Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Institucionet janë në mëshirë të fatit
English

Institucionet janë në mëshirë të fatit

Nga Mustafa Nano

Gurguléja e fundit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë u raportua gjerësisht nga gazetarët, por nuk u komentua nga columnist-ët. Nga mënyra se si vajtën punët, duhet thënë shyqyr që Presidenti i Republikës nuk ishte i pranishëm në atë sallë. Ndryshe, edhe Presidenti do ish nën agresionin e KLD-istëve të kurdisur si kukulla kineze, edhe KLD-ja do të dilte më e njollosur se sa doli. Afërmendsh, një gurgulé në prani të kreut të shtetit do të ish më e rëndë për imazhin e këtij institucioni se sa ajo që ndodhi në mungesë të tij. Por njerëzit e atij institucioni lanë nam, prapëseprapë. Ajo që na panë sytë në atë mbledhje tregoi se ristani-zimi i institucioneve nuk është një dukuri, por një flamë. Dhe me ristani-zim kuptoj edhe komunikimin vulgar mes anëtarëve të një institucioni, edhe interpretimin e shkujdesur e optional të funksionit nga ana e këtyre të fundit, edhe vënien e institucionit në shërbim të pushtetit apo politikës etj. Kjo do të thotë më tej, se Ristani është thjesht funksionari i fundit që i jep emër sëmundjes, por sëmundja merret vesh që nuk ka lënë njeri pa prekur.

Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, ka kohë që ka nakatosur mes një non-chalance-e të pakuptueshme postin e rëndësishëm që mban me shfaqjet patriotike që bën nëpër Shqipëri. Presidenti e ka lejuar këtë gjë, duke e bërë të besueshme tezën, sipas së cilës ata të dy po hedhin qysh tani farën e një partie të re, që është planifikuar të dalë në dritë andej nga gjysma e dytë e vitit të ardhshëm, kur Topi nuk do të jetë më President e Spahiu nuk do të jetë më zv.kryetar i KLD-së. Kjo puna e Aleancës Kuq e Zi nuk është gjetje e keqe në funksion të marketing-ut për një produkt të ardhshëm, por çështja është se ata i kanë bërë një dëm të madh njërit prej institucioneve më të rëndësishme të këtij vendi, atij të KLD-së. Me këtë institucion nuk bëhet shaká. Kush pranon e zgjidhet për të bërë anëtarin e KLD-së duhet ta mbledhë mirë mendjen, dhe të bëjë anëtarin e KLD-së.

Nga ana tjetër, një sjellje e tillë i lë zbuluar ata, i bën të cenueshëm. Jo më kot Berisha ka bërë sehir sjelljen e Spahiut, dhe nuk ka bëzajtur. Gjatë gjithë kohës ka menduar se do të vijë një moment, që do të ketë të drejtën e mundësinë t’i thotë atij, dhe shefit të tij: “Po si keni gojë, dhe flisni, more…. (Këtë herë u vuri etiketën ‘njerëz me deficienca kongjenitale të identitetit’)? Jeni mbajtur nga taksapaguesit për t’i shërbyer sistemit të drejtësisë, dhe në vend të kësaj, ju jeni marrë me qejfet tuaja, prandaj qepeni!” Nesër, në një moment tjetër do t’ju thotë ca më tepër. E kuptohet, kjo të gjen kur e lë veten të bëhesh i cenueshëm e i sulmueshëm. Në këto rrethana edhe Berishës i hapet goja për të bërë kritika. Dhe po e lë veten të të kritikojë Berisha “me të drejtë”, e ke humbur davanë.

Në këtë kuptim, nuk u mor vesh mirë se pse dyshja Topi-Spahiu nuk e thanë të tyren në kohën e duhur lidhur me akuzat, që Edi Rama e të vetët lëshuan kuturú në adresë të anëtarëve të Kolegjit. Anëtarët e Kolegjit do të duhej të ngrinin një padi në Prokurori për ato akuza (një gjyqtar normal do të bënte pikërisht këtë), por nga momenti që ata kërkuan mbrojtje nga KLD-ja, kjo mbrojtje nuk kish arsye pse të refuzohej. Nuk është pa gjë të mendosh se kjo akuzë është ngritur me porosi të Berishës, me synimin për të vënë në provë KLD-në; Topi e Spahiu me siguri kanë qenë të bindur për këtë gjë, dhe për të mos rënë në grackën e Berishës, kanë zgjedhur të mos prononcohen. E bash në këtë mënyrë nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse kanë rënë në këtë grackë. Ata duhej ta thoshin një fjalë (në momentin që iu kërkua nga anëtarët e sulmuar të Kolegjit), me anën e së cilës të demonstronin se nuk mund të pranojnë kryqëzime e denoncime të tilla faqe botës pa pasur prova e dëshmi. Nuk është çudi që akuzat e socialistëve në adresë të gjyqtarëve për pará të marra në zyrën e së bijës së Berishës, për takime të tyre të fshehta me eksponentë të pushtetit, për pushime tok me deputetët e mazhorancës në Greqi etj., të ngrihen mbi një informacion të saktë, por për sa kohë që janë të paprovueshme e të padokumentueshme, është mirë të mos lëshohen. Është e sigurt që Edi Ramës nuk i vjen mirë (nuk është çudi t’i duket dhe e padrejtë) kur e krahasojnë me Berishën, por ja, pikërisht kjo taktikë e ngritjes së akuzave publike të paprovueshme mbi institucionet e mbi njerëzit e institucioneve është një sjellje tipike berishiane. Ramës ia kërkon halli të sillet kështu, por kjo nuk e justifikon; përkundrazi, e penalizon më tepër; ne të tjerët (përfshirë institucionet) nuk ka pse të jemi peng i hallit të një personi; në një farë mase, edhe Berisha nga halli është sjellë e sillet ashtu.

Siç duket, ndonëse Berisha është shpikësi i dukurisë së sulmit ndaj (dhe përdorimit të) institucioneve, e ndonëse Ristani është nuliteti i fundit në radhë që ka dhënë “hua” emrin për ta pagëzuar këtë dukuri (me sa duket, prej impaktit të vendimit që mori në krye të KQZ-së), edhe të tjerët janë po njësoj në këtë tavë. Të gjithë, duke filluar me Lefterinë (më bëri shumë përshtypje sjellja “prej të forti” e kësaj anëtareje të KLD-së, emrin e fytyrën e së cilës ma zunë sytë e veshët për herë të parë atë ditën e mbledhjes; kam vënë re se u ka bërë përshtypje të gjithëve) e duke mbaruar me Bamir Topin, janë pjesë e së njëjtës mendësi e logjikë. Dhe është kjo mendësi e logjikë, që e bën secilin syresh që institucionet t’i marrë në mbrojtje kur ia do puna e t’i nëmë kur është në hall. Një gjë është e sigurt: kështu nuk mund të ndërtojmë shtetin e së drejtës. As për një qind vjet.

Gazeta "Shqip"

KOMENTE