrnin dhe pikë. Ky ishte kafshimi më i egër dhe ndoshta final i shtetit politik ndaj shtetit të së drejtës në Shqipërinë e sotme. Dikush fitoi bashkinë e kryeqytetit, dikush paratë e bastit se një edhe një bëjnë tre, dikush tjetër sigurinë se do të bëjë para me kryetarin e ri, dikush tjetër besimin se do t’i marrë vendin e punës fqinjit socialist, dikush tjetër shpresën se Lulëzim Basha do të sjellë një ndryshim në jetën e kryeqytetit. Por Shqipëria dhe shumica e banoëve të saj kanë humbur shumë me këtë që ndodhi. Jo se nuk do të jetë sërish Edi Rama kryetari i bashkisë së Tiranës. Ka plot e plot njerëz që vajtojnë nxjerrjen e tij nga bashkia me vendim Kolegji, por nuk është kjo humbja e të gjithëve. Historia është me e thellë se kaq. Dhe unë flas parasëgjithash për humbjen që i vjen e do t’i vijë vendit nga goditja ditën për diell e zgjedhjeve dhe opozitës, nga pasojat që do të ketë në rrafshin kombëtar e ndërkombëtar kjo ngjarje e huaj për standartet e Europës dhe për vetë precedentët shqiptarë të gjykimit të ankesave zgjedhore.

Me vendimin e së premtes Kolegji Zgjedhor prodhoi një ngërç të ri politik, kësaj radhe me të rëndë se ai i verës së vitit 2009. Shqipëria do ta paguajë shtrenjtë dhe do t’ia shohë sherrin akoma me shumë se herën e parë arbitraritetit dhe servilzimit të këtij Kolegji, që njëhsohet sistematiksiht me qëndrimet dhe vendimet e shumicës qeveritare, edhe kur ato janë hapur në kundërshtim me logjikën e thjeshtë, me ligjin dhe standartet perëndimore.

Komisionerja për Punët e Jashtme të BE-së, baronesha Ashton, ka bërë të ditur përmes zedhënëses se është duke pritur motivimin e vendimit të Kolegjit. Standarti europian e konsideron të gjykuar rastin e mospërputhjes së numrit të votave me numnrin e votuesve. Mospërputhja është ose gabim njerëzor që duhet korigjuar, ose manipulim. Në pamundësi korigjimi, shkohet në përseritjen e zgjedhjeve. Këto janë alternativat dhe s’ka tjetër. Por ja që Shqipëria ka krijuar për herë të parë edhe një alternativë të tretë. Mospërputhja duhet të kapet…Kur? Këtë duhet ta sqarojë Kolegji në vendimin e zbardhur. Këtë sqarim po prêt Europa, ndoshta edhe SHBA. Kur duhej ta bëntë opozita ankimimin për të qenë në afat, sipas gjyqtarëve të Kolegjit?? Nëse ky sqarim bind,- gjë që sipas meje nuk ka asnjë shans të ngjasë- Europa dhe SHBA do ta konsiderojnë të mbyllur kapitullin e zgjedhjeve. BE do të kalendarizojë dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Nëse ky sqarim nuk bind, e premtja e fishekzjarreve të Berishës do të vijë duke u nxirrë në kalendarin e integrimit te Shqipërisë në Europë.

“As që i plas fare Berishës se ç’thua ti, apo se ç’thotë Europa dhe Shtetet e Bashkuara! Ai mori atë që deshi. Për të pushteti qëndron mbi integrimin e vendit. Ç’problem ka, sipas tij, se nuk po na qasin në BE? Boll europiane është Shqipëria kështu, sic është ! Nuk ka pse të jetë me shumë”!

