English

Sistemi i ngritur mbi pandëshkueshmërinë

Nga Mustafa Nano

Ka filluar procesi gjyqësor në ngarkim të të pandehurit Ilir Meta. Provoni t’i thoni dikujt që ish-zv.kryeministri nuk ka për ta kaluar paq këtë herë, dhe përgjigjja që do të merrni do të jetë e llojit: “Po ç’ia fut kot dhe ti! Asnjë gjemb në këmbë s’ka për t’i hyrë”. Askush nuk beson që mund ta dënojnë. Më kollaj mund të gjesh dikë që mund të besojë realisht se Meta s’ka faj fare në këtë mes, se sa të gjesh ndonjë që të jetë i sigurt se ai do të dënohet nga një gjykatë shqiptare. Të gjithë janë të idesë se Gjykata e Lartë do të gjejë se s’bën mënyrën për ta shfajësuar apo për t’mos e gjykuar. Dhe në fakt, nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Gjykatat tona nuk kanë këllqe për të dënuar një njeri si Ilir Meta, i cili ka autoritet politik, ndikim elektoral, fuqi financiare e mbështetje mediatike. Establishmenti sundues ka ndërtuar një sistem politik, institucional e konstitucional, i cili funksionon për interesa të pjesëtarëve të këtij establishmenti. Ky sistem është i ngritur në mënyrë të tillë (kryesisht në fazën e zbatimit, e jo të hartimit, të ligjeve) që të rrisë fuqinë e të fuqishmëve, e – sikur të mos ishte mjaft kjo – që t’i marrë në mbrojtje sa herë gjenden, për shkak të paudhësive të tyre, nën presionin e asaj pjese të sistemit që i ikën logjikës së sistemit, e që synon të kritikojë, gjykojë e ndëshkojë mbi bazën e standardeve morale e normave ligjore. Dhe këtu është hera për të nënvizuar një diferencë. Gjetkë, në një numër demokracish të konsoliduara, është sistemi i shëndetshëm, që ndjek, gjurmon, kritikon, gjykon, ndëshkon njerëzit e korruptuar, qofshin këta dhe me ndikim e pushtet (vetëm së fundmi kemi rastin e ish-shefit të FMN-së, Dominique Strauss-Kahn, dhe atë të tycoon-it nammadh Rupert Murdoch, të cilët janë dukur të vegjël e të parëndësishëm përballë sistemit), ndërsa këtejpari sistemi është i tëri i sëmurë dhe i korruptuar, dhe tek-tuk ka ndonjë gjyqtar, ndonjë polic, ndonjë zyrtar etj., që nuk pajtohet me gjendjen. Kjo e jona është një botë me kokëposhtë: njerëzit e pakorruptuar janë të vegjël përballë sistemit, ndërsa vetë sistemi ngjan të jetë i vogël, gjithashtu, përballë sojit të njerëzve me pushtet.

Murdoch-u mbylli këto ditë gazetën e vet “News of the World”, e cila ish në “treg” prej gati dy shekujsh. U detyrua ta mbyllte. U gjend papritur nën presionin e sistemit. Shkaku? Doli në shesh se kjo gazetë ka keqinformuar publikun për vite të tëra, ka manipuluar e trukuar realitete e ngjarje të caktuara, dhe ka dhunuar ligjet britanike (siç është ai i privacy-së). Dhe nuk është vetëm procesi i hetimit që e ka vënë me shpatulla pas muri këtë njeri të superpushtetshëm; është i gjithë sistemi; janë institucionet, është Parlamenti, janë mediat e tjera, është opinioni, janë zërat e rëndësishëm publikë, janë standardet etiko-morale të shoqërisë. Këto të fundit, standardet etiko-morale të shoqërisë, qëllon që janë zemra e tërë sistemit; prandaj nuk mund të ndodhë që të dalë dikush në rrethana të tilla e të thotë, se “s’e ka bërë vetëm Murdoch-u këtë gjë, prandaj duhet ta ndalim këtë sulm kryqtarësh mbi të”, ashtu si nuk mund të mendohet të dalë Murdoch-u vetë e të shfajësohet me mënyra të ndryshme, apo aq më pak, të mbrohet duke sulmuar, e duke bërë arrogantin). Në këtë histori pra kemi nga njëra anë një njeri të fuqishëm, një gazetë të madhe, disa gazetarë etj., të cilët u kapën duke bërë një paudhësi, e nga ana tjetër kemi tërë sistemin që reagon në mënyrë kompakte në respekt të ligjit e jo në mbrojtje të të fuqishmëve, të cilët në rrethana të tilla s’janë më të fuqishëm.