E di se kjo është replika e qindra qytetarëve për çfarë shkrova për Europën. E di se Europa nuk tremb. Përndryshe, Berisha nuk do të kishte guxuar të sfidonte rezolutën e Parlamentit Europian për hetimin e zgjedhjeve të vitit 2009; nuk do të kishte guxuar të urdhëronte apo lejonte përdorimin e armëve të zjarrit në demostratën e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e kombit”; nuk do të kishte guxuar të fabrikonte një fitore kaq të trashë dhe me këtë kosto për Lulëzim Bashën në zgjedhjet e 8 majit. Por duhet ta dimë se Europa ka mënyrën e saj të kundërveprimit. Sa me shumë shtohen sfidat e Tiranës për Europën, aq me shumë e shtyn Europa në sirtaret e vet ëndrrën e Shqipërisë dhe shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Kjo është kundërsfida e Europës ndaj sjelljes antidemokratike të qeverisë së Tiranës. Butë, por thellë. E bën qeveria, e pësojmë ne të gjithë. E bën Sashenka me shoqe, e paguan gjithë populli, përfshirë ata që dolën të “fituar” nga vendimi i tyre. Po na kalojnë të gjithë edhe në Ballkanin e vogël. Të mos matemi me Kroacinë që do të hyjë ne BE pas dy vjetësh, por po na kalon edhe Serbia, edhe Mali i Zi, edhe Maqedonia…Po të heqë dorë nga imitimi i shëmtuar i veseve politike të qeverisë së Tiranës, besoj se pas pak vitesh do të na parakalojë edhe Kosova.

Vendimi i fundit i Kolegjit, nëse nuk bind askënd në Europë, do ta shtyjë edhe për disa vite të tjera integrimin e Shqipërisë në Europës. Ja, ai vendimi që u përshendet me fishekzjarre dhe me thirrjet “rrroftë Sali Berisha” para selisë së PD-së.

E di se nga një pikëpamje nuk është e drejtë të penalizohet populli për fajet e qeverisë. Ne gjithnjë pretendojmë një sjellje tjetër nga Europa, një sjellje të drejtpërdrejtë dhe pa dorashka në lidhje me zbatimin e standarteve të saj në një vend kandidat si Shqipëria. Por BE ka mënyrat e veta të gjykimit. Në fund të fundit qeveria dhe gjykatat tona janë puna jonë, puna e popullit shqiptar dhe jo e Europës.

E sfiduara e madhe e asaj që ndodhi të premten në Kolegj është opozita, por kësaj radhe me një “ngushëllim” të madh sepse e detyroi pushtetin të dilte në skenë hapur, pa maska, pa doreza, faqe kamerave, faqe gjithë botës. Qeveria nuk mund ta manipulojë kësaj radhe skemën e manipulimit, siç ka bërë herë të tjera. Ajo është e ndergjegjshme për këtë. Midis bashkisë së Tiranës dhe dënimeve që do të marrë andej këndej për shkeljen flagrante të ligjeve dhe rregullave të lojës, ajo ka zgjedhur bashkinë. Midis bashkisë dhe konfliktit të ri politik, ajo ka zgjedhur prapë bashkinë. Me këtë histori, që do shënojë jetën politike të vendit në muajt e ardhshëm, Berisha propozoi sërish, por me më shumë nerv se më parë, një betejë “për jetë a vdekje” me shefin e opozitës, i cili ishte edhe personalisht subjekt i maskaradës që na panë sytë.

Opozita ka detyrimin të mbrojë në këtë zhvillim të vështirë stukturën e opozitarizmit si vlerë demokratike kombëtare dhe të përgatisë kundërsfidën e saj politike. Nëse pas fitores me dhjetë vota Edi Rama kishte në mendje një reflektim të thellë, tani reflektimi duhet të jetë dyfish me i thellë dhe aksioni politik e institucional shumë më i kalkuluar se më parë. Mbledhja dhe forcimi i infrastrukturës së opozitarizmit është hapi i parë në betejën e re të opozitës për ligj, drejtësi, zhvillim dhe integrim.

Gazeta “Shekulli”

KOMENTE