Shembulli i Ilir Metës, me të cilin e hapa këtë shkrim, na jep një leksion tjetër. Meta u kap në flagrancë duke marrë e premtuar tangjente. U filmua. Është në celuloid. Do të jetë atje jetë e mot, në përjetësi. Çfarë ndodhi më pas? Ndodhi që Ilir Meta, në vend të vriste veten (po të ishte në Britani, do ta kish vrarë veten), u hodh në sulm kundër ish-bashkëpunëtorit të vet që kish realizuar përgjimin, kundër programit televiziv që bëri të mundur transmetimin e filmit, e kundër kundërshtarëve politikë. “Kam për detyrë të mbroj shqiptarët nga këto praktika përgjimi me çimka (!!!!)”, deklaroi ato ditë të scoop-it. Nuk u mor fare me thelbin e çështjes (tangjentet), por i mëshoi betejës “për të mbrojtur shqiptarët nga çimkat (!!!!)”. Por nuk ishte kjo idiotësi që të bënte përshtypje. Ishte diçka tjetër. Shoqëria nuk demonstroi ndonjë qibër e ndonjë cipë kushedi se çfarë. Zërat publikë ose heshtën, ose e minimizuan ngjarjen, ose e morën në mbrojtje Metën. Duke përjashtuar socialistët, pjesë e sistemit, që ishin të interesuar të denigronin e kryqëzonin një kundërshtar politik të tyrin, të tjerët (në rastin më të mirë) “bënë bythën mënjanë”. Ishin gjithë-gjithë tre-katër vetë që folën, dhe ishin këta zëra që shpëtuan nderin e gjithë shoqërisë (e keni vënë re që zëra të tillë po rrallohen? Deri para ca kohësh kanë qenë një duzinë, a më shumë).

Këta zëra e këta individë nuk mundën, afërmendsh, të krijojnë ndonjë “trend” etiko-moral. “Trend”-in e bëri Meta me të vetët. Dhe është ky “trend” (standard, thënë ndryshe), mbi të cilin ngrihet kryesisht pandëshkueshmëria e të fuqishmëve në vendin e shqipeve. Të kuptohemi, Metës do t’i mjaftonte për t’u mbrojtur edhe fuqia financiare, ndikimi politik, apo forma të tjera presioni që ai, e të vetët, mund të ushtrojnë mbi këdo, por mbi të gjitha është kjo tërheqje morale e shoqërisë sonë, që e bën të ndihet i mbrojtur dhe e inkurajon të bëjë arrogantin në çdo kohë. Mú në ditën kur prokurorët ia dolën ta çojnë çështjen të kopsitur në Gjykatën e Lartë dhe ia dolën të bëjnë të mundur fillimin e procesit gjyqësor në ngarkim të tij, ai doli e tha, se "duhet një reformë serioze në Prokurorinë e Përgjithshme, pasi në këtë institucion ekziston e kalcifikuar mendësia e funksionimit të saj si në kohën e Sigurimit të Shtetit". Keni fuqi ta përfytyroni Murdoch-un duke thënë, menjëherë pasi në Scotland Yard të kishin filluar hetimet, se do të bënte gjithçka kish në dorë për të reformuar policinë metropolitane në Londër? Ç’them dhe unë! Ju kërkoj ndjesë për këtë pyetje. Ne jemi mijëra vite dritë larg, dhe është Ilir Meta, sidomos me qëndrime arrogante si ky i këtyre ditëve, që ta çon në kokë idenë e një distance kaq të madhe nga Mbretëria e Bashkuar.

Prapa çdo arroganti fshihet një frikacak, megjithatë. E në këtë kuptim, ka shumë mundësi që ai të ketë frikë. Por e ka kot që ka frikë. Atë nuk mund ta dënojë askush. Mund të ketë në Gjykatën e Lartë ndonjë gjyqtar që ka standarde të tjera etiko-morale e që ecën në drejtim të kundërt me logjikën e sistemit të korruptuar, por ai nuk do të ketë fuqi të krijojë një klimë të caktuar, apo të imponojë standardin e vet. Ilir Meta nuk mund të dënohet. Nuk ka sistem që ta dënojë. Ai është vetë sistemi i ngritur mbi pandëshkueshmërinë e të fuqishmëve.

Gazeta “Shqip”

KOMENTE
  • Alban Memushi13:27 - 18 Korrik 2011
    Sistemi i horrit me pak fjale